Një gazetë e njohur amerikane thotë se zotëron një raport auditimi nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe dokumente të tjera sekrete që tregojnë se kjo agjenci “ka shkelur rregullat e privatësisë dhe ka tejkaluar autoritetin e saj ligjor me mijëra herë” që kur Kongresi i dha kompetenca më të zgjeruara në vitin 2008.
Gazeta Washington Post njofton se shumica e shkeljeve përfshin përgjimin e paautorizuar të amerikanëve apo objektivave të huaja të zbulimit në Shtetet e Bashkuara, gjë që kufizohet me ligj dhe me urdhëra ekzekutivë. Gazeta thotë se shkeljet variojnë nga “ të rëndësishme” në gabime tipografike që rezultojnë në “përgjime të paqëllimshme” të e-maileve dhe telefonatave në Shtetet e Bashkuara.
Washington Post thotë se ish kontraktori amerikan i zbulimit Edward Snowden ia dha gazetës dokumentet disa javë më parë. Sipas njoftimit, aty përfshihen hollësi dhe analiza “të cilat zakonisht nuk i dorëzohen Kongresit apo gjykatave speciale që mbikëqyrin programin e përgjimit.”