Ajo që dihej prej kohësh është pranuar publikisht. Aktorja e Hollivudit, Xhudi Foster, ka pranuar homoseksualitetin e saj gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Golden Globe”.
Ylli i “Panic Room” dhe dhjetëra filmave të tjerë të suksesshëm tha në fjalimin e saj se familja dhe miqtë e saj e kanë ditur prej kohësh se ajo ishte lesbike.
“Mos prisni ndonjë zbulim të madh në fjalimin tim. Unë e kam bërë të ditur homoseksualitetin tim që në epokën e gurit”, tha ajo me të qeshur.
“E kam bërë në ato ditët e pasigurta, kur një vajzë e re u hapet miqve të ngushtë, familjes dhe bashkëpunëtorëve dhe pastaj gradualisht dhe duke qenë krenare të gjithë atyre që e njohin. Kam dëgjuar se nga çdo njeri i famshëm pritet të tregohen detaje të jetës së tij private në një konferencë shtypi apo në një reality show. Më vjen keq, or unë nuk jam nga këto dhe nuk do të jem kurrë. Nëse do ta bëja këtë, reality show im do të ishte shumë i mërzitshëm. Do të më duhej të puthesha dhe përkëdhelesha me Marion Cotillard apo t’i gjuaja prapanicës Daniel Craig, vetëm për të mbetur pjesë e show-t”.’
Aktorja 50-vjeçare, e cila e nisi karrierën kur ishte vetëm 3 vjeçe, pranoi se vendosja në qendër të vëmendjes së publikut e ka penguar për kaq kohë të shprehë seksualitetin e saj.
“Nëse je figurë publike që në moshë të vogël, nëse të duhet të luftosh për një jetë që të duket e vërtetë dhe e ndershme, atëherë do të doje pak privatësi në gjithçka tjetër”.
Foster falënderoi ish-partneren e saj, Cydney Bernard, me të cilën ka rritur dy fëmijët, Çarli, 14, dhe Kit, 11 vjeç.
“Nuk do të mund të dilja këtu përpara jush pa nderuar një prej dashurive më të mëdha të jetës time. Ish-partneren time në dashuri, miken më të mirë për 20 vjet, Cydney Bernard. Jam krenare për familjen tonë moderne”, tha ajo./ Përgatiti: Gazmira Sokoli