105 – vjetori: ( mars-shtator 1914)
Marenglen Kasmi
Periudha e qeverisjes së Wied -it në Shqipëri, nga 7 marsi deri më 3 shtator 1914, është një periudhë e ngjeshur me kontradikta politike dhe ushtarake, si të jashtme ashtu edhe të brendshme. Konfliktet e brendshme buronin nga heterogjeniteti fetar i popullsisë shqiptare, politikat personale të figurave politike si dhe nga zgjedhja që iu diktua Shqipërisë, nëpërmjet vendosjes së një pushteti ksenokrat. Rivalitetet dhe interesat e ndryshme të Fuqive të Mëdha, gjatë Konferencës së Ambasadorëve, para së gjithash të Austro-Hungarisë dhe Italisë, e kthyen Shqipërinë në një «kukull loje». Këtë gjë e dëshmon edhe përzgjedhja në krye të shtetit shqiptar e një figure të panjohur gjermane, siç ishte Wilhelm zu Wied. Në këto gjashtë muaj mbretërim, dolën në pah si rivalitetet ndërmjet Fuqive të Mëdha, ashtu edhe problemet e brendshme që kishte Shqipëria në fillimet e saj si shtet i pavarur.
Shqipëria në Konferencën e Ambasadorëve në Londër
Luftërat Ballkanike e detyruan Turqinë pas më se 500 vjetësh, të largohej nga Shqipëria. Grekët kishin pushtuar Shqipërinë Jugore, malazezët pjesën veriore të saj, së bashku me Shkodrën. Serbët kishin hyrë në thellësi të territorit shqiptar deri në detin Adriatik. Secili nga këto shtete shpresonte të përmbushte synimet e vjetra ndaj Shqipërisë. Por, në të njëjtën kohë, pushtimi i Shqipërisë ishte i një rëndësie të veçantë edhe për Italinë. Sundimi i Shqipërisë për Italinë do të thoshte zotërim i detit Adriatik. Për këtë arsye, fati i Shqipërisë ndiqej me jo pak interes në arenën politike evropiane. Edhe Austro-Hungaria, për të cilën një dalje e lirë në detin Adriatik konsiderohej e rëndësishme, ishte jo më pak e interesuar në këto zhvillime.
Këto përplasje interesash kërkonin zgjidhje, e në të njëjtën kohë, Fuqitë e Mëdha duhej të merrnin në konsideratë faktin që një përplasje e tillë interesash në këtë vend, edhe nëse nuk sigurohej ekzistenca shtetërore e Shqipërisë, mund të bëhej burim kontradiktash të vazhdueshme mes shteteve fqinje, gjë që mund të rrezikonte seriozisht paqen në Evropë. Si zgjidhja më e mirë për të shmangur këtë rrezik, u konsiderua njohja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimi i një principate shqiptare, nën drejtimin e një princi të huaj.
Turqia, tashmë e dobësuar, hoqi dorë nga Shqipëria, duke miratuar kështu formimin e një principate të pavarur shqiptare. Ajo ia la në dorë Fuqive të Mëdha rregullimin e kufijve territorialë të Shqipërisë dhe çështjeve të tjera që duhej të trajtoheshin për zgjidhjen e këtij problemi.
Nëpërmjet vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve, më 29 qershor 1913, Shqipëria u shpall e pavarur dhe u njoh si e tillë nga Gjermania, Austro-Hungaria, Anglia, Rusia, Franca dhe Italia. Vendimet e konferencës mbi organizimin e ardhshëm të Shqipërisë ishin:
- E garantuar nga Fuqitë e Mëdha, Shqipëria shpallet principatë autonome, sovrane dhe me të drejtë trashëguese. Princi do të zgjidhet nga Fuqitë e Mëdha.
- Çdo lloj ndërhyrje e Turqisë ndaj Shqipërisë është e ndaluar.
- Shqipëria është neutrale; neutraliteti i saj garantohet nga gjashtë Fuqitë e Mëdha.
- Kontrolli i administratës civile dhe financave të Shqipërisë i besohet një komisioni ndërkombëtar. Komisioni përbëhet nga anëtarë të Fuqive të Mëdha dhe nga shqiptarë.
