Ekskluzive / Seanca e 7-të e gjyqit ndaj Koçi Xoxes e 4 bashkëpunëtorëve të akuzuar për tradhti. Dëshmia e funksionarit të lartë Xhoxhi Blushi lidhur me survejimin që i është bërë në çdo hap Nako Spiros deri natën e vetëvrasjes, me urdhër të Koçi Xoxes e Pandi Kristos.
Dëshmitari: Nakon e survejoja që nga nëntori i vitit 1947 si person që ishte kundër diktatit të Titos në Shqipëri. Survejimi që vazhdoi deri ditën e vetëvrasjes, bëhej me urdhër të Koçi Xoxes dhe Pandi Kristos. Çdo gjë mbahej shënim dhe raportohej.
(Vijon nga numri i kaluar)
Dëshmia e funksionarit të lartë Xhoxhi Blushi kundër të pandehurve Pandi Kristo e Koçi Xoxe, hedh dritë mbi dyshimet që bien mbi të pandehurit lidhur me survejimin e Nako Spiros deri natën e vetëvrasjes së tij. “Para vetëvrasjes së Nako Spiros pashë një njeri misterioz para shtëpisë së tij, po s’e njoha. Nakon e survejonim që nga nëntori i vitit 1947 si person që ishte kundër diktatit të Titos në Shqipëri. Survejimi që vazhdoi deri ditën e vetëvrasjes, bëhej me urdhër të Koçi Xoxes dhe Pandi Kristos. Çdo gjë mbahej shënim dhe raportohej”, dëshmon mes të tjerave në këtë seancë Blushi…
Prokurori(Bedri Spahiu): -Vazhdojmë seancën me pyetjet për të pandehurin Pandi Kristo. Çfarë mendimi ke pas ti i pandehur për Nakon, Mehmetin, Lirinë, Fadilin, si dhe për shokun Enver?
Pandi Kristo: -Për këta shokë unë mendoja se nuk i shikonin punët mirë me jugosllavët, kurse për shokun Enver mendoja se përkrahte Nakon.
(U kënduan deponimet e të pandehurit Pandi Kristo në procesin hetimor faqja 9, ku ndër të tjera ka thënë: “Përpara se të shtrohej çështja e akuzës së dytë që i bënin jugosllavët udhëheqjes sonë, domethënë, akuza që përmendte emrin e Nakos, Koçi më informoi se si po bisedonte Enveri për të shtruar çështjet e analizës së punës në dritën e kësaj akuze. Më tha se duhet të shtrojmë edhe çështjet e jetës së brendshme, se këto, ose do të zgjidhen tani, ose nuk kanë për t’u zgjidhur kurrë. Këto çështje të brendshme ishin mosmarrëveshjet që kishte Koçi me Nakon. Çështjet e brendshme ishin tërë Plenumi i VIII-të).
Prokurori: -A ka pasur ndonjë përpjekje nga Koçi Xoxe për të bindur edhe shokët e tjerë të Byrosë që të pranoheshin akuzat jugosllave?
Pandi Kristo: -Ka pasur një përpjekje nga ana e Koçit për t’u pranuar akuza e dytë e jugosllavëve dhe ky ka dashur që të pranohej ajo akuzë pa qenë nevoja të grumbullohet material dhe me këtë rast të shtrohej edhe çështja e brendshme.
Prokurori: -Atëherë ti i pandehur ke dëgjuar Komandantin që thoshte të grumbullojmë material për të kundërshtuar akuzën e dytë jugosllave dhe Koçi Xoxen që thoshte se nuk është nevoja të mbledhim material se ne i kishim bërë ato gabime, a është kështu?
Pandi Kristo: -Po, Komandanti(Enver Hoxha) i kundërshtonte akuzat dhe siç thashë, kërkonte grumbullim materiali. Kurse Koçi kishte dhënë urdhër të mos mblidhej material. Dhe ai material që u mblodh, u hodh në përdorim.
