Xhevat Lloshi dhe stilistika shqipe

Ornela

Prof. Shefkije Islamaj

Prej vitit 1960 kur Xhevat Lloshi asokohe 22 vjeçar botoi shkrimin e tij të parë me titull Sa më pak gabime! në revistën ”Arsimi popullor” e deri sot kur ka mbushur 80 vjet jete e pune shumë të frytshme e të suksesshme, ai ka botuar numër të madh veprash shkencore fushash të ndryshme, numër të madh studimesh, trajtesash, artikujsh, recensionesh, kronikash, bibliografish e deri fjalorësh gjuhësorë. Në krijimtarinë e tij shkencore ai trajton me kompetencë të lartë shkencore e profesionale çështje nga më të ndryshme gjuhësore e letrare, nga historia e moçme e dokumentuar e shqipes dhe nga historia e saj e re, probleme teorike e praktike të leksikut e të leksikologjisë, të fjalorit e të leksikografisë, të teorisë së gjuhës standarde e të kulturës së gjuhës, të gramatikës e brenda saj të morfologjisë e të formimit të fjalëve, të neologjisë e të semantikës, çështje të filologjisë e të gjuhësisë krahasimtare. Ai, njëkohësisht, botoi edhe shkrime të shumta për përvjetorët e rëndësishëm të kulturës shqiptare, për figura të rëndësishme albanologjike, shqiptarë e të huaj, dhe për numër të madh librash shumë të vlefshëm, gjuhësorë e jo gjuhësorë. Xhevat Lloshi njihet edhe si përkthyes i shkëlqyer i një numri të konsiderueshëm të veprave albanologjike dhe jo vetëm.

Por, Xhevat Lloshi, me dijen, përvojën, punën, përkushtimin dhe kompetencën e lartë shkencore e profesionale i ka dhënë kontribut shumë të çmueshëm edhe stilistikës shqipe.

Që nga viti 1977 kur në Degën e Gjuhës Shqipe të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës nisi të jepej si lëndë më vete stilistika, kur u botua libri Gjuha, stili dhe redaktimi në shtyp, kur mori nxitjen për hartimin e librit Njohuri për stilistikën e gjuhës shqipe, që u botua dhjetë vjet pas, më 1987, dhe kur u hap rruga për ta plotësuar e për ta sjellë atë në një format të ri përmbajtjesor me titullin Stilistika dhe pragnatika, botuar më 1999, e deri sot, pra për më shumë se 40 vjet, për të gjithë ata që janë marrë në çfarëdo mënyre me stilistikën, ose që gjatë studimeve të tyre gjuhësore e letrare janë marrë drejtpërdrejt edhe me çështje stilistike patjetër se mbështetja kryesore referente për ta ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë Stilistika e Xhevat Lloshit, përkatësisht ishin këta tre libra e tij të sipërpërmendur, por edhe një numër i madh studimesh e trajtesash stilistike të botuara në periodikun shkencor përgjatë pothuajse pesë dekadash. Këta tre libra janë përdorur e përdoren në mbarë hapësirën shqiptare dhe në të gjitha institucionet e larta arsimore e shkencore ku jepet kjo lëndë. Këto janë të vetmet vepra për stilistikën e gjuhës shqipes që janë në përdorim në këto institucione. Xhevat Lloshi, prandaj me të drejtë, konsiderohet institucionalizuesi i lëndës së stilistikës si disiplinë akademike në arsimin e lartë në Shqipëri e në Kosovë, si njohësi më i mirë i stilistikës, si ligjërues i shkëlqyer i stilistikës dhe si autor pra i tri teksteve bazë të stilistikës së gjuhës shqipe.

