Një ditë para 10-vjetorit të vrasjes së katër protestuesve në bulevardin para Kryeministrisë, Policia i ka dërguar një kërkesë shkresore Prokurorisë së kryeqytetit.
Kërkesa ka 7 pika.
- Të bëhet rieksperimenti hetimor për caktimin e drejtimit të qitjes për vrasjen e shtetasve Aleks Nika dhe Hekuran Deda, si dhe plagosjen e shtetasve Fatos Mahmutaj, Sokrat Gode, Erald Bisha, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.
- Të bëhet rieksperitimi i predhës së gjetur dhe sekuestruar nga trupin e viktimës, Aleks Nika, kjo duke i kërkuar Institutit të Policisë Shkencore nëse shkenca dhe teknika kriminalistike ekzaminuese ka përparuar.
- Të bëhet ripyetja e personave që kanë dijeni, kryesisht ish-efektivë dhe efektivë të Gardës, të planëzuar me shërbim në datën 21 janar 2011.
- Ripyetja e personave pjesëmarrës në tubim, të afërm të viktimave si dhe persona dëshmitarë që kanë qenë pranë viktimave nëse kanë mësuar ndonjë të dhënë të re me interes për hetimin.
- Të bëhet rikëqyrja e pamjeve filmike të tubimit të datës 21 janar 2011 duke u fokusuar konkretisht në vrasjen e shtetasve Ziver Veizi, Aleks Nika dhe Hekuran Deda, si dhe plagosjen e shtetasve Fatos Mahmutaj, Sokrat Gode, Erlad Bisha, Artes Dybelli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.
- Të kërkohet me anë të shkresës zyrtare në Institutin e Policisë Shkencore Tiranë nëse ka laborator për ekzaminime kriminalistike në vendet e Bashkimit Europian ose jashtë saj, në gjendje të ekzaminojnë predhën e nxjerrë nga trupi i Aleks Nikës.
- Si dhe veprime të tjera që mund të dalin nga kryerja e detyrave të mësipërme.
Shkresa e policisë ka mbërritur në prokurori pak minuta përtej përfundimit të orarit zyrtar të së mërkurës dhe pritet të merret në shqyrtim këtë të enjte.
Kalimi i dosjes “21 janari” në të tre shkallët e gjyqësorit përfundoi me dënimin e ish-kreut të Gardës, Ndrea Prendi, me 1 vit burg dhe gardistit Agim Llupo, me 3 vjet burg, për “vrasje nga pakujdesia” të Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit.
j.l./ dita
