Kryetari i ri i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, në takimin e sotëm të realizuar në kabinetin e tij me përfaqësuesit e medias, përsëriti se Presidenti Gjorge Ivanov duhet të mandatojë udhëheqësin e shumicës parlamentare për të formuar qeverinë e re dhe alternativë tjetër nuk i mbetet, raporton Anadolu Agency (AA).
“Si kryeparlamentar detyrimet e mia për të njoftuar presidentin për krijimin e shumicës parlamentare i kam kryer dhe nuk jam i detyruar t’i lutem presidentit të japë mandatin për formimin e qeverisë së re”, theksoi Xhaferri.
“Sipas kushtetutës, presidenti i vendit nuk ka të drejtë të kërkojë asgjë nga shumica parlamentare, por ka si detyrim të të japë mandatin, sepse refuzimi është shkelje e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë”, shtoi ai.
Kryeparlamentari i ri bëri të ditur se presidenti është njoftuar më 9 maj, ndërsa zyrtarisht letrën e ka pranuar më 10 maj. Ivnaov ka afat prej 10 ditëve që të japë mandatin, në të kundërtën theksoi Xhaferi, shumica parlamentare ka të drejtë që pa pengesa të zgjedhë qeverinë e re, pa mandatin e presidentit Ivanov.