Tradita e studimeve stilistike për gjuhën shqipe, siç e dinë studiuesit që merren me çështje gjuhësore stilistike, është e pakët deri në gjysmën e shekullit 20. Nisur me pak shënime a shkrime të shkurtra në periodikun e fundshekullit 19 e në fillim fillim të shekullit 20 dhe këto të lidhura më shumë me kërkesat e shkollave që po hapeshin asokohe dhe me nevojat e periodikut ku botohej letërsi artistike dhe shkrime natyrash të ndryshme, kjo traditë në gjuhësinë shqiptare erdhi duke u pasuruar hap pas hapi. Në historinë e stilistikës shqipe njihen këto tekste që konsiderohen si të parat: Vargënimi n’gjuhë shqype i Luigj Gurakuqit (1912), Mjeshtëria për të shkruar letra e Sevasti Qiriazit (1917), Priisi n’lamë t’letratyrës i Anton Xanonit (1920), Letratyra e gjuhës shqipe e Justin Rrotës (1925) dhe Fillime të stilistikës e të letresisë së përgjithshme e Aleksandër Xhuvanit e Kostaq Cipos (1930). Me gjithë këto botime e shkrime, sado modeste, me gjithë përpjekjen që stilistika e gjuhës shqipe të ngrihet si disiplinë e formësuar në gjuhësinë shqiptare, deri në fund të viteve ’70 si duket nuk u arrit të krijoheshin kushtet për të pasur një tekst sado më të plotë për nevojat e shkollës shqipe që tashmë kishte kaluar tre çerekshekullin e vet e sidomos për arsimin e lartë shqiptar në Tiranë e Prishtinë. Në tre dhjetëvjetëshat e fundit të shekullit ’20, me veprat e Xhevat Lloshit, dhe me një mori shkrimesh të tij të po kësaj fushe, sigurisht dhe pak a shumë edhe të autorëve të tjerë, stilistika e gjuhës shqipe përfundimisht mori të mbarën në rrugën e saj të zhvillimit.

Të gjithë ata që kanë mësuar nga profesor Xhevat Lloshi në auditorët universitarë dhe të gjithë të tjerët, pra si studiues e si lexues që kanë mësuar shumë prej librave të tij, prej studimeve, trajtesave, artikujve, intervistave të tij dhe që kemi dëgjuar fjalën e tij të gjallë në konferencat e simpoziumet shkencore, por pse jo edhe në bisedat e drejtpërdrejta e joformale, ku profesori me zotësi të rrallë ka dhuruar pareshtur shumë dije e informacione, shumë përvojë e profesionalizëm, parimësi të rrallë e gatishmëri të pashoqe për të ndihmuar të tjerët, e dinë dhe e ndien mirë kontributin e tij të madh dhënë jo vetëm stilistikës shqipe po albanologjisë në përgjithësi.

Po cili është, më konkretisht, kontributi i Xhevat Lloshit dhënë stilistikës së shqipes?

Nuk është rasti dhe as mundësia këtu që ta përfushë kontributin e tij të madh në fushën e stilistikës shqipe, po pak fjalë doemos duhet t’i them. Po nisi me trajtesat dhe artikujt e tij shkencorë botuar në periodikun shkencor gjatë disa dhjetëvjetëshave.

Kontributi i Xhevat Lloshit dhënë stilistikës shqipe përmes një numri të konsiderueshëm shkrimesh shkencore shtrihet në disa drejtime: çështje teorike të stilistikës shqipe, çështje të raportit gjuhë standarde – stilistikë, çështje të kulturës së gjuhës të vështruara nga aspekti stilistik, çështje të stilistikës funksionale e të tjera. Xhevat Lloshi ka botuar rreth 40 shkrime shkencore dhe ato i kemi veçuar në grupe tematike:

  1. Në grupin e parë tematik, që përbëhet prej gjashtë trajtesave shkencore i kemi përfshirë ato që trajtojnë veçoritë stilistike të shqipes, tiparet e sistemit stilistik dhe rolin e këtij sistemi në gjuhën e sotme letrare, mjetet e shprehjes në gjuhën shqipe të vështruara nga aspekti stilistik, mënyrën e paraqitjes së treguesve stilistikë në fjalorët e shqipes dhe zhvillimin e stilistikës së shqipes në gjysmën e parë të shek. XX;
  2. Në grupin e dytë përfshihen 12 trajtesa shkencore që kanë pikëvështrim gjuhën standarde dhe stilistikën, kulturën e gjuhës dhe stilistikën, çështje të kulturës ligjërimore dhe të kulturës në përgjithësi. Në këtë grup, jo pa arsye, janë futur edhe disa shkrime që lidhen me variacionin dhe normën drejtshkrimore, me stilistikën dhe zbatimin e drejtshkrimit, por edhe çështje të stilistikës dhe gjuhës në shkollë, të teksteve shkollore të vështruara nga ana stilistike; që lidhen me gjuhën e folklorit, me gjuhën e shtypit, me gjuhën ushtarake deri edhe me çështje të praktikës gjuhësore siç janë shkrimet: Sa më pak gabime! Çfarë ndryshimi ka ndërmjet fjalëve orë dhe sahat?, Stilistik apo stilistikor?;

III. Në grupin e tretë janë përfshirë shkrimet: Letërsia dhe gjuha letrare kombëtare, Shkrimtari dhe gjuha, Vlerat gjuhësore shprehëse gjatë komentit letrar, Paraqitja e vlerave të shqipes artistike, Mjeshtëria e simbolizmit tingullor, Poeti dhe figura dhe një numër shkrimesh që nga aspekti stilistik marrin në vështrim gjuhën a veçori stilistike-gjuhësore në veprat e disa shkrimtarëve tanë të njohur si të Naim Frashërit, Fan Nolit, Faik Konicës, Migjenit, Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qosjes;

  1. Në grupin e fundit janë grupuar disa vështrime kritike dhe recensione për stilistikën gjuhësore e letrare të Aleksandër Xhuvanit, për disa vështrime stilistike për shqipen të trajtuara në punimet e Kostaq Cipos, për librin Fillime të stilistikës e të letërsisë së përgjithshme të Aleksandër Xhuvanit e Kostaq Cipos, për monografitë Gjuha e Jakov Xoxës dhe Gjuha dhe stili në veprën e Gjergj Fishtës të Sh. Islamaj. E të tjera.

Konsideroj, ndërkaq, se kontributi i Xhevat Lloshit duhet të çmohet posaçërisht përmes tre librave për stilistikën e shqipes, të cilët kanë meritën e madhe për lëvrimin dhe zhvillimin e kësaj fushe të gjuhësisë shqiptare. Gjuha, stili dhe redaktimi në shtyp, Njohuri për stilistikën e gjuhës shqipe dhe Stilistika dhe pragnatika.

Stilistika dhe pragmatika e Xhevat Lloshit nuk është vetëm një libër udhëzues për njohjet themelore stilistikës dhe përdorimin e saj, as një libër që përmbush thjesht kërkesat mësimore, njohëse, didaktike e metodike, siç mund të mendohet për një tekst mësimor a universitar kushtuar lexuesve profilesh më të gjera, as vetëm një libër me të cilin pretendohet t’u jepen përgjigje shumë pyetjeve dhe çështjeve të diskutueshme që shtron kjo fushë studimesh sot në perspektivën globale gjuhësore-letrare, sidomos në ato gjuhësi kombëtare që nuk shquhen me traditë të pasur zhvillimore të kësaj fushe, por është një libër stilistike që i përmbush të gjitha këto kërkesa shkencore e profesionale, është një libër që në mënyrën më të natyrshme e të pranueshme parashtron, përshkruan, përimton, udhëzon për analiza gjuhësore-stilistike dhe argumenton çështje shumë të përbëra të një disipline shkencore, ta themi kushtimisht, ndër më të rejat, përcaktimi i objektit të së cilës vazhdon të diskutohet në rrethe a qarqe të ndryshme shkencore. Ky libër jo vetëm na jep njohje për sistemin stilistik të shqipes, veçoritë e këtij sistemi, nomenklaturën e tij shkencore, në të vërtetë nocionore e konceptore në përgjithësi e terminologjike në veçanti, për më tepër shtron çështje të reja, trajtime të veçanta dhe hap shumë mundësi për një lexues ta quajmë ideal, për të cilin Umberto Eko mendon se duhet të ekzistojë për çdo vepër letrare e jo letrare.

Stilistika dhe pragmatika e Xhevat Lloshit nuk është menduar vetëm një libër që paraqet lëndën e stilistikës dhe çështje të ndryshme me të cilat merret kjo disiplinë sot, por as si leksikon i nocioneve dhe i termave stilistikë që përmban shënimet themelore dhe trajtimet që mbizotërojnë sot për to në stilistikë, por është një libër që lëviz disa çështje të patrajtuara brenda dijes së stilistikës shqipe, me të cilat hapen drejtime të reja hulumtimi dhe jepen treguesit kah mund apo kah duhet të shkojë stilistika shqipe. Kështu, në stilistikën e tij shumëfunksionaliteti i gjuhës standarde, si shënjues i rëndësishëm i saj, zë vend të meritueshëm në këtë libër, në të vërtetë duhet të thuhet se Xhevat Lloshi është gjuhëtari i parë që ka përvetësuar, zbatuar dhe përpunuar teorinë e stileve funksionale të gjuhës standarde dhe që ka përshkruar ato, pos ligjërimet – libror, bisedor dhe i shkujdesur, edhe stilet e saj: letrar-artistik, shoqëror-politik, shtetëror-administrativ, shkencor-teknik, publicistik, fetar. Jo vetëm stilistika, por edhe një numër i konsiderueshëm i shkrimeve të tij nga fusha e teorisë së gjuhës standarde dhe e stilistikës funksionale kanë përimtuar e sqaruar faktin sa dalin ata njëri nga tjetri, sa lidhen mes vete, sa përplotësohen ndërsjellash dhe, natyrisht, si krijojnë një tërësi të rrumbullakuar brenda gjuhës standarde.

Me përcaktimin e qartë të fushës së stilistikës, me saktësinë e paraqitjes së lëndës stilistike dhe me trajtimin risimtar të shumë çështjeve që lidhen me sistemin stilistik të shqipes e  me organizimin stilistik, me stilistikën e shprehësisë e me shtresëzimin gjuhësor, dhe, sidomos, me pragmatikën, mikro e makropragmatikën, me aktet e të folurit, analizën e bisedës, pragmatikën sociale, gjithnjë të vështruara sipas pozicioneve ndërdisiplinore, Stilistika dhe pragmatika e Xhevat Lloshit përmbush qëllimin e një studimi diskursiv stilistik, si një tërësi ligjërimore e realizuar si strukturë tematike, gjuhësore e stilistike. Libri përmbush, pra, jo vetëm qëllimet e trajtimit tradicional, para së gjithash të trajtimit stilistik-funksional të shtresëzimit gjuhësor, por shkon më tej duke përplotësuar sistemin stilistik të gjuhës shqipe me perspektivat aktuale stilistike-ligjërimore. Ky libër prandaj u shërben si lexuesit që merr njohjet e para për temat stilistike para të cilit dalin shumë pikëpyetje që nxiten nga lënda e gjerë përfshirëse, si njohësit të mirë të problematikave stilistike para të cilit hapen çështje të reja dhe rrjedhimisht edhe mundësi të reja për trajtimin e tyre, ashtu si edhe lexuesit që shtron pyetje e kërkon përgjigje për një varg çështjesh që njihen si të diskutueshme ende rreth stilistikës edhe statusit të saj midis dijeve gjuhësore e letrare.

