Xhevahir Sukaj pezullohet me 5 ndeshje nga Disiplina

redaktor

5 ndeshje pezullim për Xhevahir Sukajn. Është ky ndëshkimi i Komisionit të Disiplinës për sulmuesin e Partizanit, që paguan në këtë mënyrë gjestin antisportiv ndaj Arapit në ndeshjen e luajtur të shtunën në Korçë me Skënderbeun, ku u ndëshkua dhe me karton të kuq.

Në vendimin e zbardhur të Disiplinës thuhet se Sukaj për goditje me grusht ndaj lojtarit kundërshtar dënohet me pesë ndeshje pezullim nga aktiviteti. Gjithsesi rregullorja e FSHF e lejon Partizanin që ta konvertojë dënimin e Sukajt në gjobë pas shlyerjes së më shumë se gjysmës së tij, kështu që ekzistojnë të gjitha mundësitë që shkodrani të mungojë në tre ndeshje, më konkretisht ndaj Teutës këtë të mërkurë në takimin e fundit për 2015, si dhe në vitin e ardhshëm ndaj Laçit dhe ndaj Flamurtarit.

Sukaj menjëherë pas atij episodi shfaqi pendimin e tij, duke kërkuar publikisht ndjesë në një intervistë për Supersport. Por dënimet e Disiplinorit nuk mbarojnë këtu, pasi Partizani për sjelljen e gabuar të tifozerisë së tij në kryendeshjen e javës së 17-të, do t’i duhet ta luajë ndeshjen e radhës në shtëpi, pikërisht atë me Teutën pa tifozë, si dhe do t’i duhet të paguajë një gjobë prej 1 milionë lekësh të vjetër. Gjithashtu klubi i kuq në bazë të vendimit të Disiplinorit është i detyruar të dëmshpërblejë Skënderbeun për stolat e dëmtuar në stadium gjatë ndeshjes, me vlerën e tregut.

Edhe pse vendimet e Disiplinës bien më së shumti në kurriz të Partizanit, nuk ju ka shpëtuar atyre dhe Skënderbeu, që për sjelljen e keqe të tifozerisë korçare dënohet me zhvillimin e dy ndeshjeve pa tifozë në stadiumin e tij. Një dënim që e penalizon jo pak ky klubin korçar, pasi nëse i hedh një sy të shpejtë kalendarit bie në sy se takimet e radhës në shtëpi janë ato ndaj Kukësit, i vlefshëm për javën e 20-të në datë 6 shkurt, si dhe takimi i javës së 22-të kur skuadra e Josës do të presë Tiranën, pra dy ndeshje tejet të rëndësishme. Gjithashtu për sjelljen e tifozëve Skënderbeut do t’i duhet të paguajë edhe një gjobë prej 2 milionë lekësh.

Me gjoba më te lehta ndërkohë, gjithmonë për sjelljen e tifozerive respektive janë dënuar dhe Tirana, Vllaznia dhe Laçi, që do t’u duhet të paguajnë nga 200 mijë lekë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *