Presidenti Wilson bëri çdo përpjekje që të ndalonte luftimet në Europë, por në Shkurt të
vitit 1917, Gjermanët filluan një luftë të pakufizuar me nëndetëse kundër të gjitha anijeve
tregtare, përfshi dhe anijet amerikane. Presidenti, menjëherë, preu marrëdhëniet diplomatike me
Gjermaninë. Më vonë po atë muaj, agjentët Britanikë zbuluan një komplot gjerman për të filluar
një luftë midis Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara. Në Mars, nëndetëset gjermane atakuan
anijet amerikane pa paralajmërim dhe populli amerikan i zemëruar kërkonte luftë.
Presidenti Wilsoni u bind, se Shtetet e Bashkuara nuk mund të rinë më neutralë. Në mbrëmjen
e 2 Prillit, Presidenti shkoi në Capitol me një eskortë kavalerie. Kur arriti përpara sesionit të
Kongresit, fytyra e tij ishte e tensionuar dhe e zbehtë. Ai foli me një zë të rëndë dhe gjithë
ndjenjë. Ai tha se veprimet nga Gjermanët ishin “në fakt, aspak më pak se luftë kundër qeverisë
dhe popullit të Shteteve të Bashkuara”. Duartrokitje të stuhishme përshëndetën fjalën e
Presidentit. Ai i kërkoi Kongresit të shpallte luftën kundër Gjermanisë, duke deklaruar, “Bota
duhet të jetë e sigurtë në demokraci”
Katër ditë më vonë, në 6 Prill 1917, Kongresi kaloi një rezolutë që i shpallte luftë Gjermanisë.
Udhëheqësit e luftës- Presidenti e provoi veten si një lider i madh në luftë, ashtu siç kishte qenë
edhe në paqe. Shumë fjalime të tij në mbështetje të Amerikanëve dhe Aleatëve, gëzonin shumë
njerëz kudo. Wilsoni foli për shumë çështje të luftës dhe përcaktoi qëllimin për të cilin luftojnë
demokracitë. Ai theksoi, gjithashtu, domosdoshmërinë për të bërë një botë më të mirë pas luftës.
Populli Amerikan u ngrit me shumë legjitimitet dhe patriotizëm. Shpirti kryqtar, thuajse histerik
në intensitetin e tij, përfshiu kombin amerikan.
Katërmbëdhjetë pikat- Wilsoni mbajti fjalimin e tij më të rëndësishëm në 8 Janar, 1918. Në
këtë fjalim në Kongres, ai njoftoi Katërmbëdhjetë Pikat që shërbyen si një udhërrëfyes për
marrëveshjen e paqes. Pesë pika ishin themele për idealet përgjithshme. Tetë pika merren me
probleme imediate politike dhe territoriale. Pika e katërmbëdhjetë bën thirrje për të krijuar një
lidhje të kombeve, që do të ndihmonte në ruajtjen e Paqes.
Këto pika literatura jonë historike i përmend shpesh por nuk i rreshton. Ja ato:
1-Të hapen konventat për paqe të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe të deklarohen ato pa
sekrete në të ardhmen.
2- Liria detare jashtë ujërave territoriale në kohë paqe dhe lufte, me përjashtim të rasteve të
veprimeve ndërkombëtare për të zbatuar traktatet ndërkombëtare.
3-Heqja e gjithë barrierave të mundshme ekonomike dhe vendosja e konditave tregtare të
barabarta midis kombeve.
4- Pakësimi i armatimeve kombëtare në nivelin më të ulët, aq sa duhen për sigurinë e
brendshme
5-Rregullimi i përgjithshëm dhe absolut i të gjitha kërkesave koloniale
6-Evakuimi i trupave gjermane nga gjithë territoret Ruse dhe t’i mundësohet Rusisë që të
vendosë në mënyrë të pavarur për zhvillimin e saj politik dhe për politikën e saj nacionale dhe të
mirëpritet ardhja e Rusisë në shoqërinë e kombeve të lira.
7-Evakuimi i trupave gjermane nga Belgjika dhe rindërtimi i atij kombi.
