Një anëtar i kuvendit komunal të veriut të Mitrovicës është vrarë sot në orët e mëngjesit në rrethana të pasqaruara.
Policia tha se ai është qëlluar më armë zjarri para shtëpisë së tij në veriun e këtij qyteti të banuar me shumicë serbe.
Dimitrie Janiçijeviç, ishte këshilltar i kuvendit komunal nga radhët e Partisë së pavarur liberale serbe, e cila është edhe pjesë e qeverisë së Kosovës.
Policia tha se ende nuk dihet asgjë për motivet as autorët e mundshëm të kësaj vrasjeje.
I ndjeri. 35 vjeçar, baba i tre fëmijëve, ishte kandidat për kryetar të kësaj komune në zgjedhjet për pushtetin komunal të vitit që lamë pas.
Zgjedhjet për kryetarin e kësaj komune do të përsëriten nga fundi i muajit shkurt, meqë kryetari i zgjedhur, Kërstimir Pantiç, dështoi të japë betimin duke kundërshtuar që t’u nënshtrohet ligjeve të Kosovës.
Dënohet vrasja e këshilltarit komunal
Qeveria e Kosovës dënoi sot vrasjen duke e cilësuar atë “një akt i rëndë e qyqar dhe sulm të drejtpërdrejtë kundër vullnetit të qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe kundër vendosjes së sundimit të rendit, ligjit dhe institucioneve legjitime edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës”.
Në reagimin e qeverisë thuhet se ajo është e vendosur “që me të gjitha kapacitetet e saj institucionale të vazhdojë përkushtimin për funksionalizimin e plotë të institucioneve demokratike, të zgjedhura nga qytetarët në pjesën veriore të Kosovës”, ndërsa u kërkohet organeve të rendit që të marrin të gjitha masat për të vënë para drejtësisë autorët e vrasjes. / VOA