Në seancën e sotme për 21 janarin, eksperti Dritan Zoto, i cili pak ditë më parë doli në përfundimin se plumbi që vrau Ziver Veizin ishte i drejtpërdrejtë dhe jo rikoshet, ka dhënë sot detaje të ekspertizës.
Zoto e argumenton përfundimin e ekspertizës së tij me faktin se në predhë copëzat e drunjta nuk u gjetën në vendin ku pretendohet se goditi predha, por në këmishën e viktimës. Sipas ekspertit, predha nuk është përplasur me ndonjë objekt, madje në të janë konstatuar gjurmë të kuqërremta, që mund të jetë gjaku i viktimës.
Ekspertiza e Zotos hedh poshtë pretendimet e ngritura nga eksperti i palës mbrojtëse të të akuzuarit Agim Llupo, sipas të cilit, plumbi ka qenë rikoshet. Ende nuk dihet se cili akt-ekspertimi do të pranohet nga gjykata. Pikërisht nga ky fakt varet edhe fati i të pandehurit, gardistit Agim Llupo, i cili akuzohet për vrasjen e Ziver Veizit në 21 janar 2011.