- Të drejtat e komisionit zgjasin dhjetë vjet; nëse është e nevojshme afati mund të zgjatet.
- Komisioni duhet të përgatisë një strukturë organizative të detajuar për gjithë degët e administratës në Shqipëri. Brenda gjashtë muajve, komisioni do t’i paraqesë Fuqive të Mëdha një raport për ecurinë e punës si edhe mbi vendimet në lidhje me organizimin e administratës dhe financave.
- Princi do të zgjidhet brenda gjashtë muajve. Deri në zgjedhjen e tij dhe në formimin e qeverisë kombëtare përfundimtare, kontrolli i instancave vendore dhe xhandarmërisë i kalon Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK).
- Siguria dhe rendi publik do të sigurohen nëpërmjet organizmit ndërkombëtar të xhandarmërisë. Ky organizim do t’i besohet oficerëve të huaj të cilët kanë komandën e përgjithshme mbi xhandarmërinë.
- Këta oficerë do të merren nga ushtria suedeze ( më vonë u zëvendësuan me holandezë-M.K).
- Misioni i oficerëve të huaj instruktorë nuk kufizon as unifikimin e shërbimit, as përdorimin e oficerëve vendas, nënoficerëve dhe xhandarëve.
- Pagat e këtyre oficerëve do të sigurohen nga të ardhurat e vendit, me garancinë e Fuqive të Mëdha. Kandidatura për zgjedhjen e princit të ri duhet të përzgjidhet nga Fuqitë e Mëdha më të interesuara, Austro-Hungaria dhe Italia.
Me përzgjedhjen e kandidatitu ngarkuan Austro-Hungaria dhe Italia, të cilat më pas duhej të merrnin edhe miratimin e fuqive të tjera, pasi të kishin më parë dakord vetë përtë. Zgjedhja e princit ishte e lidhur ngushtë me formën e re shtetërore që duhej të kishte Shqipëria.
Për krijimin e shtetit të ri shqiptar ishin të interesuara kryesisht shtetet e Aleancës Trefishe. Edhe për Gjermaninë, si pjesëtare e kësaj aleance, zgjidhja e problemit shqiptar ishte e rëndësishme, sepse për të Shqipëria konsiderohej si një “tertiumcomparationis” ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Italisë.
Dërgimi i këtij sundimtari të huaj, i cili do të përfaqësonte politikën e Fuqive të Mëdha në Shqipëri u shoqërua me diskutime të shumta. Në të ranë në sy divergjencat dhe konfliktet e interesit ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Italisë për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Të diktuar nga koha e shkurtër e zgjedhjes së princit (brenda gjashtë muajve që nga marrja e vendimit), Austria dhe Italia vlerësuan Princin Wilhelm zu Wied si kandidatin më të përshtatshëm për marrjen e fronit shqiptar. Të gjashtë Fuqitë e Mëdha ranë dakord me këtë propozim.
Kush ishte Wilhelm zu Wied ?
Wilhelm zu Wied lindi më 26 mars 1876 në Neuwied. Më 3 qershor 1897, në moshën 21 vjeçare, ai nisi karrierën ushtarake si nëntoger në Regjimentin e 3-të të Kalorësisë së Gardës Prusiane, në Potsdam. Ky regjiment ishte i njohur për numrin e tij të madh të oficerëve me origjinë nga familjet aristokrate gjermane. Madje edhe vetë perandori Wilhelm II kishte shërbyer në të.
Wied -i u përshtat shumë shpejt në jetën ushtarake. Ai gëzonte respektin e shokëve dhe vartësve të tij. Edhe në jetën civile, ai shfaqej i matur, i kujdesshëm dhe shquhej për drejtësinë e tij.Më 30 nëntor 1906 ai u martua me princeshën SophievonSchönburg-Waldenburg (SofifonShënburg-Valdenburg). Martesa dhe detyrat e tij në regjiment nuk e penguan atë të përgatitej dhe të kalonte me sukses provimin e pranimit në Akademinë e Luftës. Më 19 dhjetor 1907, Wied-i mori gradën e togerit dhe më 20 mars 1911 gradën e kapitenit. Në Potsdam lindën edhe dy trashëgimtarët e familjes,MarieEleonore (MariEleonore)dhe CarolViktor(KarolViktor).
