Atleti jugafrikan Oskar Pistorius, pjesëmarrës në Lojërave Olimpike të Londrës, ka vrarë të fejuarën e tij modele në ditën e të dashuruarve. Ndonëse hipotezat e para dëshmonin për një krim aksidental, më vonë policia zbuloi se ekzistojnë prova të shumta që vrasja ishte e qëllimtë
Një tragjedi ndodhi mëngjesin e së enjtes në Afrikën e Jugut, në banesën e Oskar Pistorius, të parit atlet paraolimpik që ka marrë pjesë në Olimpiadë. Oskar Pstorius vrau me disa plumba pistolete të dashurën e tij, modelen Riva Stinkemp. Gjatë hetimeve të para policia nuk pranoi të zbulonte identitetin e viktimës e as të vrasësit të dyshuar, duke deklaruar vetëm se një grua e vdekur ishte gjetur në banesën e Pistoriusit dhe që një 26-vjeçar ishte arrestuar. Por konfirmimi erdhi nga babai i Oskarit, Henke Pistorius, i cili pranoi se i biri ishte arrestuar për vdekjen e së dashurës.
Shtëpia e Pistoriusit ndodhet në lagjen elegante “Silverleiks” në Pretoria, 70 kilometra në veri të Johanesburgut. Dhe hipotezat e para ishin se atleti e kishte vrarë gabimisht të dashurën, e cila i kishte përgatitur një surprizë për ditën e Shën Valentinit: Stinkemp ishte futur fshehurazi në dhomën e gjumit të të dashurit midis orës 4 dhe 5 të mëngjesit për t’i bërë një surprizë. Por ai i zgjuar rrëmbimthi dhe i trembur me mendimin se mund të ishte ndonjë hajdut, kishte marrë pistoletën në komodinë dhe kishte hapur zjarr.
Por, asnjë gabim, Oskar Pistorius e ka vrarë vullnetarisht të fejuarën. Policia jugafrikane është plotësisht e bindur dhe e përjashton hipotezën se sportisti e kishte ngatërruar modelen me një hajdut. Sipas mediave lokale, fqinjët e tij kanë dëgjuar të qara dhe britma nga banesa e atletit dhe hipoteza më e besueshme është që Pistorius ka hapur zjarr në kulmin e një grindjeje me Stinkempin.
Gazeta “Telegraph” bëri të ditur se në të kaluarën policia ka qenë në dijeni të disa rasteve për “denoncime të dhunës në familje” nga shtëpia e Oskar Pistoriusit, por nuk dha detaje për akuzat.
Modelja 30-vjeçare u vra me katër plumba pistolete, të cilat ajo i ka marrë në kokë dhe në krahë. Mjekët e mbërritur menjëherë në vendngjarje u përpoqën ta shpëtonin, por për të ishte tepër vonë sepse kishte pësuar vdekje të menjëhershme. Në shtëpinë e Pistoriusit u gjet një pistoletë kalibër nëntë. “Kemi gjetur vetëm një pistoletë 9 milimetërshe dhe një burrë u arrestua”, tha zëdhënësja e policisë, Katlego Mogale. Shtypi lokal shkruan se për të dhënë versionin e tij për rrjedhën e ngjarjes, atleti do të dalë përballë Gjykatës së Pretorias.
Stinkemp ishte konsideruar si një nga 100 modelet më të bukura të botës, sipas klasifikimeve të revistave të ndryshme të modës. Bjonde, shumë sensuale, ajo ka qenë protagoniste e shumë kopertinave dhe fushatave publicitare. Ndër të tjera, ajo ka qenë ‘fytyra e parë’ e markës “Avon” në Afrikën e Jugut, si dhe ka qenë prezantuese e televizionit ndërkombëtar “Fashion Tv” në të njëjtin shtet.
Universi i “Twitter”-it u mësy nga një numër i madh mesazhesh ngushëllimi për vdekjen e modeles. “Nuk duhet të ndodhë kurrë që një prind të varrosë fëmijën e tij”, shkruhet në një prej mijëra mesazheve. Në faqen e saj në “Twitter”, Stinkemp e përshkruan veten si e diplomuar në jurisprudencë, modele, konkurrente e “Tropikal Island of Treasure” dhe bijë e Zotit.
Afrika e Jugut ka një nga normat më të larta të krimit në botë dhe 13 në 100 banorë kanë leje për të mbajtur armë në shtëpi, për vetëmbrojtje.
Përktheu: Dorina Gjuzi