Meqë stilistika në thelb është disiplinë urë midis gjuhësisë e letërsisë është e pashmangshme që të mos ketë, ndër studiuesit e të dyja fushave, “kundërshti” rreth konceptit a projektit të kësaj urë lidhjeje. Me stilistikën e tij, Xhevat Lloshi ia ka dalë ta shquajë mirë e qartë lidhjen e tyre të natyrshme, pra ta ndërtojë atë urë, të shquajë qartë funksionin e veçantë të gjuhës së letërsisë – funksionin estetik dhe funksionet e letërsisë – funksionin njohës, shoqëror, kombëtar, moral, psikologjik, hedonistik etj. Po kështu, gjatë trajtimit të gjuhës së letërsisë ose stilit funksional letrar-artistik, autori me të drejtë lejon të mendohet se edhe te ky stil sikundër edhe te të tjerët ekziston e pranueshmja dhe e papranueshmja, normativja dhe e gabuara. Por, çka mund të konsiderohet e ”gabuar” në gjuhën e letërsisë? Nëse pranojmë se rregullsia a normësia e gjuhës si sistem është potenciale, kurse normësia  e gjuhës si standard është aktuale, e përtashme, atëherë të kuptuarit e normësisë si sistem dhe i gjuhës si standard është baza e të kuptuarit të ”normësisë” së gjuhës së letërsisë artistike. Stili letrar-artistik është stili funksional më individual i gjuhës standarde dhe me lirinë më të madhe. Me një fjalë në gjuhën e letërsisë udhëheqin ligjësitë e gjuhës si sistem e jo ligjësitë e gjuhës si standard.

Çështja e pavarësisë a e pavarësimit të stilistikës si disiplinë më vete, sot, po humb kuptimin në botën ta quajmë të ndërdisiplinaritetit, sepse stilistika tashmë konsiderohet  e ”pjekur’’ si disiplinë dhe kjo ka ndodhur pikërisht kur u kuptuan rëndësia dhe epërsitë e ndërbashkëpunimi midis disiplinave të fushave të ndryshme, sidomos me shfrytëzimin e teknikave, të gjedheve dhe deri diku edhe të terminologjive të njëjta në fusha të ndryshme: jo vetëm stilistika ka marrë nga këto disiplina, por edhe ato kanë marrë nga ajo mjaft elemente nga modelet, teknikat, analizat dhe interpretimet e saj stilistike, natyrisht duke shmangur shpesh termat stil dhe stilistikë dhe duke i zëvendësuar me të tjera si analizë diskursive, analizë kritike diskursive, semiotikë sociale dhe qasje te tjera brenda kufijve të kritikës letrare. Përfshirja e pragmatikës bashkë me stilistikën në librin e Xhevat Lloshit e përligj mirë këtë, sepse nëse gramatika studion strukturën e fjalës dhe të fjalisë, semantika kuptimin e tyre, stilistika vlerat shprehëse, pragmatika studion interpretimin e tyre varësisht nga konteksti dhe rrethanat shoqërore të aktit ligjërimor. Mund të thuhet, prandaj, se stilistika e Xhevat Lloshit shënon qartë prerjen a shkëputjen e saj nga trajtimi tradicional i çështjeve të stilistikës.

Me Stilistikën dhe pragmatikën e Xhevat Lloshit nuk u jepet krahë vetëm studimeve që kanë për qëllim identifikimin e stilit të akëcilës vepër a poezi  a të  akëcilit autor të traditës a të kohës së sotme, përmes fjala vjen numërimit të fonemave a modifikimit të tyre ose përmes analizave morfologjike e sintaksore për të identifikuar stilemat në ato rrafshe gjuhësore, po sidomos studimeve që kanë pikëshqyrtim përfshirjen e stilistikës në disiplinat bashkëkohore që sot po bëhen çdo herë e më aktuale dhe më të rëndësishme. Kjo më jep të drejtë të them se Xhevat Lloshi e ka ndihmuar, lejohem ta quaj, shkencorizmin e mëtejshëm të stilistikës shqipe dhe, natyrisht, rëndësinë e saj, rrjedhimisht edhe zhvillimin dhe afirmimin e të arriturave në këtë fushe të studimeve shqiptare.