Pas përfundimit me sukses së Akademisë së Luftës në Berlin, e cila zgjati tre vjet, Wied -i u kthye përsëri në regjimentin e tij. Pak kohë më vonë, pasi u gradua kapiten, ai u emërua në Shtabin e Përgjithshëm në Berlin. Pas disa vitesh shërbimi në Shtabin e Përgjithshëm, ai u kthye përsëri në Potsdam si “Rittmeister” (kapiten i kavalerisë) dhe u emërua komandanti i një skuadroni në të njëjtin regjiment që kishte qenë dikur. Propozimi për të marrë kurorën e Shqipërisë e gjeti Wied -in në këtë detyrë. Gjatë ceremonisë së largimit nga regjimenti, Wied -it iu dha grada “Major à la suite”.
Përzgjedhja e tij si sundimtar i Shqipërisë ishte bazuar mbi arsye të forta pragmatike. E para, kombi që ai përfaqësonte nuk shfaqte ndonjë interes të veçantë ndaj Shqipërisë dhe së dyti, ai ishte protestant dhe nuk i përkiste asnjërës prej përkatësive fetare në Shqipëri. Një arsye tjetër jo më pak e rëndësishme ishte që princ Wied-i ishte i varfër dhe si i tillë nuk mund të kishte shumë pretendime.
Politika gjermane nuk ishte dakord me ardhjen e Wied-it në Shqipëri. Madje WilhelmII ishte i mendimit se, në rastin e Shqipërisë, do të ishte më mirë zgjedhja e një princi mysliman, me një kuletë të mbushur plot dhe, siç ai do të shprehej,“ç’ka në Shqipëri ishte veçanërisht e nevojshme”. Po kaq pesimist ishte edhe vlerësimi që ai kishte për Wied-in: “Unë isha jo shumë i entuziazmuar kur mora vesh për përzgjedhjen e princit Wilhelm zu Wied . Unë e vlerësoja shumëatë si një natyrë fisnike, kalorësiake dhe me ndjeshmëri të hollë. Por, e quaja si të papërshtatshëm për atë post. Princi nuk e njihte shumë Ballkanin për të realizuar me sukses këtë detyrë kaq të vështirë. Nuk ishte aspak e këndshme për mua që atje (në Shqipëri-M.K) të turpërohej një princ gjerman”.
Shqipëria në prag të ardhjes së Wied-it
Në dhjetor të vitit 1913, dy oficerë, kapiteni austriak Ulmansky dhe ai gjerman Clanner, të urdhëruar nga Shtabi i Përgjithshëm austro-hungarez, kryen një vizitë disajavore në Shqipëri. Kapiten Ulmansky vizitoi qytetet e Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Tiranës dhe Pogradecit, ndërkohë që kapiteni Clanner vizitoi jugun e Shqipërisë. Në fund të vizitës,Ulmansky hartoi një raport shumë të hollësishëm dhe profesional për situatën në Shqipëri.
Ulmansky e klasifikonte shoqërinë shqiptare në katër grupime kryesore dhe konkretisht në:
- shtresën e kulturuar dhe të arsimuar elitare të vendit;
- në bejlerët e fshatit;
- në elementë të kulturuarqë kishin jetuar në Evropë, por që ishin me prejardhje nga shtresat e ulëta të shoqërisë
- dhe në pjesën tjetër të popullit, ç’ka përbënte edhe shumicën e tij dhe që ishte analfabete.
Cilat ishin tiparet e këtyre grupimeve, sipas kapitenUlmansky-t:?
Shtresa elitare e vendit; ishte në kontakt me kulturën evropiane ose që kishte shërbyer në aparatin shtetëror gjatë sundimit turk. Në këtë kategori kishte vetëm pak elementë të vlefshëm që mund t’i shërbenin Wied-it. Xhelozia e tyre ndaj njëri-tjetrit, ambiciet për pushtet, nder dhe para do t’i shkaktonin probleme të mëdha princit. Prandaj, ishte në interes të tij dhe të vendit, që së pari të kufizohej pushteti efektiv i këtyre elementëve. Shumica e kësaj shtrese kishte koncepte etnike shumë të ngatërruara. Madje, disa koncepte të tyre, mund të konsiderohen edhe si të pamoralshme. Gjithsesi, në këtë kategori kishte elementë të mirë dhe me vlera, të cilët mund të përdoreshin në pozicione drejtuese të administratës.
