Vrasjet në Dallas dhe dhuna e paragjykimit

redaktor

Nga Rafael Floqi

Michigan, USA

 

Vrasjet masive të 5 policëve në Texas të bëjnë të mendosh për një thënie të shfaqur së fundi në rrjetet sociale, një paragjykim social- urban sa i dhimbshëm dhe i vërtetë, ku thuhej “Kur ndodh një vrasje masive, nëse autori është i bardhë thuhet është me probleme mendore, nëse është me ngjyrë është kriminel dhe nëse është mysliman, është terrorist”.

Por fatkeqësisht, ende nuk është gjendur ndonjë përgjigje e gatshme për mënyrën se si mund t’i jepet fund këtij cikli të gjakderdhjesh, këtyre imazheve zemërvrasëse të Luizianës, Minesotës dhe Teksasit e një vendi në vështirësi e të dëshpëruar, me kaq shumë dhimbje për të zbutur, me kaq inat për të pastruar shpirtin dhe kaq padrejtësi për t’u përballur. Pasi paragjykimet ende vrasin.

Amerikanët edhe pse kanë cekur Jupiterin ende nuk kanë një zgjidhje për mënyrën se si duhet ta përjetojmë atë çka ka ndodhur, për nxitimin me të cilin ne tregojmë me gisht fajtorin. Marrja e mendimeve te drejta është vendimtare, dhe një shpresë të vërtetë për të gjetur një rrugëdalje. Marrja e vendimeve të gabuara do të na çojë gjithnjë më larg mundësive për zgjidhje.

“Ne kemi hapur disa llogore separatizmi dhe jemi vendosur nëpër pozicionet tona”, tha Malik Aziz, zëvendës shefi i policisë së Dallasit, në një intervistë me CNN të premten, pas vrasjes së 5 policëve nga ish ushtaraku i zemëruar me ngjyrë. “Ditët si e djeshmja apo ajo e një ditë më parë – nuk duhet të ndodhin. Por, e dhe kur të ndodhin le të tregohemi qenie njerëzore. Le të jemi burra dhe gra të nderuara dhe të ulemi në një tavolinë dhe të themi: Si mundëm ta lejojmë që një gjë e tillë të ndodhi përsëri? Dhe duhet të jemi të sinqertë në zemrat tona. Ne jemi duke dështuar në të gjitha anët për ta zgjidhur këtë gjë “, përfundoi ai, duke shprehur një ndjenjë të shqiptuar njëzëri, si nga zyrtarët publikë zezakë dhe të bardhë, demokratë dhe republikanë, në fjalimet e tyre të paraqitura me te njëjtin fjalor.

Të veçuar, dhe të ndarë: Sa herë i kemi dëgjuar këto fjalë dhe variante të tyre, një raport për Amerikën si një mallkim nga një paragjykim i pashmangshëm. Ne nuk mund të vazhdojmë të biem në të njëjtat kurthe të vjetra partiake, të së drejtës për të mbajtur armë apo kontrollit të armëve. Dy ngjarjet me të shtëna masive dëshmuan se në Orlando u qëllua me armën e shërbimit dhe dyti qe një veteran me armë me leje.

Amerikanët nuk mund të vazhdojnë të nxjerrin konkluzione të nxituara, lidhje të gabuara, të paparashikueshme. Madje, ka pasur një përsëritje zërash se pas vrasjeve të pesë policëve në Dallas natën e së enjtes qëndronte dhe se ky ishte fryti dhe faji i lëvizjes “BlackLivesMatter” (Jetët e zezakëve vlejnë) dhe se thirrjet kundër sjelljes së keqe të policisë barazoheshin me veprimet e mira të saj.

Ky ishte një interpretim me dashje selektiv i ngjarjeve. Ai injoron faktin se snajperi i ka vepruar vetëm, jo si emisar i ndonjë grupi. Ato injoronin faktin sesi protesta në Dallas ka filluar paqësore dhe  me qetësi e ajo vazhdoi deri u dëgjuan shtëna nga jashtë. Njerëz me ngjyrë dhe të bardhë qëndruan së bashku. Civilë dhe policët qëndruan së bashku.

Por racizmi nuk është vetëm i bardhë, duhet thënë. Mosbesimi është i dyanshëm. Këtu është e keqja. Reagimi i policisë mund të ketë qenë krejtësisht i anshëm, i dënueshëm, i nxitur nga instinkti i mbrojtjes së jetës dhe koha e shkurtër e vendimmarrjes. Vërtet duhen marrë hapat e duhur në drejtësinë penale, në trajnimin e policisë, në shkolla, në diskursin publik.

Ka zëra që kërkojnë të ndezin zjarre. Ka edhe të tjerë që nuk e bëjnë këtë gjë, përkundrazi. Zëvendës shefi i policisë Aziz, i cili është gjithashtu me ngjyrë, duke iu referuar rasteve në mbarë Amerikën të shprehjes se forcës së tepruar të policisë, tha: “Ne duhet të mbajmë përgjegjësitë tona, ndaj dhe ne kemi një sistem të drejtësisë penale për të. Por, me rëndësi të barabartë, “duhet një dialog i vërtetë me komunitetin”.

Të veçuar dhe të ndarë: Këto fjalë më kumbojnë përsëri. A janë ato mallkimi i Amerikës? A duhet të jenë ato fati i amerikanëve? Dialogu duhet të fillojë nga të dy anët.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *