Vritet në atentat Salih Mulosmani, Hamdi Haklaj i shpëton ekzekutimit me snajper

redaktor

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Në dimrin e vitit 2000, seriali i vrasjeve në Tropojë u ndërpre përkohësisht. Komisar Gani Malushi dhe forcat speciale në dispozicion të tij, ia dolën mbanë të mbanin larg Bajram Currit grupet e armatosura të betuara për t’i bërë varrin njëri-tjetrit. Shteti demonstroi se kur kishte vullnet politik mund t’i tregonte dhëmbët e tij. Forcat speciale të RENEA-s dhe çizmja e kolonel Malushit nisën të shkelin cep më cep të Tropojës, duke bërë të pasigurt për vrasësit edhe shpellat më të largëta. Qytetarët e Bajram Currit filluan të shëtisin lirisht pa u trembur se mund të përfundonin nën breshëritë e armëve, ndërsa jeta iu kthye normalitetit. Por kjo heshtje e vendosur me forcën e armëve të shtetit i ngjante një qetësie para furtunës. Largimi nga detyra i Malushit dhe i stafit të tij, në shkurtin e vitit 2000, pasi e përmbushi brenda gjashtë muajsh misionin për të cilin u dërgua në Tropojë, i prishi ekuilibrat e brishtë.

 

ATENTATI NDAJ MULOSMANIT

Me shkrirjen e borës nisën dhe lëvizjet e para në shtigjet e Malësisë së Gjakovës. Në fundin e marsit të vitit 2000, një grup personash të panjohur realizuan një atentat me mina të telekomanduara ndaj Salih Mulosmanit, babait të Jahos, në pamundësi për të gjetur këtë të fundit. Atentati u krye në shpatin shkëmbor të rrugës Bujan-Bajram Curri, sapo kalon Varrezat e Dëshmorëve vetëm 2-3 kilometra pa hyrë në qytet. Mekanizmi ishte pothuaj i ngjashëm me atentatet e para ndaj Fatmir Haklajt, por sasia e eksplozivit dhe xhenierët nuk ishin në të njëjtin nivel. Salih Mulosmani e pa vdekjen me sy, kur Benz-i i tij u godit nga shpërthimi, por ia hodhi edhe kësaj radhe duke mbetur i plagosur. Kur e ndjeu rrezikun që i kanosej, Mulosmani nxori në shitje pronat e të birit në Bajram Curri, lokalin më të bukur në qytet, me emrin “Enigma”, një butik dhe një furgon transporti. Në kohën që ai po bëhej gati të largohej jashtë vendit për të shpëtuar familjen, ra viktimë e një atentati të organizuar nga vrasës që në pamundësi të Jahos vendosën të hakmerreshin ndaj tij.

 

EKZEKUTIMI I SALIH MULOSMANIT

Më 12 qershor 2000, Salih Mulosmani doli nga kulla e tij në Bujan dhe po priste ndonjë makinë të rastit i ulur para karburantit që ndodhet në anën e majtë të rrugës Bajram Curri-Fierzë. Një auto-veturë tip “Opel” me ngjyrë të kuqe, erdhi me shpejtësi dhe hapi zjarr me breshëri kallashnikovi drejt Mulosmanit, duke e lënë atë të vdekur në vend. Në vendngjarje u plagos rëndë dhe një i ri, kushëri i viktimës, që punonte në karburant. Vrasësit e çuan auto-veturën në një rrugë qorre ku e braktisën duke i vënë zjarrin për të mos u identifikuar nga policia. Policia deklaroi pas ngjarjes se autorët kishin qenë të paktën tre persona, por identiteti i tyre nuk është zbuluar kurrë. Kjo ngjarje e rëndë i ngarkoi një tjetër përgjegjësi Jaho Mulosmanit, që edhe pse ishte në arrati jashtë vendit dhe qëndronte në krye të listës së personave më të kërkuar nga policia, duhej të kujdesej për familjen dhe dy vëllezërit e tij të mitur.

 

KOMANDO MBI HAKLAJT

Në shtator 2000 një komando e përbërë nga një grup personash të armatosur, tentoi për herë të parë t’i sulmonte Haklajt brenda në kullën e tyre të fortifikuar në Kërnajë. Objektivi ishte ekzekutimi në distancë me armë snajper i djalit të madh të familjes, Hamdi Haklaj. Kjo komando edhe pse ishte e armatosur me armë automatike, mitralozë të lehtë dhe snajper, nuk mund t’i afrohej shumë kullës së fortifikuar, në të kundërt rrezikonte të mbetej viktimë e kundërpërgjigjes që mund të vinte nga rojet e Haklajve. Të veshur me uniforma ushtarake kamuflazhi, pjesëtarët e komandos i janë afruar Kërnajës nga krahu i kufirit me Kosovën duke përdorur si bazë të tyre një banesë në Tropojë të Vjetër. Ata kanë synuar të kapin kodrën e pyllëzuar me pisha përballë kullës së Haklajve, e vetmja pikë nga ku mund të godisnin dhe të tërhiqeshin në kohë rekord pa rrezikuar viktima në radhët e tyre. Haklajt nuk ishin goditur asnjëherë në kullën e tyre dhe kjo tentativë ishte vetëm prologu i një sërë sulmesh të njëpasnjëshme që pasuan në 7 vitet e mëvonshme.

