Ekzekutohet në verandën e shtëpisë së vëllait të tij, teksa festonte një sebep familjar, i deportuari si emigrant i paligjshëm nga Belgjika. Krimi ka ndodhur orët e vona të mbrëmjes së premte në fshatin Tërvol të Gramshit, kurse 37-vjeçari Përparim Duzha është dërguar pothuajse i pajetë në spitalin e qytetit.
Sipas mjekëve, ai ka pasur një plagë me armë zjarri në kokë, që i ka shkaktuar vdekjen. Mbrëmjen e djeshme, pas shoqërimit të anëtarëve të një familjeje të dyshuar me të cilën Duzha kishte pasur konflikt pak ditë më parë, policia vendosi të arrestonte si të dyshuar për vrasjen babain dhe 2 djemtë e tij.
Të ndaluarit janë Selman Hoxha, 63 vjeç, Fiqiri Hoxha, 43 vjeç dhe Edmond Hoxha, 29 vjeç, banues po në fshatin Tërvol. Kurse si prova u janë sekuestruar 4 automatikë, 3500 fishekë, granata dhe ndezës. Policia tha se motivet e krimit janë banale, pasi disa ditë më parë viktima ka rrahur bashkëshortët Hoxha në fshat pas një sherri.
Ngjarja
Krimi ka ndodhur në një moment kyç, pasi familja Duzha po bënte një darkë familjare. Përparimi ka qenë i ftuar tek shtëpia e vëllait të tij. Autorët kanë guxuar, duke e kryer krimin në sy të familjarëve dhe kjo sipas hetuesve shihet si një shenjë e demonstrimit të hakmarrjes apo larjes së hesapeve. Autorët kanë pritur që Duzha të dilte në verandë dhe teksa po pinte cigare e ka vrarë në befasi, me plumb në kokë. Dyshohet se kanë qenë të fshehur në murin rrethues, ndërsa më herët e kanë telefonuar viktimën. Por mbetet mister biseda deri në zbardhjen e tabulateve nga prokuroria për të mësuar se çfarë është dialoguar. Familjarët thanë se fill pas telefonatës, Përparimi ka dalë në ballkon për të pirë duhan. Nuk dihet nëse personi ia ka kërkuar këtë gjë në formë presioni apo kurthi për ta tërhequr, apo ka qenë një veprim rutinë i viktimës pas telefonatës. Megjithëse Duzha u dërgua me urgjencë në spital, ai nuk mundi të mbijetonte. Policia tha se një muaj më parë Duzha ishte riatdhesuar nga Belgjika, pasi policia e kishte kapur si emigrant të paligjshëm, ku qëndroi për disa vjet. Një nga pistat ishte edhe ajo e larjes së hesapeve për aktivitetin në Belgjikë, apo hakmarrja e mbartur.
Arrestimet
Por duket se nuk ka qenë e vështirë për të ngritur një pistë konkrete me autorë. Të parët janë shoqëruar në komisariat si të dyshuar edhe dy bashkëshortë, banues po në fshatin Tërvol, me të cilët Duzha kishte pasur një sherr disa ditë më parë dhe madje i kishte dhunuar të dy. Policia tha se viktima ka pasur një sherr me familjen Hoxha. Madje i kishte dhunuar ata ditë më parë. Dhe mendohet se në shenjë hakmarrje ata janë kundërpërgjigjur duke e vrarë. Janë ushtruar kontrolle banesash dhe shoqëruar dhjetëra banorë. Ndërsa mbrëmjen e djeshme, u arrestuan edhe 3 autorët e dyshuar të vrasjes, babai dhe dy djemtë e tij. Ata janë Selman Hoxha, 63 vjeç, Fiqiri Hoxha, 43 vjeç dhe Edmond Hoxha, 29 vjeç. U janë gjetur dhe sekuestruar 3 automatikë “Kallashnikovë”, një automatik i vjetër, 10 mijë fishekë automatiku, 2500 fishekë pistolete “TT”, 8 granata difensive. 23 ndezës të unifikuar dhe dy karikatorë automatiku. Gjatë marrjes në pyetje e kanë mohuar autorësinë e ngjarjes, ndërsa armët do dërgohen në laborator për ekspertizë balistike.
Të arrestuarit:
Selman Hoxha, 63 vjeç
Fiqiri Hoxha, 43 vjeç
Edmond Hoxha, 29 vjeç
U sekuestruan:
3 automatikë “Kallashnikovë”
1 automatik i vjetër
10 mijë fishekë automatiku
2500 fishekë pistolete
8 granata defensive
23 ndezës të unifikuar
2 karikatorë automatiku
