Vrasja në Gjykatën e Lezhës, 4 vjet pa autor. Kërcënohet bashkëshortja e viktimës

redaktor

Ishte 14 tetori i vitit 2011.

Endri Betaj doli atë mëngjes nga shtëpia pas një telefonate, për të mos u kthyer më kurrë i gjallë.

Bashkëshortja e tij Y. kishte pak ditë që sapo kishte mbushur 20 vjeçe, djali i vetëm L., ishte vetëm një foshnje 3 muajsh.

Për shkak të rrethanave, mund të konsiderohet një nga krimet më të rënda të dekadës së fundit në Shqipëri.

Endri Betaj, 33 vjeç, u qëllua për vdekje brenda në Gjykatën e Lezhës, ku kishte shkuar për të asistuar në një proces gjyqësor.

Një proces ku 33 vjeçari nuk ishte as palë.

DITA takoi dje bashkëshorten e tij, sot 24 vjeç dhe vogëlushin L. sot 4 vjeç.

Megjithëse një nga ngjarjet më të bujshme në vend, as Y. as familjarët e bashkëshortit të saj nuk kanë dalë në media as në kohën e vrasjes e as më vonë.

Ata kanë 4 vjet që presin drejtësi, por nuk ka një të dënuar, apo një autor për këtë krim me shumë dëshmitarë, përfshirë personelin e Gjykatës.

4 vjet pas ngjarjes dhe pritjes së gjatë besimi i Y. duket i thyer.

Nuk kam dashur të dal në media, pasi kjo çështje duhej të mbyllej nga drejtësia. Rrethanat kanë qenë flagrante. Është absurde që për një ngjarje që ka ndodhur brenda një institucioni drejtësie të mos bëhet drejtësi. Por koha kalon, dhe jo vetëm drejtësi nuk u bë, por unë dhe djali im L., jemi të rrezikuarit e radhës…” – thotë ajo.

Edhe pse e re në moshë kur ndodhi krimi, e vetme dhe me një fëmijë të vogël, me ndihmën e familjes së saj, Y. tentoi dhe gjeti forcën të riniste jetën. Energjinë mbi të gjitha ia jepte prania e djalit…

Ditët e para pas krimit kanë qenë të rënda, thuajse të papërballueshme. E mbetur vetëm me djalin e saj 3 muajsh, i duhej të udhëtonte shpesh nga Tirana për në Lezhë për të ndjekur nga afër ecurinë e procesit.

E kuptova që në fillim që i gjithë procesi po manipulohej. Në atë kohë kam kërkuar ndërrimin e prokurorit të çështjes me një letër drejtuar Prokurores së Përgjithshme të asaj kohe, Ina Rama. Sipas meje ai vetë ka zhdukur prova të ngjarjes”.

Në fakt Prokurori liroi tre nga të akuzuarit për atë ngjarje, pikërisht me këtë motivacion: Mungesë provash.

Atë që nisi Prokuroria e mbaroi Gjykata. Një vit e gjysmë pas ngjarjes, Gjykata e Laçit shpalli të pafajshëm edhe Dritan Lorencin dhe Alban Dedën, dy të arrestuarit e tjerë për vrasjen e 33-vjeçarit.

Dritan Lorenci ka qenë polic rrugor në momentin e ngjarjes.

Këtu rrethanat e ngjarjes bëhen shumë të rënda.

Dëshmitarë në vendngjarje na thanë ne familjarëve të viktimës që polici në fjalë i ka dalë përpara Endrit gjatë rrëmujës në Gjykatë. Duke parë që ishte polic, bashkëshorti im është dorëzuar sepse nuk ishte lidhje me procesin gjyqësor as me sherrin që shpërtheu në sallë mes palëve...” – thotë Y.

Endri nuk e dinte që polici në fjalë ishte bashkëshort i sekretares së Gjykatës dhe kjo e fundit ishte motra e personit – palë në atë proces.

Atë që ndodhi më pas, gjyqi nuk e sqaroi.

Por sipas materialeve gjyqësore, vrasja e Endri Betajt është bërë kur ai ka qenë në prangat e policit të cilit iu dorëzua. Dhe sipas raportit mjeko-ligjor, shkaku i vdekjes është shtrëngimi në fyt dhe mbytja.

Gjatë procesit, Prokuroria kërkoi deklarimin fajtor dhe dënimin përkatësisht me 18 vite burg për policin rrugor Lorenci dhe 15 vite për të arrestuarin tjetër Alban Deda të akuzuar për vrasje në bashkëpunim të 33-vjeçarit Bejtja.

gjykata-lezhe-foto-epergjakshme-320x241
Gjykata Lezhë

Të gjithë dëshmitarët e thirrur për të dëshmuar, si punonjës gjykate, efektivët e policisë që ruajnë gjykatën dhe persona të pranishëm në momentin e ngjarjes, deklaruan se… nuk panë asgjë.

Në vendngjarje janë gjetur 17 gëzhoja dhe pistoleta, të cilat iu nënshtruan ekspertizës kriminalistike. Duket sikur armët janë shkrepur vetë.

Edhe filmimet e kamerave të sigurisë janë zhdukur. Në gjyq u tha se atë ditë ato nuk punonin.

Ngjarja që tronditi asokohe vendin sot është pa autor për “mungesë provash” megjithëse në sy të shumë dëshmitarëve mbeti i vdekur Endri Betaj, ndërsa katër të tjerë u plagosën.

Pesë shtetasit e arrestuar Alban Deda, Viktor Bershimi, Ermal Lulasha, Sokol Sejdiaj dhe Mëhill Ndreu (ish kreu i PD-së së Lezhës) sot janë të lirë.

Pas lirimit që në fazën hetimore të tre prej të ndaluarve dhe lirimit të dy të tjerëve nga Gjykata më pas, familjarëve të Endrit nuk u mbeti gjë tjetër veçse të hidhnin në gjyq Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Y., e cila është diplomuar për Jurisprudencë dhe ka një master në Të Drejtën Penale thotë:

Nuk e kuptoj se kush mund të të mbrojë përveç policisë, në një institucion si Gjykata. Dhe sipas raportit mjeko-ligjor, bashkëshorti im ka qenë i lidhur me pranga kur është vrarë. Ai nuk ka pasur mundësi as të vetëmbrohet. I ishte dorëzuar një polici. Mosreagimi i pjesës tjetër të policisë është flagrant. Krimi i tyre vazhdon edhe më tej me mos rrëfimin në lidhje më këtë ngjarje. Ata janë thirrur dëshmitarë edhe në gjykatë për të dëshmuar edhe janë shprehur që nuk dinë gjë. E rrallë kjo. Ata kanë qenë aty dhe panë gjithçka, si mund të mos dinë gjë! Është skandaloze dhe e padurueshme”.

Për këtë proces të dytë gjyqësor të hapur nga familjarët që në 2013, nuk ka ende një vendim.

Policia deklaroi fillimisht se ngjarja ka ndodhur në oborrin e Gjykatës, jo brenda sallës dhe më pas palët janë përfshirë në konflikt në ambientet e brendshme. Por nga pamjet e realizuara në sallën ku është mbajtur seanca gjyqësore dhe të transmetuara në TV, dallohet qartë përgjakja brenda saj. Burime të Policisë së Lezhës nuk bënë të ditur detaje rreth deklaratës që ka bërë efektivi i policisë në këtë ngjarje, por as motivi i përfshirjes së tij me të shtëna armësh.

Me të dyshuarit për vrasje të lirë dhe me një fëmijë për të rritur, për Y. gjërat u vështirësuan shumë.

Kjo vrasje nuk ka ende një autor, edhe pse kam pasur një proces gjyqësor me policinë, i cili edhe ky zvarritet dhe nuk ka një vendim përfundimtar. Gjatë gjithë kësaj kohe jam ndjerë e kërcënuar. Kohët e fundit jam ndjerë e kërcënuar nga persona me të cilin punonte bashkëshorti im dhe persona të tjerë që unë nuk i njoh. Kam tentuar të bëj denoncime në polici, kam shkuar në komisariat, dy herë, dhe atje jam zvarritur për justifikime banale. Nuk di më çfarë të mendoj nëse është e qëllimshme apo jo. Kjo më shtoi pasigurinë dhe mosbesimin”.

Historia e Y. nuk mbyllet këtu.

E gjendur e vetme, ajo merr një vendim vërtet kurajoz. Juristja e re vendos të bëhet vetë punonjëse policie dhe regjistrohet në kursin 6 mujor të policisë së shtetit në Akademinë e Policisë.

“Një nga arsyet në fakt, që u futa në polici, ishte edhe si rrjedhojë e historisë që kisha përjetuar. Doja të bëhesha një shembull për uniformën dhe respektin që gjithkush duhet të ketë ndaj saj, kur e vesh. Përpara 6-muajsh u punësova si punonjëse e policisë…”.

Por edhe kërcënuesit e saj bënë lëvizjet e tyre.

Një muaj më parë kthehesha me makinën time në shtëpi pas përfundimit të turnit të natës. Persona të panjohur nga ana ime, më dolën përpara makinës në afërsi të shtëpisë. Ndalova. Më thanë të heq dorë nga këto që po bëj e të mos kërkoj më të hap procese gjyqësore. Më përmendën djalin. Më fyen dhe u larguan. Jam ndjerë shumë keq, doja t’i jepja vetes forcë, por në fund kalova një tjetër natë pa gjumë duke qarë me veten time…”.

Pas kësaj Y. e la punën, dorëzoi armën dhe uniformën dhe praktikisht jeton e izoluar. Ndihet e frikësuar jo vetëm për vete, por edhe për djalin, i cili më përcjell me sy ndërsa largohem me çantën dhe aparatin tim fotografik…

E.Resuli / Dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *