Ish ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj gjatë fjalës së tij në seancën parlamentare doli kundër vendimit të ministrit aktual të Brendshëm, Sandër Leshajt për ndryshime në ligjin për Vettingun në polici.
Deputeti socialist tha se ndryshimet nuk janë të duhurat dhe se kjo gjë do cënojë cilësinë e Vettingut në polici.
Xhafaj theksoi se politika e përbaltjes është riaktivizuar brenda dhe jashtë sallës së parlamentit.
Iniciativa për “Vetting” të të gjithë Policisë së Shtetit u ndërmor nga Xhafaj, gjatë kohës së ai mbante postin e Ministrit të Brendshëm.
Por Lleshaj ka kërkuar realizimin e disa ndërhyrjeve në ligjin ekzistues për Vettingun.
Ai tha se ndryshimet e propozuara nuk prekin thelbin e procesi të Vettingut, por për të përshpejtuar procesin.
“Problemi themelor që lidhet me këtë situatë ka të bëjë me kohën, e cila është në dispozicion për të mbyllur procesi e Vettingut.
Sipas ligjit aktual, procesi i Vettingut për 13 mijë punonjës të Ministrisë së Brendshme duhet të mbyllet në marsin e vitit të ardhshëm.
Ndërkohë që procesi ende nuk ka filluar dhe praktikisht është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që ky proces të mbyllet ashtu sikundër ligji e parashikon, pra në marsin e vitit të ardhshëm”, tha Lleshaj.
Më tej ai shtoi se ka edhe një tjetër arsye:
“Një arsye tjetër që ka të bëjë me kërkesën për të ndryshuar ligjin lidhet me volumin e madh administrative që kërkohet për të realizuar atë, kërkohet që rreth 240 punonjës me kohë të plotë, nga strukturat e Policisë dhe të SHÇBA, të shkëputen nga funksioni i tyre bazë dhe ti dedikohen Vettingut me kohë të plotë.
Pra kjo është një volum shumë i madh administrativ dhe këtij volumi administrativ i bashkëshoqërohet dhe një faturë jo e parëndësishme financiare, e cila shkon rreth 3 milionë dollarë, kosto e parashikuar e këtij procesi.”
Fjala e plotë
Duke qenë se tema kryesore në debatin e kësaj seance lidhet me Policinë, dëshiroj te shpreh disa mendime si deputet, por natyrisht edhe si ish-Ministër i Brendshëm që kam shërbyer në këtë funksion.
Ndihem krenar për shërbimin e kryer ndaj vendit dhe qytetarëve të tij kur shoh treguesit e vitit 2018. Shifra e fakte që flasin vet, por për ata që kanë sy të shohin e vesh të dëgjojnë.
Është fakt publik tashmë. Statistikat zyrtare për vitin 2018 konfirmojnë se në tërësi treguesit kryesor të nivelit të kriminalitetit gjatë vitit të kaluar, janë në nivelet më të ulëta historike. Disa tregues janë të krahasueshëm me standardet më të mira evropiane. Rezultate të paimagjinueshme më parë, bile në disa aspekte të konsideruara si të pamundura nga shumëkush.
Numri i vrasjeve me dashje vijoj trendin rënës. Në 2010 janë regjistruar 118 vrasje me dashje, në 2013 janë 107 vrasje dhe në 2018-ën kemi vetëm 51 ngjarje të tilla. Shifra më e ulët në 28 vjet.
Plagosjet e rënda janë gjithashtu në trend rënës. Në 2010 janë regjistruar 178 plagosje me dashje, në 2013 janë 163 të tilla dhe në 2018-ën kemi 135 plagosje me dashje.
Marrim një statistikë tjetër të rëndësishme, atë të vjedhjeve. Në 2010 janë regjistruar 231 vepra penale të vjedhjes, nga të cilat 164 janë vjedhje me dhunë dhe 67 prej tyre me armë.
Në 2013 janë 365 vepra penale të vjedhjes, nga të cilat 269 janë me dhunë e prej tyre 96 me armë.
Ndërkohë që në 2018-ën kemi vetëm 130 vepra penale të vjedhjes, 108 janë vjedhje me dhunë dhe prej tyre vetëm 22 raste janë përdorur armë. Një shifër rreth 3 herë më ulët se vitet e mëparshme.
Një tregues tjetër domethënës. Në 2010 janë regjistruar 627 raste të vjedhjes së mjeteve motorike, në 2013 janë 572 të tilla dhe në 2018-ën kemi vetëm 252 raste të vjedhjes së automjeteve të qytetarëve ose gati 3 herë më pak se në vitet e qeverisjes së PD me Lulëzim Bashën ministër.
Në një dallim të madh nga e shkuara e afërt dhe e largët për vepra të rënda penale, si vrasje, apo grabitje, jo vetëm janë zbuluar në kohë autorët e tyre, por çfarë është më e rëndësishme është bërë dhe arrestimi i tyre.
Tashmë është fakt i pranuar dhe certifikuar ndërkombëtarisht nga partnerët tanë ndërkombëtare se si një histori turpi e dështimi në vite të tëra më në fund e kthyem në një histori suksesi. Shqipëria nuk është më në hartën e vendeve evropiane ku kultivimi i kanabisit ishte një fenomen. Guardia di Finanza raportoj për vitin 2018 për vetëm 0,8 hektarë të dyshuara si të mbjella me kanabis, një shifër historike pas 25 vjet kultivimi të kanabisit.
Operacioni “Forca e Ligjit” gjatë vitit 2018 ishte një qasje e certifikuar e vullnetit real dhe organizimit efikas në luftën kundër krimit të organizuar. Në saj të këtij operacioni janë kryer 24 operacione duke goditur rreth 14 grupe të strukturuara kriminale, me rrezikshme të lartë shoqërore, me 232 persona të arrestuar.
Një tjetër operacion policor, Operacioni policor “Ndëshkimi i të fortëve” i zhvilluar gjatë 3 mujorit të tretë të vitit të kaluar përmes dhjetëra kontrolleve pro-aktive në territor ushtruar ndaj personave konkret me precedent penal, mundësoi ndalimin dhe arrestimin e rreth 350 personave nga të cilët rreth 190 persona ndër ata të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar.
Puna serioze dhe rezultatet e kanë bërë Policinë e Shtetit, institucionin më të besuar të publikut. Sondazhet e partnerëve tanë ndërkombëtarë gjatë vitit 2018 tregojnë se 63% e shqiptarëve, sot ndihen më të sigurt dhe i besojnë Policisë së Shtetit, ndërkohë që po këta qytetarë në 2013, më pak se 30 % e tyre e besonin këtë gjë.
Policia e Shtetit ka qenë po kjo, edhe në 2010 kur ministër i brendshëm ishte Lulëzim Basha edhe në 2013 kur PD u largua nga pushteti. Çfarë ka ndryshuar ?
Ka ndryshuar pikërisht vullneti politik, vullneti i kësaj mazhorancë, reformat e ndërmarra gjatë këtyre viteve qeverisjeje çka ka bërë që ajo që nuk mendohej, ajo që shumëkush edhe nga ne nuk guxonte ta imagjinonte, është tashmë një realitet i prekshëm. Rezultate që më së pari janë meritë kryesore e punonjësve dhe drejtuesve të policisë së shtetit, burrave dhe grave të përgjegjshëm që i shërbejnë me devotshmëri, sakrifica e profesionalizëm atdheut e qytetarëve.
Policia nuk është e nuk mund të jetë pasuri e partive, as e pushtetit te radhës, por një nga shtyllat kryesore të shtetit te se drejtës dhe aleati kryesor i qytetarit.
Qëllimi i gjithkujt që pretendon ta motivojë dhe udhëheqë atë duhet te jete një dhe vetëm një : Një Polici besnike ndaj kushtetutës e ligjit, një Polici e standardit evropian, ku të shërbejnë njerëz me integritet moral dhe profesional.
Në kushtet kur ndër vite pranimi apo ecuria në karrierë janë bërë mbi kritere ekstra ligjore, militante e jo profesionale, një proces thelbësor Vetingu është dhe mbetet instrumenti kyç për ta kthyer policinë ne këtë standard. Dikush edhe mund të vazhdojë t’u thotë publikisht apo privatisht, shqiptarëve apo partnerëve tanë ndërkombëtarë, se Vetingu në polici është një paranojë e ish-Ministrit të Brendshëm. Unë jam paranojak për këtë proces aq sa janë kolegët tanë në Amerikë, Gjermani, Britani të Madhe, Francë e gjetkë ku një proces të tillë, shumë më të detajuar, e zhvillojnë rregullisht për cilindo që shërben në radhët e Policisë.
Koha do na japë të drejtë, siç na ka dhënë të drejtë me procesin e Vetingut të drejtësisë. Jam i keq ardhur që për arsye krejt subjektive, me argument dhe alibi false ligji për Vetingun në polici nuk u bë i zbatueshëm në kohë.
Ndërsa për dy vjet ne miratuam me shumicë të cilësuar dhe futëm në procesin e zbatimit ligjin për Vetingun në drejtësi, po na duhen dy vjet të bëjmë efektiv një ligj me shumicë të thjeshtë e tërësisht të lidhur me vullnetin tonë. Gjithsesi më mirë vonë se kurrë !
Nuk është herezi ndryshimi i ligjit. Nuk ka ligj perfekt dhe përherë ka vend për reflektime. Gjithsesi në vlerësimin tim, ndryshimet që i bëhen ligjit nuk janë ndryshimet e duhura për disa arsye :
Së pari, druaj se nga ky mekanizëm mund të cenohet pavarësia, paanshmëria dhe besueshmëria e vet procesit. Kemi të bëjmë me një skanim të një lloji të veçantë që në gjykimin tim nuk mund të bëhet, për herë të parë, nga SHCBA, një organ në varësi të Ministrit të Brendshëm. Jo pa qëllim në mekanizmin ekzistues në ligj, për fazën e dytë dhe të tretë, parashikohet që komisionet të përbëhen nga punonjës të vetë organeve që kalojnë me sukses në fazat paraardhëse.
Një nga sukseset e procesit të Vetingut në drejtësi është pikërisht se është i besueshëm për të gjithë, për shkak të pavarësisë së plotë që i karakterizon këto institucione.
Së dyti, mendoj se cenohet cilësia dhe shpejtësia e vetë procesit. Ndoshta gabohem, por për momentin dhe për shumë kohë SHCBA nuk ka e nuk mund të ketë kapacitetet e duhura për ta kryer këtë lloj procesi. Ti besosh Vetingun e 13 mijë punonjësve një institucioni që ka në total rreth 110 punonjës, përfshirë ata që kryejnë detyra të tjera të caktuara me ligj apo ata të shërbimeve mbështetëse, vlerësoj se do ta ngadalësojë më shumë procesin.
Së treti, vlerësoj se argumenti financiar që dje dhe sot gjithashtu sillet si alibi e vonesave në implementim nuk është i justifikuar. E gjithë ajo shumë që pretendohet se do kursehet me këtë zgjidhje, pra rreth 2 milionë euro, është totalisht e papërfillshme në raport me benefitet që sjell një proces i tillë. Për me tepër vetëm vitin e fundit Policia ka sekuestruar rreth 30 milionë Euro në asete kriminale, që shkojnë për buxhetin e shtetit.
Gjithsesi është gjë pozitive që me ndryshimet nuk preket thelbi i vlerësimit, nuk preken kriteret, mënyra dhe procedura që e karakterizon këtë proces.
Besoj fort në një gjë : Asnjë punonjës i ndershëm në Policinë e Shtetit apo institucionet e tjera nuk i trembet këtij procesi.
E gjithë pjesa e shëndetshme ndër to e ka kuptuar qartazi se Vetingu është një instrument vlerësimi dhe certifikimi për të gjithë ata që përditë rrezikojnë jetën për ne të gjithë, për të gjithë ata që sakrifikojnë çdo orë të ditës e të natës për t’ju shërbyer qytetarëve.
Ngritja e një trupe policie me elementë që përmbushin standardet profesionale, me integritet njerëzor dhe të paprekur nga dukuritë kriminale, është përpjekja kyçe për të rritur më tej frymën pozitive brenda strukturave të Policisë së Shtetit, një garanci e fortë për të sotmen dhe të ardhmen e rendit, qetësisë dhe sigurisë në vend.
Jam mëse i vetëdijshëm që reforma e drejtësisë dhe shumë nga rezultatet e forcës goditëse të policisë së shtetit, kanë prekur jo pak interesa kriminale, e jo vetëm në grupet kriminale por edhe të disa zyrtarëve, politikanëve dhe një pjese të media të lidhur me fije të shumta interesash financiare e kriminale me to.
Është kjo arsyeja që Policia e Shtetit ka kohë që gjendet nën një sulm dhe përbaltje sistematike e cila synon zbutjen e forcës reaguese të policisë, zbehjen e rezultateve të saj dhe uljen e besimit të qytetarëve dhe partnereve ndaj trupës së policisë.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve, unë besoj shumë fort se kjo është një rrugë pa kthim; se përballja e gjithë këtyre interesave kriminalë me drejtësinë e duhur është e pashmangshme.
Besoj se ngritja së shpejti e SPAK dhe BKH është një garanci e fortë për këtë gjë.
Politika e baltës dhe e përbaltjes është riaktivizuar ndjeshëm edhe këto ditë. Është bërë më se e qartë, për këdo brenda dhe jashtë kësaj salle, se gjithë historitë e montuara apo tinëzisht të shfrytëzuara edhe këto ditë nga lolot e Partisë Demokratike nuk kanë për qëllim vërtetësinë e aq më pak drejtësinë.
Në këtë absurditet nuk dua të ndalem shumë, pasi vërtetë rrezikoj ta marr seriozisht budallallëkun me brirë që udhëheq këta njerëz.
Frika nga përballja me drejtësinë është sigurisht arsyeja e vërtetë.
E kam thënë edhe më parë në këtë sallë. Jam njeri i ligjit dhe do të pres me qetësi institucionet e ligjit të bëjnë detyrën konform ligjit. Jam zyrtar i shtetit, ligjvënës dhe kam detyrimin të respektoj dhe të pres me durim veprimin dhe përfundimet e institucioneve të shtetit tim.
b.b/dita

Kesaj i thone : Hajdutet ne polici na duhen, i kemi njerezit tane!!!!!! Lleshaj mbron te korruptuarit , Xhafaj i shpall lufte.
Xhafa te kap vettingu kujdes je i pleksur
Sikur të kishim më shumë shtetarë të tillë Shqipërija do ishte në binarë përsëmbari.
Inteligjent, i ndershëm, i pa përtuar dhe i pa përkulur.
Si njeri i drejtpërdrejtë qe i pari që ja përplasi Ilirit dredharak: dashurinë e ke humbur prej kohësh por së paku ruaj qetësinë. COPË, TROÇ
I kemi një borxh të madh për hartimin e reformës ne drejtësi (vetingun qëbi çmendi zagarët hajdukë kriminelë)
FALËNDERIM!
O Fidel (jo Kastro),po ti me cilin je?