Xhevahir Spahiu, poeti me dy vendlindje

anazapta

Studentët e Univesitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, nën kujdesin e Prof. Dr. Bardhosh Gaçe dhe pedagoges Edlira Duro (Çekrezi), organizuan një diskutim mbi librin e shkrimtarit Nuri Dragoj, kushtuar poetit të mirënjohur Xhevahir Spahiu. Diskutantët  thesuan se shkrimtari na ka sjellë në këtë libër poetin e papërsëritshëm të letërsisë sonë, i cili ka dy vendlindje, Slkraparin dhe Vlorën, ndaj dhe në poezitë e tij vështirë të ndahet mali nga deti. Nuri Dragoj ka realizuar një monografi tërheqëse, të realizuar artisikisht, plot jetë, sfida e arritje. Ai na jep fëmijërinë e vështirë të poetit, sintezë e kohës, e cila do të përcaktonte dhe rrugën e vështirë të poetit në jetë, do ta kaliste dhe përgatiste atë për të përballuar vështirësitë që do t’i dilnin në jetë. Jeta qe e vështirë si edhe koha. Atë e vështirësonte dhe natyra rebele e poetit, që donte ta thoshte fjalën të lirë si e mendonte.

Dragoj tregon se Xhevahiri lindi në një kohë të trazuar, në mesin e shekullit të luftrave, atëherë kur lokomotiva duket se bën një ndalesë, hedh vështrimin mbi gjurmët e qindvjeçarit që ende s’janë fshirë, pastaj largohet në binarët e trasesë, e cila zgjatet mbi kufomat e ëndrrave të patretura. Mori jetë atje ku qëndrojnë perënditë, në lartësitë e natyrës dhe madhështisë së korieve, atje ku e mat veten me malet, ku kuvendon me hyjnitë. Vargjet e poetit tregojnë se ky popull s’ka qenë në gjumë asnjëherë, s’ka qenë memec. Ka folur me krisma, por ka thënë edhe fjalën e tij, atëherë dhe atje ku duhej, aq sa ka mundur, me zëdhënësit e vet, dijetarë e diplomatë, që kanë ideuar perandori, filozofë që kanë ndriçuar mendjet njerëzore. Ka shkruar për vendin e tij, që i ka gëlltitur ngjarjet sipas mënyrës së vet, duke mbetur ashtu, i virgjër në kryeneçësinë e tij, i lirë brenda hapësirave të veta, përsëri miqësor edhe me ata që i kanë treguar bajonetat dhe zjarrin, ushqyer nga fisnikëria, jo nga përulja apo ndjenja e të qenit i vogël. Monografia e studjuesit Nuri Dragoj është një libër që flet shumë për këtë personalitet të letrave shqipe, libër që zbulon gradualisht ajzbergun e Malindit nga fëmijëria e largët në vendlindjen e tij,  marrëdhëniet e para me shkollën e njerëzit, raportet me sfidat e një fëmije me karakter rebel që shpërfill kurdoherë rrezikun, duke na dhënë hap pas hapi shtëgëtimin e poetit nëpër shtigje të vështira të jetës.

 

***

Botime  

“Nuk jam engjëll”, Brunilda Zllami.

Po flitet shumë për letërsinë e angazhuar, atë letërsi që të bën të mendosh, të kuptosh dhe të reagosh. Pikërisht në këtë drejtim rrjedh romani i ri i Brunilda Zllamit. Jetë grash të zakonshme, nga ato që hasim çdo ditë. Në karrierë apo shtëpiake, ato janë në kërkim të lumturisë.

“Rruga për në shtëpi”, Fabio Volo

Markoja nuk ka zgjedhur kurrë, sepse ka frikë se mos njëra zgjedhje i përjashton gjithë të tjerat. Nuk ia ka vënë veshin kurrë askujt, përveçse vetes. Duket sikur u thotë të gjithëve: “Mund të më doni, por qëndromëni larg.”

“Miti i Kombeve”, Patrick Geary

A ekziston dhe a është në krizë identiteti europian? A ekziston realisht një Europë e bashkuar,  Në përpjekje për të treguar lindjen e Europës, Geary hedh tezën e guximshme që e çon krijimin e identiteteve tona jo larg në kohë.

“Ikje nga Bizanti”, Pëllumb Xhufi

Titulli i këtij vëllimi shënon një moment të karrierës së vetë autorit, Pëllumb Xhufit, në vitin 2009, kohë kur ai shkëputet nga politika: ikja nga Bizanti është si të thuash ikje nga politika. Ky vëllim përfshin vetëm shkrime të zgjedhura të autorit, të botuara në shtypin e shkruar. Ai fillon me një artikull, që u shkrua “si për inat” në përgjigje të një shkrimi provokativ të botuar në një nga të përditshmet, ku autori rrekej të provonte origjinën “arumune” të Nënë Terezës. Pavarësisht të gjithave, kjo nuk do të thotë aspak se ky vëllim është një arsenal “lënde reaktive”. Aty gjen trajtim “të qetë” të temave aktuale, por edhe analiza e retrospektiva historike, të cilat të vendosura përballë njëra-tjetrës tregojnë se sa pak kanë ndryshuar gjërat nën qiellin tonë, edhe pas njëqind vjetësh të ekzistencës së shtetit shqiptar.

 

“Antologji e mendimit shqiptar”, Ndriçim Kulla

Në këtë vëllim janë përmbledhur disa nga shkrimet më të mira të Vaso Pashës, Sami Frashërit, Luigj Gurakuqit, Mithat Frashërit, Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Fan Nolit, Eqrem bej Vlorës, Branko Merxhanit, Mehdi Frashërit, Anton Harapit, Xhuzepe Valentinit, Vangjel Koçës, Tajar Zavalanit, Krist Malokut, Ernest Koliqit, Stavro Skëndit, Nebil Çikas, Safet Butkës, Ismet Totës, Nonda Bulkës, Sejfulla Malëshovës, Zef Malës, Arshi Pipës dhe At Gjon Shllakut. Autori i këtij libri ka përgatitur dhe strukturuar për botim librat “Misioni i shekullit të XX” të Tajar Zavalanit, “Në udhën e shqiptarizmës” të Vangjel Koçës, “Oriental apo Oksidental” të Krist Malokut dhe “Vepra” të Branko Merxhanit, në të cilat pasqyrohet mendimi i zgjedhur i këtyre intelektualëve të viteve ’30 në shtypin e kohës.

 

***

Të jetuarit është vuajtje, të mbijetuarit është gjetja e një kuptimi për vuajtjet

 Friedrich Nietzsche

Liria: Një nga gjërat më të çmuara të imagjinatës

Ambrose Bierce

Merr seriozisht çdo gjë që do, me përjashtim të vetes

Rudyard Kipling

Sovraniteti i vetes mbi veten është quajtur Liri

Albert Pike

Mosmirënjohja është esenca e poshtërsisë

Immanuel Kant

Njerëzit shpesh thonë se motivimi nuk zgjat shumë – kështu ndodh edhe me larjen, prandaj rekomandohet çdo ditë

Zig Ziglar

Sa më shumë mëson për dinjitetin e gorrillave, aq më shumë dëshiron t’u shmangesh njerëzve

Dian Fossey

Mëso se çfarë je dhe bëhu i tillë

Pindari

Një shtet nuk është shtet, nëse i takon vetëm një njeriu

Sofokliu

Bëni zakon një prej te dyjave: ndihmoni tjetrin, ose të paktën mos i bëni keq

Hipokrati

Liria e mendimit mund të ekzistojë vetëm kur qeveria ndjehet e sigurt

Bertrand Russell

Disa njerëz vdesin 25 vjeç dhe nuk janë varrosur deri sa mbushin 75

Benjamin Franklin

Disa njerëz mendojnë se luksi është e kundërta e varfërisë. Nuk është. Luksi është e kundërta e vulgaritetit

Coco Chanel

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *