Veriu i Mitrovicës, por edhe i Kosovës në përgjithësi, është zgjuar me billborde për mirëseardhjen e kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç.
Nga kufiri i Jarinjës, përmes Zveqanit dhe Zubin Potokut, e deri në veri të Mitrovicës, vërehen pothuajse kudo billborde dhe fotografi në të cilat shkruan ‘ Kryeministër, mirë se vjen në Kosovën serbe”.
“Kosova Press”, raporton se disa ditë më parë, dhjetëra pjesëtarë të xhandarmerisë serbe me rroba civile, si dhe të shërbimit të intelegjencës së Serbisë (BIA), kanë hyrë në territorin e Kosovës dhe po vazhdojnë të qëndrojnë këtu, për shkak të sigurisë së kryeministrit të tyre të dielën.
Bashkë me kryeministrin Vuçiç, të dielën në veri të Kosovës do të jetë edhe një delegacion i lartë i zyrtarëve serbë, në mesin e të cilëve edhe Marko Gjuriç, drejtor i zyrës për Kosovën pranë qeverisë së Serbisë.
