Policia e Shkodrës ka zbardhur detajet e para lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur paraditen e sotme në fshatin Golem, pranë varrezave të zonës.
Mësohet se Angjelin Shkami është ekzekutuar me armë zjarri teksa dilte nga varrezat me mjetin e tij tip “Benz”. Deri tani autorët janë të paidentifikuar, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur tre gëzhoja pistolete.
“Me datë 17.12.2017, rreth orës 11:10, Salla Operative është njoftuar se në rrugën që të çon tek varrezat e “Stom Golemit”, një person në një makinë, është pa shenja jete. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku kanë konstatuar se në mjetin tip “Benz” me targa AA 275 BF , ndodhej trupi i pajetë i shtetasit A.Sh. 32 vjeç, banues në Shkodër, i vrarë me armë zjarri nga persona akoma të paidentifikuar. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit ndodhet në vendin e ngjarjes ku po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar tre gëzhoja pistole. Janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve. Në mbështetje të veprimeve që po kryhen nga D.V.P. Shkoder për kapjen e autorëve, janë edhe grupe të FNSh-së”, sqaron policia paraprakisht.