 

ATENTATI ME SNAJPER

Rreth mesditës së 13 shtatorit, snajperisti i komandos futi në shënjestër Hamdi Haklajn. Ai qëlloi dy herë rresht, por distanca e madhe e pozicionit të tij nga objektivi, bëri që Hamdiu të shpëtonte pa pësuar dëme. Pas të shtënave të snajperit drejt mureve të fortifikuara të kullës së Haklajve u lëshuan batare armësh automatike dhe mitrolozi të lehtë. Efektshmëria e këtij sulmi ishte thuajse zero. Madje qëllimi i vërtetë ishte thjeshtë të pengohej një kundërpërgjigje nga Haklajt dhe të sigurohej tërheqja e komandos. Atë ditë në kullë përveç dy vëllezërve Haklaj, ndodheshin dhe një numër i madh personash të tjetër. Ata kapën shumë shpejtë pozicionet e fortifikuara dhe hapën zjarr të menjëhershëm me mitralozë të rëndë dhe Kallashnikovë drejt kodrës nga erdhi sulmi i komandos. Ashpërsia e kundërpërgjigjes i detyroi pjesëtarët e komandos të braktisnin pozicionet dhe të nxitonin për t’u tërhequr sa më parë të ishte e mundur. Zjarri i hapur nga kulla e Haklajve zgjati për më shumë se 20 minuta, duke krijuar panik në gjithë zonën, a thua se bëhej fjalë për një betejë frontale. Jehona e breshërive të mitralozëve u dëgjua deri në Bajram Curri, por policia as që e mori mundimin të ngjitej në Kërnajë. Ky sulm ishte një mesazh i qartë për Haklajt, tani ata do të goditeshin edhe në kullën e tyre.

 

SALI BERISHA

Dega lokale e Partisë Demokratike në Tropojë, gati u shpërbë krejtësisht pas incidentit të presidentit Berisha me Haklajt në 22 qershor 1997. Në dy vitet e mëvonshme që u kaluan nën thundrën e Fatmir Haklajt, kjo degë ekzistoi vetëm formalisht. Me vendosjen e forcave speciale në Tropojë pas atentatit të 4 gushtit 1999 dhe vrasjes së Fatmirit më 4 nëntor të po atij viti, opozita kishte nevojë të rindërtonte strukturat e saj për të mos lënë vakuum në një nga bastionet më të fuqishme që kishte në vend. Demokratët në Tropojë nuk mund të drejtoheshin nga persona të ngujuar në kulla, apo që lëviznin ilegalisht për shkak të hakmarrjes nga Haklajt dhe njerëzit e tyre. Në këto rrethana lideri i PD-së Sali Berisha, për të fituar terrenin e humbur vendosi t’u kundërpërgjigjet të majtëve në Tropojë duke përzgjedhur një tjetër Haklaj, kushëri dhe i afërt më kundërshtarët e tij të betuar. Misioni i tij ishte rindërtimi i opozitës në Tropojë për t’ia rikthyer sërish këtë zonë të djathtës. Azgan Haklaj ishte futur në radhët e PD-së së Tropojës së bashku me Shkëlqimin, i vrarë në pritën e 5 janarit 1998 në Qafën e Luzhës. Ai e pa vdekjen me sy, kur u plagos në mes të Bajram Currit më 9 prill 1998, vepër për të cilën u arrestua dhe u dënua me 13 vite burg Idajet Gjeçi, dënim i cili iu minimizua më pas në Gjykatën e Apelit.

 