Prokurori: -Përse i pandehuri Koçi Xoxe kërkonte me insistim që të shtroheshin edhe çështjet e brendshme?
Pandi Kristo: -Koçi donte që të shtroheshin çështjet e brendshme për të zgjidhur mosmarrëveshjet me Nakon në lidhje me çështjen e rinisë.
Prokurori: -Si e shihte këtë çështje i pandehuri, e shihte kundër tij?
Pandi Kristo: -Koçi, Nakon e quante kundër tij dhe si përkrahës të Nakos shihte Mehmetin, Lirinë, Fadilin, pastaj Bedri Spahiun në lidhje me Sejfulla Malëshovën.
Prokurori: -Po për Sekretarin e Përgjithshëm ç’thoshte i pandehuri Koçi Xoxe?
Pandi Kristo: -Nuk shfaqej për Sekretarin e Përgjithshëm (Enver Hoxhën). Por thoshte se Nako u kishte hyrë në mes, nuk i linte të bashkëpunonin dhe këto, thoshte se i bën për t’i zënë vendin si Sekretar Organizativ. Thoshte që Enveri, influencohej nga Nako.
Prokurori: -Këto gjëra t’i ka thënë Koçi para se të vriste veten Nako?
Pandi Kristo: -Këto m’i ka thënë para se të vinin akuzat dhe thoshte se shokët e mësipërm, janë sjellë në Byro nga Nako.
Prokurori: -Po për shokun Bedri Spahiu ç’mendim kishte Koçi Xoxe dhe çfarë të ka thënë ty?
Pandi Kristo: -Bedriun, Koçi nuk e lidhte me Enverin. Por për atë kishte ato dyshime në lidhje me Sejfullain dhe ishte i mendimit që të largohej nga Byroja.
Prokurori: -Po për shokë udhëheqës të tjerë si Tuku, Gogo, Shulja, Hysniun dhe ty, çfarë mendimesh kishte Koçi?
Pandi Kristo: -Nuk më ka thënë gjë që të ketë pasur ndonjë mendim në lidhje me këta shokë.
Prokurori: -Cila ka qenë pikëpamja jote mbi këta shokë dhe mbi Sekretarin e Përgjithshëm(Enver Hoxhën)? A mendoje ti si Koçi?
Pandi Kristo: -Pikëpamja ime ishte e njëjtë me atë të Koçit mbi këta shokë. Unë kisha qenë dakord në Berat dhe në revizionimin e Beratit me Koçi Xoxen. Nakon unë e kam konsideruar në mënyrë të atillë dhe kisha formuar opinionin se donte që t’i zinte vendin Koçit. Për Mehmetin, Lirinë dhe Fadilin, njësoj si Koçi mendoja edhe unë. Për Bedriun kam pasur po ato pikëpamje në lidhje më çështjen e Sejfullait, për ato që dolën në lidhje me Dali Ndreun. Kurse për çështjen e bektashinjve nuk kam ditur gjë për Bedriun, por në Plenumin e VIII-të dolën këto.
Prokurori: -Po a nuk të ka thënë gjë ty Koçi për Bedrinë në lidhje me çështjen e bektashinjve?
Pandi Kristo: -Për sa i përket bektashinjve nuk mbaj mend të më ketë thënë gjë Koçi për Bedrinë. Por këtë e dija se do ta ketë shtruar vetë shoku Bedri ose të ma ketë thënë vetë ai jashtë.
Prokurori: -A ke organizuar ti ndonjë informacion kundër Bedri Spahiut?
Pandi Kristo: -I kisha thënë një herë Xhoxhi Blushit të hetonte se çfarë opinioni kishte Haki Toska për shokun Bedri Spahiu.
Prokurori: -Në lidhje me se do të merreshin këto informata?
Pandi Kristo: -Këto ishin në lidhje me pakënaqësitë e Bedriut për çështjen e vijës.
