Një shqiptar është arrestuar në Greqi me akuzën e vrasjes së një çifti të moshuarish. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Ktizmata të Janinës, kur një shqiptar 30 vjeç është vënë në pranga, ndërsa me vete i është gjetur edhe një granatë. Sipas policisë greke, i arrestuari i ka pranuar krimet e kryera mbrëmë dhe ka bërë të ditur se para 3 muajsh është arratisur nga burgu i Nafplios, ku vuante dënimin për vjedhje. Sipas informacioneve, i arrestuari ka qenë nën ndikimin e drogës.
Vrasja e dyfishtë
Një çift të moshuarish 72 dhe 73 vjeç janë gjetur të vrarë në shtëpinë e tyre në fshatin Ktizmata të Janinës. Dy viktimat ishin rrahur për vdekje, ndërsa më pas autori kishte grabitur edhe kamionçinën e tyre. Ndërkohë, në të njëjtën zonë është raportuar një grabitje në kafenenë e fshatit, pak pas vrasjes së dyfishtë. Një person, që sipas dëshmive të fshatarëve ishte shqiptar, hyri në kafene, duke mbajtur në duar dy granata. Ai u largua pasi rrëmbeu dy telefona celularë dhe një kuletë. Pronari i kafenesë dhe tre burra ndoqën, por ai hodhi një granatë, e cila për fat të mirë nuk shpërtheu dhe pastaj u largua në errësirë. Pas kësaj hyri në shtëpinë e një 63-vjeçareje dhe duke e kërcënuar i mori para. Teksa largohej me makinën e vjedhur, autori i grabitjeve e ka përplasur atë në një mur dhe e ka braktisur. Makina e të moshuarve u gjet më vonë në Janinë.
