Ministri i Jashtëm gjerman është pritur sot në një takim nga presidenti i republikës, Bujar Nishani. Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat, Nishani e ka siguruar ministrin Guido Westerwelle se “Shqipëria ndonëse një vend i vogël ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj si kontribuuese thelbësore e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon duke forcuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimin rajonal dhe duke inkurajuar shqiptarët që të mbështesin zhvillimin e demokracisë dhe prosperitetin ekonomik në vendet ku ata jetojnë. E gjitha kjo bazohet në një traditë, sipas të cilës shqiptarët u kanë ofruar fqinjëve miqësi dhe paqe”.
Ndërsa Westerwelle citohet të ketë thënë se “Gjermania do të jetë në anën tuaj sidomos gjatë udhëtimit tuaj europian. Për ne nuk është një çështje kombëtare apo ekonomike, por një qëndrim politik dhe strategjik që të gjithë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të jenë anëtarë të Bashkimit Europian”.
Në këtë kuadër, ministri i Jashtëm Westerwelle veçoi se kriteret janë kërkesa objektive duke vlerësuar për momentin si shumë të rëndësishme përgjegjësinë e faktorëve politikë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe realizimin e kritereve të Komisionit Europian.
Westerwelle: Zgjedhjet e qershorit, me rëndësi për integrimin
Në përfundim të takimit me homologun e tij shqiptar, ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle është shprehur në një konferencë të përbashkët shtypi se zgjedhjet e ardhshme duhet të zhvillohen me sukses dhe mbi bazën e parimeve europiane.
“Gjermania mbështet integrimin e Shqipërisë, por duhen plotësuar disa kritere për të cilat nuk bëjmë dot lëshime, por as vendosim vështirësi të veçanta. Ekziston një konsensus për integrimin dhe ky duhet të gjejë shprehje tek forcat politike. Demokracia, sundimi i ligjit, pavarësia e sistemit gjyqësor dhe mbi të gjitha zgjidhja e mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut dhe jo polemikave të ashpra janë të domosdoshme”, tha shefi i diplomacisë gjermane.
Westerwelle, takime me krerët e politikës shqiptare
Ministri i Jashtëm gjerman nisi sot takimet në Tiranë . Shefi i diplomacisë gjermane, Guido Westerwelle, do të ketë takime me krerët më të lartë të shtetit dhe përfaqësues të opozitës.
Axhenda:
Ora 09:40 – 10.00 Konferencë e Përbashkët për Shtyp MPJ
Përkthim gjermanisht-shqip
Ora 10:10– 10.55 Takim mes Sh.T.Z. Bujar Nishani,
President i Republikës dhe Sh.T.Z. Guido
Westerwelle, Ministër i Jashtëm i Gjermanisë
Ora 11.00– 11:45 Takim mes Sh.T.Z. Sali Berisha, Kryeministër i
Republikës dhe Sh.T.Z. Guido Westerwelle,
Ministër i Jashtëm i Gjermanisë
Ora 12:00– 12:30 Takim mes Z. Edi Rama, Kryetar i Partisë
Socialiste dhe Sh.T.Z. Guido Westerwelle,
Ministër i Jashtëm i Gjermanisë
Ora 13:00 Largimi nga Shqipëria