Prokurori: -Shokë gjyqtarë! Të thirret si dëshmitar Xhoxhi Blushi dhe të na shpjegojë këto.
Xhoxhi Blushi(Dëshmitar. 27 vjeç, lindur në Blush të Kolonjës, banues në Tiranë):- Për sa i përket akuzës që kishin sjellë jugosllavët, kur një ditë kur unë kisha vajtur me punë në Komisionin e Kontrollit, sepse unë ende nuk i kisha shkëputur marrëdhëniet atje, Pandi Kristo më ka thënë se ju nuk dini asgjë, jugosllavët na akuzojnë rëndë dhe nuk dimë se si do të shkojë puna. Ne i kemi shtrembëruar marrëdhëniet me jugosllavët prandaj duhet të hapim sytë mirë se nuk dimë çfarë përgjigjesh do të japë Nako Spiro. Pas nja 2-3 ditëve më thërret me urgjencë me telefon dhe më thotë se duhet të shkoja në shtëpinë e Nakos se atje kishte vajtur një njeri i panjohur me biçikletë. Unë vajta menjëherë, por as unë nuk e njoha atë person. Çështjen e akuzës jugosllave, i pandehuri Pandi Kristo ma shpjegoi me hollësi. Pandi më tha se ne e kemi parë më parë se punët nuk shkojnë mirë dhe se ndaj formuam një Komision, sepse poshtë kishte përpjekje. Dhe më tha që Komisioni mos influencohet nga thëniet e rinisë.
Prokurori: -Të pyetet dëshmitari se në ç’kohë ka qenë survejimi i Nakos.
Kryetari(Frederik Nosi): -Dëshmitar, përgjigjuni për atë që kërkon Prokurori.
Xhoxhi Blushi: -Survejimi i Nakos ka qenë në nëntor të vitit 1947 dhe ka qenë më duket një ose dy ditë para vetëvrasjes. I pandehuri më ka thënë se ka parë atë personin me biçikletë që ishte para shtëpisë së Nakos dhe kjo ishte një ose dy ditë para vetëvrasjes së Nakos.
Pandi Kristo: -Unë këtij, Xhoxhit, vetëm një herë i thashë të shikonte atë njeriun me biçikletë. Për komisionin që ishte krijuar i thashë se do të shikonte punët, pa u influencuar nga rinia ose nga jugosllavët.
Xhoxhi Blushi: -Kam për të thënë edhe për një rast tjetër në lidhje me survejimin e shokut Bedri Spahiu, për të cilin i pandehuri Pandi Kristo më pyeti se ç’thotë Haki Toska për Bedriun. Dhe unë i thashë që haki Toska më ka folur mirë për Bedriun, se kishte simpati në Gjirokastër dhe Kurvelesh për punën që kishte bërë. Por Pandi më tha se nuk është kështu puna e Bedriut, se ai ka shkuar në këshillin e Begtashinjve pa marrë lejen e Byrosë. Ai qëndron indiferent në Byro, nuk flet, nuk dimë se çfarë pikëpamjesh ka dhe prandaj dyshohet.
Prokurori: -Të pyetet dëshmitari Xhoxhi Blushi se çfarë i ka thënë i pandehuri Pandi kur vajti në Ministrinë e Bujqësisë.
Xhoxhi Blushi: -Kur u caktova si Ndihmësministër në Ministrinë e Bujqësisë, Pandi më tha se ti do të kesh përgjegjësinë kryesore atje dhe prandaj të hapësh sytë. Këto mi thoshte nga pozita e tij si anëtar i Byrosë. Kjo, natyrisht, ishte një spostim rolesh.
Pandi Kristo(I pandehur): -Këtij nuk ja thashë me ndonjë qëllim, por ja thashë se ishte marrë vendimi nga Byroja të shkonte ky në Ministrinë e Bujqësisë dhe këto ja vura në dukje me që ishte anëtar i Komitetit Central.
