Megjithëse astma nuk mund të shërohet, menaxhimi i duhur mund të kontrollojë sëmundjen duke u mundësuar njerëzve me astmë të gëzojnë një cilësi të mirë të jetese. Krahas trajtimeve medikamentoze të përshkruara nga mjeku specialist, mënyra më e mirë për trajtimin e kësaj sëmundje është shmangia e faktorëve që janë përgjegjës për këtë sëmundje, si dhe diagnostikimi i hershëm i saj.
Përdorimi i medikamenteve
Në varësi të simptomave dhe krizave të paraqitura nga pacienti është mjeku ai që përcakton nëse trajtimi me medikamente duhet të jetë afatshkurtër, apo afatgjatë. Konkretisht, medikamentet me efekt afatshkurtër përdoren për lehtësimin e simptomave gjatë krizave të astmës. Medikamente të tilla si: kortikosteroidët aerosole janë të nevojshme për të kontrolluar përparimin dhe përkeqësimin e astmës, si dhe vdekjet e lidhura me të.
Njerëzit me simptoma të vazhdueshme të kësaj sëmundjeje duhet të marrin medikamente afatgjata çdo ditë për të kontrolluar pezmatimin bazë dhe për të parandaluar simptomat dhe përkeqësimin.
Disa këshilla që nuk duhen neglizhuar
Duhet të dini se medikamentet nuk janë mënyra e vetme për të kontrolluar astmën. E rëndësishme është gjithashtu shmangia e shkaktarëve të astmës.
Çdo pacient me astmë duhet të mësojë se cilët janë shkaktarët e mundshëm të krizave të astmës dhe t’i shmangë si një masë parandaluese. Megjithëse astma nuk vret në atë nivel sa sëmundjet pulmonare obstruktive kronike (SPOK),ose sëmundjet e tjera kronike, neglizhimi apo dështimi i përdorimit të medikamenteve të përshtatshme, ose neglizhimi i trajtimit mund të çojë deri në vdekje.
“Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, parandalimi parësor për të zvogëluar nivelin e ekspozimit ndaj faktorëve të zakonshëm të rrezikut, veçanërisht tymit të duhanit, infeksioneve të shpeshta të frymëmarrjes gjatë fëmijërisë dhe ndotjes së ajrit (ekspozimi i brendshëm, i jashtëm, dhe në vendin e punës) janë ndër masat më të rëndësishme që duhet të merren jo vetëm në parandalimin e kësaj sëmundjeje, por edhe sa i takon zbutjes së simptomave të saj në rastet kur është shfaqur”, shkruan Dita .
Astma shkaktohet nga:
- Kombinimi i predispozicionit gjenetik me ekspozimin mjedisor.

- Alergjenet e brendshme, si pluhurat në shtëpi, (në shtretër, qilima dhe mobiljet), apo parazitët e ndryshëm si furrtarja e zezë.
- Alergjenet në natyrë (të tilla si poleni dhe myku).
- Kafshët shtëpiake.
- Tymi i duhanit.
- Alergjenet kimike në vendin e punës.
- Ndotja e ajrit, etj.
- Medikamente të caktuara.
Ndër faktorët që provokojnë krizat e astmës janë edhe:
- Ajri i ftohtë.
- Ngacmimet ekstreme emocionale si zemërimi ose frika.
- Aktiviteti fizik.
p.k/dita
