Xhelal Mziu, kryetari i Bashkisë Kamëz shkruan në Facebook se ai e përfaqëson çdo vit Kamzën në një konferencë ndërkombëtare për cilësinë e ujit të pijshëm, e cila zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai thekson me krenari se në këtë konferencë shkëmbehen përvoja midis delegacioneve nga shtete e qytete nga e gjithë bota, që me anë të leksioneve, seminareve, vizitave në ekspozitë dhe forumeve të ndryshme që organizohen, tregojnë arritjet dhe sukseset e tyre.
Sipas tij delegacionet e Bashkisë e kanë shfrytëzuar këtë konferencë si rast i shkëlqyer për të paraqitur edhe sukseset e Kamzës në lidhje me shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm, në lidhje me kërkimin, hulumtimin, trajnimin dhe zgjedhjen e teknologjive të reja në këtë fushë.
Por situata e Kamzës në të vërtetë duket krejt ndryshe.
Në një prononcim të tijin që duket mëse i besueshëm, Safet Gjici e paraqiste si më poshtë tabllonë reale të Kamzës: “Mbi 70% e lagjeve nuk kanë ujë dhe familjet paguajnë fatura. Me këtë projekt që paraqiti Mziu ka marrë vota për 8 vjet me rradhë dhe nuk e bëri asnjëherë. Kudo që kam vajtur nuk ka rrjet ujësjellësi dhe kanalizimesh. Banorët furnizohen me bote dhe paguajnë faturat e ujit të pijshëm”.