Në rast se do të shtronim çështjen se cila është gjendja e stilistikës shqipe sot apo, madje, edhe e vetë stilistikës në përgjithësi apo cilat janë modelet dhe trajtimet (qasjet) posaçërisht të parapëlqyera sot, apo me fjalë të tjera nëse pranojmë se stilistika gjendet, megjithatë, në njëfarë prerje a udhëkryqi midis shumë disiplinave, ku është pikëtakim i tyre dhe nga ç’pikë ndjekin ato rrugët e veta, mendoj se përgjigjja është kjo: duke gjykuar sipas të dhënave që mundësohen t’i marrim përmes mjeteve elektronike, dy botues të mëdhenj anglezë (Cambridge i Routledge) kanë botuar para katër vjetësh, më 2014, doracakë stilistikë përkatësisht lloje të krestomacive brenda kufijve të të cilëve kanë përfshirë numër të madh tekstesh të autorëve të drejtimeve te ndryshme stilistike, mund te themi se në këtë pikëtakim apo ta quajmë udhëkryq, ka mjaft dinamizëm a zhvillim. Kjo do të thotë se në këto dy tekste, janë përfshirë studime, trajtesa e artikuj që mund t’i cilësojmë të fushave si stilistika pragmatike, stilistika e korpuseve, stilistika semiotike, stilistika pedagogjike, stilistika njohëse, stilistika kritike-diskursive, stilistika filmike, stilistika feministe, stilistika narratologjike, stilistika e hipertekstit dhe stilistika e filmit të animuar, ndërsa dukshëm më pak të fushës së stilistikës formale si emërtim ky për stilistiken « klasike » strukturale. Ky degëzim i pasur i stilistikës nuk dëshmon natyrisht dobësi dhe shkapërderdhje të saj, por para së gjithash gjithëpërfshirje të çështjeve me të cilat ajo sot merret. Objekt i stilistikës sot konsiderohen të gjitha llojet e teksteve dhe të diskurseve  letrare dhe jo letrare. Nuk ekziston stil, as lloj i teksteve të cilin nuk mund ta studiojë sot stilistika përmes përshkrimit, analizës dhe interpretimit kritik. Del përfundimi se shkencës sonë gjuhësore e letrare sot i duhet një stilistikë e re. Dhe këtë stilistikë të re sot për sot duhet ta hartojë kush tjetër pos profesori ynë i çmuar Xhevat Lloshi.

Po ta përfundoj këtë fjalë.

Prej gjithë kësaj që u tha, besoj, se lejohet bindja se Xhevat Lloshi hyn në radhën e albanologëve më të shquar shqiptarë. Me erudicionin e tij enciklopedik, me njohjen e shumë gjuhëve të huaja, me përgatitjen shkencore e profesionale shembullore, me kompetencën teorike, me njohjen dhe zbatimin e dijeve jo vetëm gjuhësore, me prirjen për të renë në shkencën shqiptare në përgjithësi, ai ka arritur t’i pasurojë studimet albanologjike me disiplina e metoda, me çështje e tema e me shumë rezultate rezultate. Dhe, natyrisht, me cilësi të qëndrueshme nëpër kohë.

Në tetëdhjetë vjetorin e jetës së tij aq të pasur me krijimtari shkencore, me punë të gjatë pedagogjike, me përkthimtari të gjerë e cilësore,  kam kënaqësi të veçantë, prandaj t’i uroj që veprës së tij të madhe albanologjike t’i shtojë edhe vepra të tjera.

Urime i nderuar profesor Xhevat! Jetë të gjatë dhe shëndet!

 

Share This Article
1 Comment
  • Analize e goditur dhe pasionante per akademikun e shquar shqiptar, Professor Xhevat Lloshin. Eshte domethenese qe Z. Xh.Lloshi, qe ka nje fushe te gjere studimesb nee gjuhesi, stlistiken e ka pase per zemer, fale edhe personalitetit te tij, SI njohes I imte igjuhes dhe mundesive shprehese te saj plot ngjyra.
    Dua te pergezoj Zj. Sh. Ismalaj per kete trajtese te ngjeshur dashamirese per Profesorin e nderuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *