Vrasja me snajper e Kastriot Reçit dyshohet se u bë nga qitës profesionist

Leda Hysa

Ekzekutimi i me snajper i biznesmenit Kastriot Reçi në Rrëshën mbetet ende pa autorë.

Kontrollet e policisë që vijojnë në zonën e Mirditës dhe marrja në pyetje e shumë personave në lidhje me ngjarjen ende nuk kanë dhënë asnjë rezultat.

Puna tashmë është përqendruar tek pamjet e kamerave të sigurisë dhe ekzaminimi i një parukeje të gjetur që dyshohet se u përdor nga autori.

Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe analizimi i të gjithë të dhënave, dyshohet se qitësi ishte profesionist dhe dyshimet janë se ai ishte vrasës me pagesë.

Ekzekutori i biznesmenit qëlloi nga rreth 200 metra largësi nga brenda një apartamenti duke i shkaktuar vdekjen me vetëm një goditje dhe pa dëmtuar persona të tjerë.

Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë që kanë filmuar ngjarjen, 47 vjeçari u qëllua pasi puthi një fëmijë, i cili fatmirësisht nuk u rrezikua por u përfshi në ngjarjen tragjike.

Nga pallati ku kreu vrasjen, autori dyshohet se u largua i maskuar si grua, ndërsa maska u gjet në afërsi të tregut.

Kjo provë dhe pamjet e kamerave të sigurisë që kanë filmuar autorin po analizohen më imtësi, por sipas burimeve identifikimi mbi bazë të pamjes është i vështirë.

Ndërkohe po verifikohet edhe telefoni i viktimës për të parë bisedat telefonike apo dhe mesazhet e kohëve të fundit me ndonjë person të dyshimte.

Kastriot Reçi u ekzekutua me snajper rreth orës 11 të së martës, teksa po hynte në lokalin e tij në qendër të qytetit të Rrëshenit.

Dyshimet janë se vrasja është kryer për hakmarrje në vijim të një sage krimesh që kanë goditur ndër vite qytetin e Rrëshenit.

 

l.h/ dita

Share This Article
1 Comment
  • Me keto lloj pushkesh te precizionit te larte dhe te pajisura me sistem shenimi perfekt, nuk eshte e thene te jesh pa tjeter profesionist per ta realizuar me sukses goditjen ndaj objektivint!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *