Vrau burrin e të dashurës, kërkohet burg i përjetshëm

redaktor

Shkon drejt fundit procesi gjyqësor për krimin e pasionit të ndodhur në Mallakastër, më 13 janar 2014. Prokuroria e Fierit kërkoi dje dënimin me burgim të përjetshëm për Emiljano Yzeirajn, i akuzuar për “vrasje me paramendim” të Jetmir Lazajt, në fshatin Kalenjë. Gjatë hetimit dhe procesit gjyqësor ka rezultuar se viktima është qëlluar me sëpatë, e cila i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Kurse shkak i vrasjes ishte fakti që autori kishte një lidhje intime me bashkëshorten e viktimës dhe Lazaj ishte pengesë për vijimin e kësaj lidhjeje jashtëmartesore. Gjykata e Fierit i la kohë palës mbrojtëse që të përgatisë konkluzionet për seancën e radhës, para se të japë verdiktin ndaj Yzeirajt. I pandehuri nuk e ka pranuar asnjëherë krimin gjatë procesit, duke kërkuar pafajësi.

Prokuroria konstatoi gjatë hetimeve të kryera se Emiljano Yzeiraj ka kërkuar që të takojë viktimën Jetmir Lazaj më datë 13 janar 2014, por i pandehuri e ka mohuar se e njeh viktimën dhe që të jetë takuar. Ndërsa rezulton se Emiljano Yzeiraj ka njoftuar të dashurën Marsela Lazaj (gruan e Jetmirit), se “kishte ardhur budallai” në Aranitas, duke shfaqur përçmim ndaj tij. Yzeiraj, pasi ka kryer veprën penale, i ka fshirë të gjitha fotografitë dhe mesazhet e dërguara nga Marsela Lazaj, por këto janë gjetur pas një ekspertimi të kryer. Ndërsa pas krimit të kryer, nga ora 17:50 dhe në vijim, i arrestuari nuk ka komunikuar më me Marsela Lazajn. Në mesazhe dhe telefonata, i pandehuri Yzeiraj i kërkonte me këmbëngulje që të ndahej nga bashkëshorti dhe të vijonin lidhjen seksuale së bashku. Kurse Marsela refuzonte duke i thënë se ishte e martuar dhe me fëmijë.

Emiljano Yzeiraj është parë ditën e ngjarjes nga Isa Avdulaj rreth orës 14:40, në vendin e quajtur “Thana e Vogël”, ku do të kalonte më pas Jetmir Lazaj dhe pasi e ka parë bashkëfshatarin ai është larguar për të mos rënë në sy. Kurse dëshmitari Flatun Behaj ka parë “dy persona të cilët njiheshin dhe po bisedonin, ku personi që po ecte në këmbë mbante në dorë një sëpatë jo shumë të madhe, kishte lëkurë të bardhë, flokë të zeza, me balluke të ngritura lart, mbante veshur një bluze me ngjyrë jeshile të zënë, i cili ishte më i ri se viktima Jetmir Lazaj, rreth 19-20 vjeç dhe kishte një gjatësi rreth 170-175 centimetra”, të dhëna të cilat përputhen plotësisht me karakteristikat e të pandehurit. Plagët janë shkaktuar nga sëpata, 3 goditje në kokë dhe të dhënat e ekspertimit përputhen përputhen me të dhënat teknike të sëpatës së sekuestruar në banesën e Bledar Yzeiraj.

Dëshmitë në gjykatë provuan se Yzeiraj jo vetëm e njihte viktimën Lazaj, por “ka improvizuar edhe një situatë normale bisedash dhe gallate (lojë), ndërkohë që e përçmonte, duke treguar karakterin kriminal dhe qetësinë shpirtërore paraprake të një vrasësi gjakftohtë”. Kurse dëshmitari i fundit, Bilbil Beqiraj, para se të afrohej tek vendi ku ka gjetur të vdekur Jetmir Lazaj, ka parë një djalë duke ikur me vrap në drejtim të fshatit Aranitas, ku banon i pandehuri Yzeiraj.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *