Dy prej tre autorëve që u përfshinë në një masakër në Kaliforni janë qëlluar për vdekje me armë nga forcat e policisë.
Në aksion kundër tyre është angazhuar edhe FBI-ja përveç policisë lokale.
Sulmi ndodhi në një qendër mjekësore për persona me aftësi të kufizuar në Sam Bernandino, duke lënë pas të paktën 14 persona të vdekur dhe shumë të tjerë të plagosur.
David Bowdich nga FBI ka konfirmuar se pas shkëmbimit të zjarrit me personat brenda një makine të zezë kanë mbetur të vrarë dy të dyshuar si autorë të ngjarjes, një mashkull dhe një femër.
Sipas tij, të dy ishin të armatosur dhe kishin veshje të errëta, ndërsa të parët kanë shtënë në drejtim të oficerëve të policisë duke mos iu përgjigjur urdhrit për dorëzim.
Policia amerikane ka arrestuar edhe një person të tretë për rastin, identiteti i të cilit nuk dihet ende, ndërsa nuk ka të dhëna nëse është përfshirë direkt në sulm. Ndërkohë, një mjet eksploziv dyshohet se gjendet brenda ndërtesës së sulmuar.
Bowdich ka thënë se është ende herët për të thënë nëse ky akt është një sulm terrorist. “Ende nuk mund të flasim me siguri nëse ky ishte një akt terrorist, por ekziston mundësia se ka qenë i tillë. Por, për ta konfirmuar duhet të presim që të përfundojmë të gjitha hetimet e nevojshme”, deklaroi ai. /Dita/
