Interpol Tirana ekstradoi dje rreth orës 17:00 nga Roma drejt Shqipërisë, të kërkuarin Lefter Keçi, 29 vjeç, nga Shijaku. Gjykata e Rrethit Durrës, me vendim të datës 16 korrik 2011, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje”, e kryer në bashkëpunim. Lefter Keçi dyshohet se në bashkëpunim me Euxhen Muka, më 5 qershor 2011, rreth orës 13:30, ka vrarë me armë zjarri pistoletë të dashurën e tij Rolanda Kaja, trupi i pajetë i të cilës është gjetur pesë ditë më pas, në një kanal uji përgjatë rrugës për në Ishëm. Policia kishte ndaluar pas krimit si të dyshuar Euxhen Mukën, 26 vjeç, ndërsa më pas u shpall në kërkim edhe bashkëpunëtori Keçi. Nga hetimet e kryera rezultoi se viktima ishte rrëmbyer, keqtrajtuar dhe madje i ishte injektuar mbidozë droge. Ndërsa sipas ekspertizës mjeko-ligjore, është qëlluar edhe me pistoletë. Shkak për krimin ishte xhelozia e Rolandës për Keçin dhe borxhi prej 20 mijë eurosh që ajo pretendonte se ai i kishte nga puna e saj e ushtrimit të prostitucionit për llogari të tyre. Keçi u kap më 21 prill 2012 në qytetin e Parmës në Itali, me qëllime ekstradimi.