Vrasja nuk njeh më kufij e kontinente

redaktor

I nderuar z.Thano!

Fjala “solidarizim” të them të drejtën më jep një ndjesi jo të këndshme. Është përmendur kaq shpesh, sidomos para viteve 90-të, sa më është pështirosur. Sinqerisht e me dhimbje dëgjuam për ekzekutimin e qindra njerëzve të pafajshëm në Paris. Qindra krijesa humbën jetën në një mllef arkaik kriminal që na sjell në mendje kohën po aq kriminale të kryqëzatave të famshme në vendet e lindjes.

Të marrësh një jetë në emër të “atij” që e ka dhënë atë, është krim e sakrilegj në të njëjtën kohë. Vrasja nuk njeh kufij e kontinente. Në thelb ajo është krim global. Po të mundohesh të bësh dallim mes vrasjes se një europiani me atë të një afrikani është një padrejtësi biblike. Nuk mendoj kurrsesi që humbja e jetës së një të kamuri është më tragjike se ajo e një varfanjaku. Vrasja ka një fytyrë. Fytyrën e përçudnueshme të marrjes padrejtësisht të një jete njeriu kudo në botë. E ajo, vrasja, është gjëja më e urryer e kësaj bote. Kudo e nga kushdo të shkaktohet e në emër të çdo lloj krijese tokësore apo hyjnore ajo është e zezë si vetë simboli i saj. Këtë duhet ta kuptojë çdo qenie njerëzore, europian, amerikan, afrikan apo arab qoftë.

Marrja e jetës së njeriut nga njeriu është globale ndaj edhe dënimi duhet të jetë i tillë. Nuk mund dhe nuk duhet të justifikohet nga asnjë lloj kombi e nga asnjë lloj arsyetimi. Ajo dhemb njësoj dhe duhet luftuar fort e me kurajë nga të gjithë. Ndryshe do të jetë një betejë që s’mund të fitohet kurrë siç nuk është fituar ndër shekuj. Keqardhje të thellë e trishtim të sinqertë për jetët e humbura.

 

Letër e nënshkruar

Muharrem Fishku

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *