Një 39-vjeçar, i kthyer nga Greqia pak kohë më parë dhe që kishte marrë një lokal me qira së fundmi, u ekzekutua mbrëmë teksa po hynte në pallatin ku jetonte. Persona të paidentifikuar qëlluan pas shpine për vdekje disa herë me armë zjarri Nikolin Rrapaj. Ngjarja ndodhi në lagjen “29 Marsi” të qytetit të Patosit, rreth orës 22:00, kur banorët dëgjuan të shtënat e armës. Kur kanë dalë panë të shtrirë përtokë te hyrja e pallatit dhe në një pellg gjaku, 39-vjeçarin Rrapaj. Viktima kishte mbyllur lokalin pas përfundimit të punës dhe po kthehej në banesë.
Menjëherë pas të shtënave u njoftua edhe policia vendore, ndërsa janë nisur edhe një repart i FNSH-ve të Fierit në ndihmë të grupit hetimor. Sipas të dhënave të para të policisë mendohet se bëhet fjalë për një atentat, pasi viktima është qëlluar në hyrje të pallatit dhe autorët e kanë ndjekur, ose e kanë pritur aty. Rrapaj jetonte në katin e pestë të pallatit ku u vra. Autorët kanë përfituar për shkak të errësirës dhe orës së vonë, pasi nuk ka pasur shumë lëvizje në rrugë. Policia shpreson të gjejë kamera të sigurisë së bizneseve në rrugicë që mund t’i kenë filmuar në largim. Paraprakisht mësohet se viktima është qëlluar nga pas shpine, në pritë dhe në befasi, në momentin që po hynte në pallat. Autorët kanë përdorur një pistoletë dhe plagët ishin vdekjeprurëse në trup. Rrapaj është qëlluar disa herë. Policia po verifikon aktivitetin e viktimës, të kaluarën e tij, konfliktet që mund të ketë pasur. Pritet dëshmia e familjarëve dhe të njohurve, për të mësuar më shumë rreth shkaqeve dhe autorëve të mundshëm. Mësohet se Rrapaj nuk kishte precedentë të mëparshëm penalë, teksa hetohet për ndonjë konflikt gjatë ditës së djeshme, ose hesape të vjetra. Ai ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve.
