Një borxh i vjetër prej 100 mijë dollarësh ka futur në një sherr të përgjakshëm dy shokë, aq sa atij që kishte dhënë huan i është dashur ta vrasë me plumb në kokë.
Një vit pas atentatit të ndodhur më 26 janar 2014 në fshatin Omaraj të Malësisë së Madhe, ku humbi jetën Florjan Stërkaj, policia e Shkodrës njoftoi se ka arrestuar të kërkuarin si autor, Pal Prroni, banues në fshatin Grudë e Re.
Agjentët kishin marrë informacione se 47-vjeçari fshihej në banesën e tij pasi ishte kthyer nga jashtë vendit.
Pas disa ditësh gjurmimi dhe sigurimit të provave se ishte pikërisht i kërkuari, Prronit i janë vënë prangat pa asnjë rezistencë. Ai kishte mundur të arratisej pas krimit, por identifikimi i tij u bë nga dëshmitarët që panë vrasjen në lokalin buzë rrugës kryesore.
Arrestimi i Prronit
“Gjykata e Rrethit Shkodër, me vendimin Nr. 229, datë 8 shkurt 2014, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj Pal Prronit, për veprën penale të “vrasjes me dashje” dhe “armëmbajtjes pa leje”, pasi dyshohet se është autor i vrasjes së Florjan Sterkaj, 34 vjeç”, njoftoi Policia e Shkodrës ditën e djeshme.
Mësohet se Prroni ka qenë i vetëm kur ka kryer krimin dhe ngjarja erdhi pas një sherri të çastit për shkak të refuzimit të dhënies së borxhit nga viktima.
Aktualisht prokuroria do të marrë në pyetje të dyshuarin për të treguar rrethana apo detaje të tjera për shkaqet që e çuan në këtë krim dhe arsyen përse i kishte dhënë borxh viktimës. Mësohet se në momentin e krimit, Stërkaj ka qenë duke ndërtuar një shtëpi afër vendngjarjes.
Krimi dhe shkaku
Krimi u shënua mesditën e 26 janarit të vitit të kaluar, në një lokal në fshatin Omaraj të komunës Gruemirë.
Dy shokët kanë lënë takim në lokal për të diskutuar për borxhin e vjetër 100 mijë dollarë që Stërkaj duhet t’i kthente Prronit. Babai i një vajze të mitur ka qenë duke pirë kafen në lokal i vetëm kur aty ka ardhur edhe 47-vjeçari nga Gruda e Re.
Sipas dëshmive të klientëve të lokalit, mes dy personave në fillim ka pasur bisedë normale. Më pas, kanë përdorur sharje dhe fyerje. Pas kësaj situate, autori ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë që mbante në brez dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të 34-vjeçarit Stërkaj, ky banues në Koplik, i cili ka marrë një plumb në kokë dhe një në krah.
Autori është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa Florian Stërkaj është dërguar nga klientët e lokalit në gjendje të rëndë në spitalin e Shkodrës.
Pavarësisht ndërhyrjes kirurgjikale, nuk ka mundur t’u shpëtojë plagëve dhe rreth orës 18:30 të po asaj dite, ka ndërruar jetë.