8-Evakuimi i trupave Gjermane nga të gjitha territoret franceze dhe t’i kthehet Alsace Lorrena
Francës.
9- Rirregullimi i kufijve të Italisë duke njohur qartë kufitë e nacionalitetit.
10- Vetëqeverisje e kufizuar për popujt e Austro-Hungarisë.
11-Evakuimi i Trupave gjermane nga Rumania, Serbia dhe Mali i Zi dhe të garantohet
independenca për vendet e Ballkanit.
12- Pavarësi për Turqinë, dhe një mundësi për vetë-qeverisje për nacionalitetet e tjera nën
Turqinë dhe të sigurohet që Dardanellet të jenë gjithmonë të hapura si një kalim i lirë për
anijet e gjithë kombeve.
13-Pavarësi për Poloninë.
14- “Duhet të formohet një lidhje e përgjithshme e kombeve me konventa specifike dhe me
qëllimin që të sigurojë garantimin reciprok të pavarësisë politike dhe integritetin territorial si
për shtetet e mëdha edhe për ato të vogla.”
Fjalimi i Wilsonit, pati ndikim të madh në moralin e gjermanëve gjatë muajve të fundit të luftës.
Në të njëjtën kohë, ato u dhanë gjermanëve bazën mbi të cilën ata do të kërkonin paqen. Në 9
Nëntor 1918, vetëm dhjetë muaj pasi Presidenti kishte shpallur katërmbëdhjetë pikat, Kaizer
Wilhelm i II, dorëzoi kontrollin e qeverisë gjermane. Dy ditë më vonë, Willsoni proklamoi
negociatat për amnisti.
Deklarata e Paqes –Pasi armëpushimi u firmos, Wilsoni vendosi të drejtojë delegacionin e
ShBA në konferencën e paqes në Paris. Ai donte që Katërmbëdhjetë pikat e tij të zbatoheshin.
Presidenti mendoi, gjithashtu, se ShBA-të duhet të përfaqësohen nga liderët e tyre politikë, ashtu
si edhe Britania e Madhe, Franca dhe fuqitë e tjera. Wilsoni caktoi delegacionin e paqes, në
përbërje të të cilit nuk bënte pjesë asnjë anëtar i Senatit U.S dhe asnjë Republikan me
influencë. Ai u kritikua për këtë dhe më vonë, kjo u bë shkak që Senati ta flakte traktatin
për të cilin u ra dakord në Paris.
Wilsoni e dinte se ShBA-të ishin i vetmi vend në tavolinën e paqes që nuk kërkonte asgjë për
vete. Ai besonte se do të ishte i vetmi përfaqësues nga fuqitë e mëdha, që do të kujdesej vërtet të
themelohej një Lidhje e Kombeve që do të parandalonte luftërat. Presidenti ishte i vendosur për
ta përdorur fuqinë dhe prestigjin e tij për të arritur një deklaratë përfundimtare për paqen, përfshi
një plan për Lidhjen e Kombeve.
Wilsoni ishte i pari President që kaloi Oqeanin Atlantik kur ishte, akoma, në zyrën e Presidentit.
Ai zbarkoi në Brest në Francë, në 13 Dhjetor 1918 dhe mëngjesin tjetër ai ecte rrugëve të
Parisit. Kurrë më parë, populli i Parisit nuk i kishte bërë një mbreti ose perandori një pritje kaq
të gëzuar. Banderola përshëndesnin ardhjen e Wilsonit me shkrimet “Wilson le Juste”. Nga
Franca Wilson shkoi në Angli ku ndenji në Pallatin Buckingham. Në Romë ai u takua me Papën
Benedicti i XV dhe ishte Presidenti i parë që bisedonte me një Papë, ndërkohë, që ishte në zyrën
e Presidentit të ShBA. Kudo ku shkoi në Europë, turma të mëdha njerëzish e përshëndesnin si
shpresa e njerëzimit.
Në Konferencën e Paqes në Paris, që u mbajt nga Janari deri në Korrik, Wilsoni realizoi, vetëm,
një pjesë të projekt-traktateve që ai dëshironte. Me qëllim që të siguronte mbështetje për Lidhjen
dhe për projektet e tjera që përmbaheshin në Katërmbëdhjetë Pikat, ai bëri kompromise për
shumë çështje madhore. Koncesionet që bëri, e dobësuan pozicionin e tij moral në sytë e botës,
ndonëse, siguruan themelimin e Lidhjes së Kombeve
Kundërshtarët e Lidhjes – Në Shkurt 1919, Wilson u kthye në ShBA për ta diskutuar
Lidhjen dhe traktatin e paqes me Senatin. Kushtetuta kërkonte 2/3 e Senatit të Sh.B.A. për të
aprovuar Traktatin, që përmblidhte edhe Lidhjen e Kombeve. Presidenti shpresonte ta qetësonte
kriticizmin që ishte ngritur në të gjithë vendin. Pozicioni politik i Wilsonit, tanimë, nuk ishte i
fortë. Në vitin 1918, Ai kërkoi zgjedhjen e Demokratëve në Kongres, si një tregues për besimin
personal, por votuesit amerikanë, zgjodhën më shumë Republikanë se sa Demokratë.
Wilsoni, shpejt, e kuptoi se ai nuk do ta fitonte ratifikimin e Senatit për Lidhjen, pa bërë disa
amendamente që do të kënaqnin kritikuesit e tij në vend. Ai shkoi përsëri në Paris në Mars
të vitit 1919 . Wilsoni u kthye në ShBA herët në Korrik, me tekstin e traktatit. Por, Ai gjeti
debate publike për çështjet e paqes në të gjitha krahët. Në Kongres ishte montuar opozita kundër
Traktatit për Lidhjen e Kombeve.
Opinioni amerikan për traktatin ishte i ndarë në tre grupe. Isolacionistët, të kryesuar nga
Senatorët Williams E. Borah, Hiram W. Johnson, dhe James A Reed, qëndruan fort kundër
Lidhjes. Ata argumentonin se ShBA nuk duhet të intervenojnë në “punët e Europës”. Grupi
i dytë i përbërë nga Wilsoni dhe pasuesit e tij, që thoshin se traktati duhet të ratifikohet pa
ndryshime dhe kompromise të rëndësishme. Grupi më i madh që udhëhiqej na Senatori Henry
Cabot Lodge, zuri një vend të ndërmjetëm midis Wilsonit dhe izolacionistëve. Ata ishin gati
të ratifikonin traktatin, por me ndryshime të rëndësishme. Disa nga këta burra, përfshi Lodge,
kërkuan ndryshime që do të pakësonin, ose eliminonin detyrimet amerikane në Lidhjen e
Kombeve.
Kolapsi i Wilsonit – Presidenti vendosi ta kalojë për aprovim tek populli amerika pikëpamjen
e tij për Lidhjen. Kjo ishte një metodë që kishte funksionuar me sukses për Wilsonin në të
kaluarën. Në 4 Shtator, Wilsoni filloi një turne bisedash nëpër Midwest dhe Far West. Doktori e
kishte këshilluar të mos e bënte këtë turne, sepse puna e tij e sforcuar disa vjeçare në të kaluarën,
e kishte dobësuar shëndetin e tij. Në 25 Shtator, Wilsoni mbajti një fjalim në Pueblo, Co, ku
kërkoi aprovimin për Lidhjen. Atë natë, ndërsa treni i tij nxitonte drejt Wichita, Kansas, Wilsoni
u rrëzua nga lodhja dhe tensioni nervor. Ai e anuloi pjesën e turneut që i kishte mbetur dhe u
kthye në Washington. Në 3 Tetor, Presidenti pësoi një goditje paralitike në tru.
Wilsoni mbeti invalid për gjithë jetën, por nuk hoqi dorë nga presidenca. Kushtetuta nuk e
theksonte qartë, në atë kohë, se kush e trashëgon fuqinë ekzekutive kur Presidenti sëmuret
rëndë, por nuk vdes dhe nuk jep dorëheqjen. Pas Tetorit, Wilsoni e la shtratin vetëm për ushtrime
të lehta rekreative, ose thjesht për detyra formale. Fuqitë e tij kishin rënë dhe gruaja ia drejtonte
dorën, kur duhej të firmoste dokumente zyrtare. Wilsoni nuk thirri asnjë mbledhje kabineti
deri në 13 Prill të vitit 1920. Përpara kësaj kohe, gjatë sëmundjes së gjatë të Wilsonit, Kabineti
mblidhej, jo zyrtarisht, dhe kryente detyra rutine të shtetit.
Nga shtrati ku lëngonte, Presidenti shikonte se po e humbiste luftën për traktatin e tij. Senatori
Lodge, kryetari i Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, e paraqiti traktatin për
votim në Nëntor 1919. Ai dhe komiteti i tij kishin shtuar 14 rezerva. Më i rëndësishmi prej
tyre deklaronte se, ShBA nuk ka obligim ta mbështesë Lidhjen e Kombeve, pavarësisht që
Kongresi, specifikisht, e kishte aprovuar me “joint resolution”. Wilsoni, mendoi se këto
rezerva do ta shkatërronin Lidhjen, dhe ai instruktoi Demokratët e Senatit të votojnë kundër
aprovimit të traktatit me rezervat e Lodge. Si rezultat. Traktati erdhi përsëri për votim në Mars
1920, por edhe këtë herë dështoi.
Wilsoni insistoi që traktati dhe Lidhja duhet të ishin çështja kryesore në fushatën Presidenciale
të vitit 1920. Platforma Demokratike e mbështeti Lidhjen, por Platforma Republikane e
kundërshtoi. Në zgjedhjet, Warren G. Harding i nominuari Republikan e mundi rëndshëm James
M. Cox oponentin e tij Demokrat. Ndërkohë, që në ShBA ekzistonin këto shqetësime, Lidhja e
Kombeve kishte vdekur.
Një muaj më vonë, në 10 Dhjetor 1920, Wilsoni fitoi Cmimin Nobel për Paqe, për punën e tij
për të themeluar Lidhjen e Kombeve dhe për kërkimin e një marrëveshjeje për paqen.
Vitet e fundit – Për, afërsisht, tre vjet pasi mandati i tij mbaroi në Mars të vitit 1921, Wilsoni
jetoi një pension të qetë në Washington. Ai formoi një partnership me Bainbridge Colby,
Sekretari i tij i Shtetit( i treti). Ndërkohë, Wilsoni, kishte rifituar përdorimin e pjesshëm të
duarve dhe këmbëve. Por gjendja e tij fizike, nuk lejonte më asnjë lloj pune. Ai shikonte ndonjë
film, dëgjonte librat dhe revistat që i a lexonin me zë, dhe ndonjëherë ftonte miq për drekë.
Wilsoni ishte plot besim se ngjarjet e ardhshme do të provonin pikëpamjet e tij të drejta, lidhur
me Lidhjen dhe termat e paqes. Në fjalimin e tij të fundit publik jashtë shtëpisë së tij, në Ditën e
Amnistisë në vitin 1923, para një grupi miqsh, Wilsoni deklaroi: “ Unë nuk mund të heq dorë
dhe të them: Se nuk jam njëri nga ata që kam patur ankthin për triumfin e principeve që unë
u qëndrova fort. Unë kam parë budallenj t’i rezistojnë Providencës përpara dhe kam parë
shkatërrimin e tyre, ashtu sic do të ndodhë përsëri me ata – shkatërrim i madh dhe përbuzje.
Ajo që do të mbizotërojë është aq e sigurtë, sa është Zoti që zotëron”
Wilsoni vazhdoi të durojë me dinjitet dhe qetësi goditjet. Por ai u tha miqve të tij se ai ishte “i
lodhur së notuari kundër rymës”. Në 3 Shkurt, 1924 ai vdiq kur ishte duke fjetur. Dy ditë më
vonë u varros në Kathedralen e Washingtonit. Ai është i vetmi President që është varrosur në
Washington D.C.
Dr. Adem Harxhi
Nënkryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane N.Y.
———
Shënim: Ky shkrim është marrë nga referati “ Shqipëria në Konferencën e Paqes në Paris”,
mbajtur në Sesionin shkencor të Akademisë, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë,
nw 27 Nëntor 2012
shum mir
Yes