ILIR META

Hileja e liderit të opozitës nisi të funksiononte. Ai u nxori përballë Haklajve, një tjetër Haklaj, gjak i tyre, i cili ishte rritur me ta dhe kullat i ndanin nga njëra-tjetra vetëm 4-5 metra distancë. Pavarësisht ashpërsisë së akuzave që merrnin prej Azganit, Haklajt nuk mund të ekzekutonin djalin e vetëm të kushëririt të afërt. Energjia e Azganit për t’i bërë presion strukturave të qeverisë në Tropojë dhe devotshmëria e tij ndaj liderit të opozitës Berisha, mblodhi rreth PD-së një numër të madh mbështetësish që pak nga pak nisi t’u dalë frika. Rimëkëmbja e strukturave të PD-së në Tropojë pas vitit 1999, u dëshmua qartë në protestën e organizuar gjatë vizitës së kryeministrit Ilir Meta në Bajram Curri në 26 shtator 2000. Militantët e PD-së u përpoqën ta sabotonin vizitën e kryeministrit socialist duke dashur t’i kthejnë reston për atë që ngjau në qershorin e 1997 me presidentin Berisha. Protesta e dhunshme e militantëve të PD-së rrezikoi të kthehej në një tragjedi, nëse trupat e speciale të ardhura nga Tirana dhe eskorta e kryeministrit Meta nuk do të ruanin gjakftohtësinë duke mos iu kundërpërgjigjur turmës me armë. Kryeministri Meta akuzoi liderin e opozitës, Berisha se ishte ai organizatori i kësaj ngjarjeje që mund të kishte sjellë pasoja të rënda.

 

VRASJA E NEXHAT HYSOS

Çuditërisht askush nuk u kujtua për një viktimë të dytë në këtë ngjarje, kosovarin 22 vjeçar, Nexhat Qamil Zyho, student i veterinarisë në universitetin e Kamzës. Pavarësisht se objektivi i vrasësve ishte Anton Gjergji, studenti nga Bukoshi i Suharekës, kushëri i afërt me Bujar Bukoshin ish-kryeministrin në ekzil të qeverisë së Kosovës, duket se u ndodh në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar. Vrasësit e Antonit nuk ia kursyen plumbat dhe ai përfundoi në spital me dy plagë të rënda, njëra prej tyre vdekjeprurëse. Policia deklaroi pas ngjarjes se kosovari ishte vrarë aksidentalisht, por dëshmitarë okularë dhe familjarët e Antonit dëshmojnë të kundërtën. Plumbi që i mori jetën 22-vjeçarit ka hyrë në anën e majtë të kokës së tij, poshtë veshit dhe dalja e plumbit ka qenë në faqen e djathtë. Personat që shkuan të parët në vendngjarje mbetën të shtangur kur pranë Antonit gjetën dhe trupin e pajetë të Zyhos, i cili qëndroi për më shumë se 48 orë në morg, i paidentifikuar. Askush s’e njihte. Askush nuk e dinte pse ai ishte ndodhur në vendin e krimit. Por një student nga Kosova, shok i viktimës bëri identifikimin e tij tre ditë pas vrasjes. Zyrtarisht u tha se ai u vra në mënyrë aksidentale, por dëshmitarë okularë dhe familjarët e Gjergjit thonë të kundërtën. Antoni kishte njohje me të se banonin pranë njëri-tjetrit dhe e kishte marrë disa herë në makinën e tij. Në momentin e vrasjes ai ndodhej vetëm disa metra larg garazhit ku u vra Antoni dhe kur pa vrasësit që qëlluan u foli. “Pse qëlloni mbi të”, kanë qenë fjalët e fundit të tij. Më pas, njëri nga vrasësit iu afrua dhe për të zhdukur një nga dëshmitarët okularë, e qëlloi dy herë, në krah dhe në kokë. Nexhat Zyho kishte pesë vjet që qëndronte në Tiranë si student dhe priste të diplomohej tre muaj më pas.

 

AKUZOHEN HAKLAJT

Ministria e Brendshme, pavarësisht se ishte vënë në dijeni nga Anton Gjergji për rrezikun që i kanosej, tentoi të fshihte të vërtetën, duke deklaruar se ai nuk ishte efektiv i forcave speciale. Asnjë titullar i lartë i Ministrisë së Brendshme nuk shkoi në ceremoninë e varrimit në Pukë, përveç drejtuesve dhe kolegëve të repartit. Justifikimit të Ministrisë së Brendshme i doli boja shumë shpejt, pasi u verifikua se Antoni jo vetëm ishte në punë në çastin e vrasjes, por rrogën e fundit prej 450 mijë lekësh të vjetra ia çuan shokët e repartit në familje.

 

