Një 33-vjeçar i shpallur në kërkim për vrasje është arrestuar ditën e djeshme nga Policia e Durrësit. Erian Muharremi, 33 vjeç, banues në Manëz, kërkohej me urdhër gjykate, pasi ishte dhënë masa në mungesë “arrest në burg”, për vrasjen në bashkëpunim të Festim Lames vitin e kaluar në një lokal nate. Policia e Shijakut bëri dje me dije se kapja u krye pas operacionit të koduar “Në fillim të vitit”. Për të dyshuarin, edhe Gjykata e Apelit, më 3 shkurt, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”. Bashkë me dy të arrestuarit e tjerë, Baki Huqi dhe Alfred Gjoka, Muharremi ka marrë pjesë në vrasjen e ndodhur në muajin shtator në Manëz, ku krimi erdhi pas një sherri banal për një prej balerinave të lokalit dhe konsumit të tepërt të alkoolit. Po dje u kap edhe i kërkuari Elger Nista, 23 vjeç, banues në Shijak, të cilin Gjykata e Durrësit e kishte dënuar më 15 nëntor 2012, me 3 vjet, 1 muaj e 27 ditë burgim në mungesë për prodhim e shitje droge.