Vrasja në ish-Bllok, ja se si vrasësi shmangu pesë kamera vëzhgimi

redaktor

Hetimet e zhvilluara prej katër ditësh kanë dështuar të identifikojnë autorin e vrasjes së ish­policit rrugor Ajet Zeqaj, që u ekzekutua në zonën e ish­ Bllokut në Tiranë, më 16 mars, në mbrëmje.

Autori i atentatit duket se ka qenë një profesionist i vërtetë në veprimet që ka kryer, pasi ka lënë armën e krimit në vendin e ngjarjes, por nuk ka lënë asnjë shenjë dalluese.

Po kështu, zona e zgjedhur për të kryer atentatin ka qenë në errësirë dhe e pambuluar nga kamerat e sigurisë të bizneseve private në zonë.

Burime nga Prokuroria dhe Policia e Tiranës kanë thënë se grupi i hetimit ka dyshime se vrasja është kryer nga “vrasës me pagesë”.

Përgjatë tri ditëve, hetuesit kanë verifikuar dhe kanë kthyer disa herë pamjet e kamerave filmike të marra nga 12 biznese në krejt zonën ku ndodhi ngjarja. Vetëm njëra prej kamerave ka fiksuar lëvizjen e autorit të krimit në 3­4 metra të itinerarit të tij, teksa largohet nga vendi i ngjarjes.

Asnjë kamera tjetër nuk përmban pamje të autorit të krimit. Edhe ajo kamerë që ka kapur segmentin e lëvizjeve së autorit nuk ka pamje identifikuese pasi personi duket në gjysmëerrësirë, mban kapele me strehë në kokë dhe nuk mund të identifikohet.

Dyshohet se autori ka shmangur zonën e ekspozuar në kamera pasi e ka studiuar mirë për disa ditë terrenin ku do të vepronte.

Arma e krimit, një pistoletë “Beretta” 9 mm, e lënë në vendngjarje, nuk rezultoi të kishte asnjë gjurmë dhe nga krahasimet e bëra deri tani nuk përputhet me asnjë ngjarje kriminale të mëparshme./ Panorama

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *