Pas vetëm dy javë e gjysmë kohë Xavi Hernandez do të festojë 34-vjetorin e tij, megjithatë mesfushori i Barcelonës nuk është shumë i sigurtë nëse do ta mbyllë karrierën te klubi blaugrana, ku në fakt luan që nga viti i largët 1998. Me një kontratë që i përfundon në vitin 2016 Xavi ndihet mirë fizikisht, madje sic shprehet ai vetë pavarësisht disa shqetësimeve të fundit ndihet më mirë akoma se në dy sezonet paraardhës, në këtë aspekt. Për momentin sidoqoftë kampioni i botës është shumë i kënaqur me situatën te Barca dhe në një intervistë të gjatë për revistën futbollistike “Panenka” ai flet gjerë e gjatë mbi ekipin, stilin e lojës apo dhe bën krahasimet ndërmjet dy trajnerëve Jose Mourinho e Pep Guardiola.
Xavi Hernandez – Është e vështirë që ta mbyll karrierën këtu. Nuk e di nëse do ta përfundoj pikërisht te Barca. Mua do të më pëlqente, por nuk e di se cfarë do të ndodhë në të ardhmen. Duhet t’i racionoj ca më mirë forcat, pasi më pëlqen të luaj gjithmonë. Këtu në Spanjë gazetarët fillojnë dhe e teprojnë kur shikojnë një lojtar mbi 30 vjec. Sinqerisht këto vitet e fundit janë pikërisht edhe vitet kur jam ndjerë më mirë gjatë karrierës sime. Më i pjekur dhe më mirë fizikisht. Gati gati më shumë urrej të humbas një top sesa të shpërdoroj ndonjë rast përpara portës. Tek e fundit jam i lumtur që luaj te Barcelona, për shkak të filozofisë së lojës. Do të ishte më mirë nëse do të isha sërish i lumtur te një klub tjetër, por prioriteti im mbetet gjithmonë Barca.
Xavi nuk arrin dot të kuptojë se si mund të vihet në diskutim stili i skuadrës blaugrana.
Xavi Hernandez – Ne gabojmë rëndë nëse fillojmë të mendojmë se me një tjetër stil futbolli mund të luajmë më mirë. Kështu funksionojnë gjërat këtu, më parë nuk prisnin asgjë prej nesh, ndërsa tani na kërkojnë që të bëjmë akoma më shumë. Është e vështirë për t’u rikthyer përsëri në nivelin ku ishim. Rezultati të jep qetësi, megjithatë njerëzit që nuk kuptojnë shumë nga futbolli kanë tendencën për të rendur pas rezultateve.
Përsa i përket shmangies nga tema të rëndësishme apo mos përfshirjes së tij në cështje politike dhe krahinore Xavi i bie shkurt.
Xavi Hernandez – Unë vij nga bota e futbollit. Për mua është njësoj nëse një lojtar është katalan, bask apo andaluzian, ndërsa maksimumi për një futbollist është të luajë me përfaqësuesen, e të shkojë në botëror. Është e dukshme të fitosh me ekipin tënd në Champions ky është maksimumi në nivel klubesh, por në nivel përfaqësueseje mbetet pjesëmarrja në një europian apo botëror. Po të përfshihem në gjëra të tjera e di shumë mirë që kjo shkakton probleme.
Xavi e quajti një tip tepër të vecantë ish-presidentin Joan Laporta, por shtoi se ka shkuar shumë mirë edhe me presidentët e tjerë Rossell, Gaspart dhe Nunez. Ai rrëfeu se i pëlqen shumë futbolli, por në të ardhmen nëse nuk bëhet trajner atëherë do t’i përkushtohet ekonomisë. Në fund 33-vjecari nga Terrassa e konsideron Pep Guardiola-n si një njeri shumë të rëndësishëm në jetën e tij dhe beson se Jose Mourinho ndikoi së tepërmi në përkeqësimin e marrëdhënieve të lojtarëve të Realit dhe Barcës brenda përfaqësueses spanjolle, deri në atë pikë sa u nevojit ndërhyrja e Iker Casillas për të ndërmjetësuar dhe për të zgjidhur problemet ndërmjet futbollistëve të këtyre dy skuadrave. Kjo nuk është ndonjë risi, sidoqoftë Xavi rrëfeu në intervistën e tij për revistën “Panenka” se nuk i pëlqen aspak stili i portugezit si dhe tendenca e trajnerit luzitan për të rendur pas rezultatit. Sipas kampionit të botës dhe të Europës askush nuk kujtohet për triumfet e Interit në Champions apo të Di Mateos me Chelsea-n për shkak të mënyrës së lojës, gjithsesi është lehtësisht e kuptueshme arsyeja përse nuk i pëlqen ky lloj stili mesfushorit të Barcelonës, pasi skuadra e tij u eliminua pikërisht nga këto dy ekipe nga Champions League./SS