PRONAT E GJERGJIT

Një tjetër detaj që lë dyshime për rolin e Anton Gjergjit, është fakti se ku përfunduan paratë e konsiderueshme që ai dispononte dhe disa apartamente pronë e tij brenda dhe jashtë vendit. Në momentin që u vra Antoni kishte në portofol, 3000 dollarë amerikanë dhe 600 mijë lekë të vjetra, të cilat më pas iu dhanë familjes. Shokë dhe kolegë të Antonit deklaruan pas atentatit se ai ka pasur të ardhura të tjera përveç rrogës që merrte si efektiv i forcave speciale. Shumë herë ai i ka ndihmuar me të holla miq dhe kolegë të tij që gjendeshin në nevojë. Vetëm një muaj para se të vritej Antoni bleu një auto-veturë të re, e cila i erdhi nga Austria. Ai dilte shpeshherë jashtë vendit, si në Hollandë, Itali, Bullgari dhe Hungari. Pas vitit 1994, ai u punësua fillimisht si përgjegjës sigurie dhe më pas si administrator i kompanisë së lojërave elektronike “Admiral”, e cila ishte pronë e dy biznesmenëve shumë të njohur në kryeqytet, ku paguhej shumë mirë. Antoni njihej si president i firmës së baterive “Varta” dhe sipas familjarëve ai ka qenë vërtet pronar i kësaj kompanie. Këtë firmë atij ia kaloi në pronësi një biznesmen i fuqishëm në kryeqytet qysh prej vitit 1993. Nuk dihet se ç’u bë me firmën e tij më pas. Pas vrasjes së Antonit nuk dihet se ku shkuan paratë e tij, pasi familja e tij s’ka marrë asgjë dhe jeton në varfëri të plotë.

 

TË DYSHUARIT

Policia e kryeqytetit u mjaftua duke akuzuar për autorësinë e ngjarjes, Haklajt dhe miqtë e tyre në një lagje periferike të kryeqytetit, se ishin hakmarrë për vrasjen e Fatmir Haklajt. Kjo vrasje e dyfishtë që tronditi Tiranën dhe i kushtoi jetën njërit prej policëve më të mirë të vendit nuk është zbuluar kurrë. Plaku 70-vjeçar Lazër Gjergji shpreson ende të mësojë para se të mbyllë sytë, se kush janë vrasësit e djalit të tij dhe se kanë marrë ndëshkimin e merituar nga drejtësia. Pavarësisht se ishin vrarë tre vëllezër nga e njëjta familje, Shkëlqimi, Halili dhe Fatmiri, Haklajt shiheshin sërish si një rrezik potencial, të aftë për të goditur fort kundërshtarët e tyre. Ekzekutimi në mes të Tiranës i Anton Gjergjit që më 1 dhjetor 1999, niste detyrën e re në Repartin e Operacioneve Speciale ROS, dëshmoi dhe njëherë se Haklajt ishin ende në këmbë pavarësisht eleminimit fizik të Fatmir Haklajt. Hamdi Haklaj, më i madhi i pesë vëllezërve, i mbështetur dhe nga Ylli, më i vogli i familjes ishin ende të aftë të mbanin rreth vetes të bashkuar një grup personash për t’i bërë ballë çdo rreziku. Ish-kryetari i kooperativës Hamdi Haklaj u cilësua nga media me nofkën “Padrino”. Kjo jo vetëm për aftësitë e tij komunikuese dhe bindëse ndaj personave që e rrethonin, por dhe për shkak se ai u mbijetoi për më shumë se një dekadë pritave dhe atentateve për ta vrarë.

(Vijon nesër)

 

SOM 1

“Në dimrin e vitit 2000, seriali i vrasjeve në Tropojë u ndërpre përkohësisht. Komisar Gani Malushi dhe forcat speciale në dispozicion të tij, ia dolën mbanë të mbanin larg Bajram Currit grupet e armatosura të betuara për t’i bërë varrin njëri-tjetrit. Shteti demonstroi se kur kishte vullnet politik mund t’i tregonte dhëmbët e tij. Forcat speciale dhe kolonel Malushit nisën të shkelin cep më cep të Tropojës”

 

SOM 2

“12 qershor 2000, Salih Mulosmani doli nga kulla e tij në Bujan dhe po priste ndonjë makinë të rastit i ulur para karburantit që ndodhet në anën e majtë të rrugës Bajram Curri-Fierzë. Një auto-veturë tip “Opel” me ngjyrë të kuqe, erdhi me shpejtësi dhe hapi zjarr me breshëri kallashnikovi drejt Mulosmanit, duke e lënë atë të vdekur në vend. Në vendngjarje u plagos rëndë dhe një i ri, kushëri i viktimës, që punonte në karburant”

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Si u zhduk jashtë vendit polici Avdi Buçpapaj, dëshmitari kyç në disa vrasje të bujshme në rrethin e Tropojës.

-Betimi i Fatmir Haklajt pas dy vrasjeve në familje: ‘Nuk do të ndalem derisa të marr hakun dhe për kunatin’, vrasjet që pasuan pas këtij betimi.

-Dënimi i Halil Haklajt nga Gjykata serbe në Pejë, në vitin 1988, me 8 vjet burg, për veprimtari subversive ndaj Jugosllavisë, furnizim me armë të organizatave guerile dhe kalim të paligjshëm të kufirit.

 

Share This Article
2 Comments
  • Iken per lesh keta te fortet e tropojes. Po i hane krimbat se nuk rrinin rehat ne punet e tyre por fryheshin si cuba duke harruar se plumbi te shfryn

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *