I shpëton burgimit të përjetshëm 53-vjeçari që vrau gruan e tij se nuk e respektonte dhe donte ta përzinte nga shtëpia. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dhënë dje pretencën në Gjykatë, duke kërkuar burgim të përjetshëm për të pandehurin Gjin Menga, banues në Derven të komunës Thumanë në Krujë, po për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar pritet të jetë 35 vite burgim. Prokuroria lexoi dje konkluzionet përfundimtare, kurse i arrestuari pranoi akuzat e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” të Liljana Menga dhe “armëmbajtjes pa leje”. Organi i akuzës pranoi kërkesën e avokatit mbrojtës për aplikimin e gjykimit të shkurtuar.
Ngjarja ndodhi më 14 shtator të vitit të kaluar dhe një ditë më pas Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet. Gjin Menga ishte paraqitur në komisariatin e Krujës në orën 09:30 duke u dorëzuar dhe rrëfyer se kishte vrarë bashkëshorten Liljana Menga me armë gjahu. Grupi hetimor verifikoi se në stallën e bagëtive, afër portës, ndodhej trupi i përmbysur i gruas dhe e përgjakur. Dëshmitë dhe provat e siguruara provuan fajësinë e 53-vjeçarit. I pandehuri pranoi akuzat, duke treguar se i kishte kërkuar mëngjesin gruas ditën e ngjarjes dhe ajo e ka kërcënuar se do e dëbonte nga shtëpia dhe se po priste djemtë. Menga i është përgjigjur që të mos e prishte familjen. Por Liljana ka shkuar dhe marrë armën e gjahut, duke futur fishekun e çiftes në grykë dhe ia ka drejtuar bashkëshortit të saj. Por arma nuk ka mundur të shkrepë, pasi ishte në siguresë. Në atë moment i pandehuri ia ka marrë çiften nga duart dhe viktima ka dalë jashtë banesës duke bërtitur se do të shkonte në polici. E ka ndjekur nga mbrapa, duke e goditur me çiften që mbante në duar, por viktima nuk është rrëzuar pasi arma ishte e mbushur me saçma për zogjtë. Viktima është drejtuar për nga stalla e bagëtive, aty ku 53-vjeçari mbante armën automatike tip “Kallashnikov” dhe ka tentuar të mbyllë derën nga brenda.
I pandehuri e ka shtyrë derën megjithë forcën e tij dhe viktima është përpjekur të marrë automatikun në një fuçi druri. Në këto momente, Menga e ka goditur disa herë në kokë me tytën e armës së gjahut. Më pas me armët dhe fishekët në dorë ka shkuar në polici për t’u dorëzuar. Menga ka treguar se me gruan ka pasur konflikte të vazhdueshme në çift dhe kohët e fundit nuk e respektonte fare, duke e kërcënuar se do e përzinte nga shtëpia. Edhe familjarët dhe të afërmit e çiftit kanë konfirmuar në dëshmitë e tyre se kishin konflikte edhe për shkak të kushteve të këqija ekonomike. Kurse një nga djemtë ka dëshmuar se babai ishte nevrik dhe herë pas here dhunonte viktimën fizikisht. Në përfundim të gjykimit, bazuar në këto prova, prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm, por sipas nenit 406/1, me gjykim të shkurtuar, dënohet me 35 vite burgim.