Bejlerët që jetojnë në fshat; pjesa më e madhe e tyre nuk mund të merrej në administratë sepse ishin analfabetë. Por, një pjesë e tyre që ishte e arsimuar, mund të krijonte një bazë të fuqishme mbështetëse për qeverinë e re. Në një farë mënyre ishte e nevojshme të ngarkoheshin me punë edhe të paarsimuarit e kësaj shtrese. Ndoshta, duke shfrytëzuar inteligjencën e tyre natyrore, si edhe dëshirën për të bashkëpunuar, mund të bëhej e mundur që, brenda një kohe të shkurtër, ata të ushtronin funksione administrative.
Elementët që rridhnin nga populli i thjeshtë, që kishin jetuar në Evropë dhe e njihnin kulturën evropiane. Ashtu si një pjesë e shtresës elitare të vendit, edhe nga kjo shtresë, gjatë jetës në Europë kishte shijuar kënaqësinë e rreme të kulturës evropiane dhe si pasojë kishte koncepte etnike të ngatërruara. Por, një pjesë e tyre zotëronte një arsimim të vërtetë dhe ata mund të përbënin një mbështetje shumë të fortë për qeverinë.
Pjesa më e madhe e popullit, gjendej në një prapambetje shekullore dhe ishte e nevojshme që me ta të ndiqej një edukim kulturor gradual. Nëse do të tentohej të përshpejtohej procesi i kulturimit të tyre-argumentonte më tej Ulmansky-mund të kishte pasoja fatale. Por, nëse do të ngrihej një regjim i bazuar në rregulla, i fuqishëm dhe i drejtë, atëherë zhvillimi kulturor në vetvete do të përshpejtohej dhe njerëzit, shumë shpejt, do të shndërroheshin në qytetarë të bindur dhe të nënshtruar. Por nëse fuqia shprehëse e pushtetit do të mungonte – ashtu si edhe ndodhi-atëherë ata nuk do të bindeshin më.
Veçantia e organizimit shtetëror në Shqipëri, në vitet 1913-1914, ishte i dukshëm. Në vend vepronin, paralelisht me njëra tjetrën, disa qeveri lokale. Në Shkodër drejtonte qeveria e detashmentit ndërkombëtar, nën komandën e kolonelit britanik Phillips.
Qeveria e Esat Pashës në Durrës mund të konsiderohej si e vetmja qeveri shqiptare, e cila ishte vërtet në gjendje të qeveriste. Nëpërmjet organeve përkatëse,Esat Pasha ishte në gjendje të mblidhte taksat, filloi të ndërtonte rrugë, krijoi një xhandarmëri të disiplinuar dhe emëroi në vendet më të rëndësishme nëpunës që ndiqnin dhe zbatonin urdhrat e tij. “Në territorin e zotërimit të tij, të krijohej përshtypja e një sundimi ushtarak dhe kudo vihej re një farë rregulli i tillë”, theksonte Ulmansky. Marrëdhëniet e Esat Pashës me qeveritë e tjera nuk ishin aspak të mira. Po ashtu edhe popullsia vendase nuk ishte e kënaqur me qeverisjen e Esat Pashës si pasojë e dhunës qeverisëse që ai ushtronte ndaj tyre.
Qeveria e IsmailQemalit në Vlorë, në ndryshim nga qeveritë e tjera lokale shqiptare, ishte më e veçantë. Ajo konsiderohej si qeveria zyrtare e Shqipërisë dhe mbante lidhje diplomatike me qeveritë evropiane. Në të vërtetë, ndikimi i saj shtrihej vetëm në qytetin e Vlorës dhe në territoret e afërta të qytetit. Qeveria kishte xhandarmërinë e saj dhe, në ndryshim nga qeveritë e tjera lokale shqiptare, kishte krijuar edhe ushtrinë e saj. Krahasuar me qeveritë e tjera lokale, qeveria e Vlorës kishte të ardhurat më të mira, si pasojë e vjeljes së taksave portuale.
Megjithë veçantinë politike dhe mungesën e një qeverisjeje të centralizuar të vendit, çka shkaktonte probleme të shumta, në brendësi të vendit mbizotëronte një farë qetësie dhe rregulli dhe të huajt mund të udhëtonin pa probleme. Shërbimi postar si dhe ai telegrafik funksiononin në të gjithë vendin.
Riorganizimi i marrëdhënieve politike në prag të ardhjes së Wied-it
Në mendimin e Fuqive të Mëdha, por edhe atë të shumë intelektualëve dhe patriotëve shqiptarë në zë të kohës, Shqipëria mund të arrinte të siguronte ekzistencën e saj vetëm nën sundimin e një përfaqësuesi të huaj. Riorganizimi i marrëdhënieve politike do të përbënte edhe detyrën më të vështirë që do të kishte Wied-i, sapo të kishte formuar qeverinë e tij. Ndër kryetarët e qeverive lokale që u përmenden më sipër, IsmailQemali dhe Esat Pasha ishin më të rëndësishmit. Këta ishin gjithashtu të vetmit që mund të bënin rezistencë ndaj Wied-it. IsmailQemali bënte pjesë tek patriotët e sipërpërmendur shqiptarë që, në situatën e vështirë që po kalonte vendi, e shikonte të ardhmen e Shqipërisë të siguruar vetëm nën tutelën e Fuqive të Mëdha dhe të një princi të huaj. Me Esat Pashën, puna qëndronte ndryshe. Ai e pranoi ardhjen e princ Wied-it, vetëm pas ndërhyrjes së Kontrollit Ndërkombëtar të Komisionit.
Si IsmailQemali ashtu edhe Esat Pasha trembeshin se mos Wied-i zgjidhtenjërin apo tjetrin për t’u mbështetur pas tij, ç’ka edhe e shprehnin hapur. Për të mos u bërë pré e këtyre armiqësive, Ulmansky, e këshillonte Wied-in të zgjidhte ndërmjet dy mundësive. E para, të gjithë kryetarët e qeverive aktuale t’i emëronte si drejtues të administratës lokale të zonave që ata kishin nën administrim deri në momentin e ardhjes së tij në Shqipëri dhe, me ndihmën e tyre, të krijonte qeverinë e re dhee dyta që ishte dhe mundësia më e pranueshme për kushtet shqiptare, t’i emëronte këta persona në detyra të larta, por që të mos kishin ndikim mbi organizimin shtetëror. Kështu për shembull, IsmailQemalin ta dërgonte si ambasador në Londër, ndërsa Esat Pashën ta titullonte komandant të oborrit të tij. Zgjidhja e Ulmansky-t ishte interesante, por gjithsesi shumë e varfër për shijet dhe ambiciet e Esat Pashës. Ngjarjet do të tregonin se ai nuk ishte i kënaqur me postin e ministrit dhe jo më të një komandanti oborri.
Organizimi ushtarak shqiptar në prag të ardhjes së Wied-it
Në prag të ardhjes së Wied-it në Shqipëri, siç u theksua edhe më sipër, vetëm qeveria e Vlorës kishte një forcë ushtarake, me një ministri lufte si edhe një shtab madhor që drejtonte ushtrinë, e cila gjithsesi ishte në fazën e saj të formatimit. Megjithatë, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, kjo forcë ushtarake qëndronte nga pikëpamja organizative më pranë armës së xhandarmërisë sesa të një ushtrie. Ish oficeri i ushtrisë austro-hungareze, togeri Leon De Ghilardi, kishte ngritur në Vlorë një grup mitraljer, të përbërë nga mitralozë dhe një njësi këmbësorie, me rreth 300 burra.
Vlerësuar në përgjithësi, në Shqipërinë e kësaj kohe, organizimi ushtarak përbëhej nga xhandarmëritë e qeverive lokale, ish anëtarët e ushtrisë turke dhe popullsia e aftë për mobilizim. Sipas Ulmansky-t, numri i përgjithshëm i xhandarëve të gjithë qeverive lokale së bashku, ishte rreth 2000 burra. Mosha e tyre shkonte deri në 40 vjeç. Ata ishin të armatosur me mauzerë të prodhimit turk, shumica e të cilëve ishin ruajtur që nga koha e shërbimit në ushtrinë turke.
(Vijon nesër)
