Policia e Elbasanit dhe ekspertët e Drejtorisë së Përgjithshme të mbërritur nga Tirana nuk kanë asnjë person të dyshuar në lidhje me vrasjen e trefishtë që ndodhi mbrëmjen e 29 dhjetorit në Bradashesh.
Burimet nga grupi i hetimit thanë për Ora News, se dy ditë pas vrasjes së shtetasve Arben Dylgjeri, 56-vjeç, emigrant në Angli, Endri Alibej, 34 vjeç, emigrant në Holandë dhe shtetasit turk Erdal Dyranay, 51 vjeç, nuk ka asnjë person të dyshuar.
Të gjithë personat e shoqëruar pas ngjarjes, janë lënë të lirë nga policia e Elbasanit për shkak të mungesës së provave në lidhje me atentatin.
Grupi i hetimit ka analizuar disa herë në bashkëpunim edhe me prokurorinë, provat e mbledhura në vendin e ngjarjes por edhe informacionet operative në lidhje me viktimat, por ngjarja konsiderohet pa autor.
Ora News mësoi nga burimet e hetimit se shkak është bërë fakti se tre personat që mbetën të vrarë, gjithë aktivitetin e tyre e kanë përqendruar prej vitesh jashtë Shqipërisë, ku tashmë pritet të përqendrohen hetimet.
Ndërkaq, mësohet se Arben Dylgjeri dhe nipi i tij Endri Alibej, së bashku me 51-vjeçarin turk kishin mbërritur në Shqipëri në dy ditët e fundit.
Për këtë arsye, policia shqiptare duket se është në terr informativ në lidhje me aktivitetin e viktimave dhe konfliktet e tyre të mundshme pasi nuk disponohen të dhëna.
Për këtë arsye, grupi i hetimit pritet të kërkojë të dhëna për konflikte apo precedentë penalë nga autoritetet hetimore të Anglisë, Holandës dhe Rumanisë ku jetonin prej kohësh viktimat.
Endri Alibej, 34 vjeç, ishte arrestuar në vitin 2013 si pjesë e një rrjeti të fuqishëm të trafikut të kokainës në Itali ndërsa dyshohet se edhe gjatë viteve të fundit e ka vijuar këtë aktivitet, duke ndryshuar edhe emrin. shtetasi turk Erdal Dyranay, i cili jetonte në Rumani mendohet se ka qenë bashkëpunëtor në trafikun e narkotikëve me 34-vjeçarin shqiptar.
Ndërkohë viktima e tretë e atentatit, Arben Dylgjeri, rezulton pa precedent penal. Makina ku ndodheshin tre viktimat u qëllua të paktën 18 herë me breshëri kallashnikovi mbrëmjen e 29 dhjetorit pasi tre personat dhe familjarët e tyre kishin darkuar në zonën e Peqinit.
v.l/ Dita
Terr informativ kur paguajme rreth 1000 parazite ne Shik.qindra spiune dhe nje polici shteti?
Droga pipell.