Prokurori: -A i ka thënë i pandehuri Pandi dëshmitarit Xhoxhi Blushi se do ta bënte Ministër?
Pandi Kristo: -Jo, nuk i kam thënë këtë gjë Xhoxhit.
Xhoxhi Blushi: -Më përpara, Pandi mbante distancë me mua, por kur filloi të më afrohej, më ka thënë se do të më bënte Ministër të Tregtisë.
Prokurori: -Me ç’qëllim e bënin ata këtë gjë?
Xhoxhi Blushi: -Siç po del e gjithë puna sot, këta e bënin këtë me qëllim të më afronin e të bëja ashtu siç donin ata.
Prokurori: -A qe kjo një punë e drejtë, punë komuniste?
Xhoxhi Blushi: -Jo, kjo nuk ishte një punë komuniste dhe nuk ishte një punë e drejtë.
Prokurori: -Çfarë dyshimesh kishit ju për Bedri Spahiun?
Pandi Kristo: -Për Bedriun kishim ato ndryshime se nuk fliste në Byro.
Prokurori: -Por kur Bedriu dyshohej, përse e keni lënë atëherë anëtar të Komitetit Central pas Plenumit të 8-të?
Pandi Kristo: -Bedriu mbeti në Komitetin Central sepse bëri autokritikë…
Prokurori: -Po pse me një autokritikë përmirësohet njeriu? Nga i merrnit ju informatat për Bedriun?
Pandi Kristo:- Me anën e Partisë dhe të Sigurimit merreshin informatat për Bedriun dhe këto i dinte Byroja, sepse edhe Komandanti i kishte thënë në një rast.
Prokurori: -A kishte besim tek ti Sekretari i përgjithshëm që t’i thoshte ty këto?
Pandi Kristo: -Po, kishte besim.
Prokurori: -Po ti pse nuk e kishe këtë besim tek Komandsanti dhe pse nuk i tregoje atij ato që nuk i dinte?
Pandi Kristo: (Fillimisht heziton që të përgjigjet) -Kam bërë gabim!
(Vijon nesër)
Përgatiti: Kujtim Boriçi
NESËR DO TË LEXONI:
-Dëshminë e të pandehurit Pandi Kristo: Koçi ishte agjent i jugosllavëve, unë kam bashkëpunuar me të duke dëmtuar Partinë dhe popullin.
-Debatet në seancën e 7-të të gjyqit midis Koçi Xoxes e Pandi Kristos lidhur me akuzat e ndërsjellta që ata i bënin njëri-tjetrit.
-Dëshminë e Demlush Thaçit: Si i mbronin Koçi Xoxe e Pandi Kristo specialistët jugosllavë në vendin tonë, si u ngrit, si funksiononte dhe pse shërbente radio-stacioni jugosllav në Durrës.

Vrasësi i Nako Spiros është djali i Myslym Pezës me gruan e parë,më vonë dhe atij i krijuan një aksident dhe vdiq diku nga Himara.
Dihej qe Bedriu ishte nje Bektashi i thekur. Cfare krimi mund te besh po ta akuzosh ate si te tille.
Se kush e vrau Nakon kete nuk e dime as une as Nora.Historia dokumenton nje gje:Nakon dhe Mehmet Shehun i vrau sh.Enver qe iua beri jeten te padurueshme qe ata te vrisnin veten.Edhe Nakua edhe Mehmeti ishin burra trima e krenare-do i kishte vrare “Enveri yne” Po te mos ishin vetevrare.Per te”mbrojtur marksizmin”,natyrisht!
Na e “mbushe”mendjen”
shoku Mali !!!
Nako Spiron e vrau Saliu nga qe e shau nga nena
dhe ata 4 veta ne bulevard me 21 janar
Ma se miri e dine edhe ish e fejuara e tij Lirie Belishova,me behet eshte akoma gjalle.