Xhuvani pajton avokatin Leka, Prokuroria do e marrë në pyetje

redaktor

Dosja hetimore ndaj Kostandin Xhuvanit do të mbyllet në kohë rekord, për shkak se prokuroria nuk ka asnjë dyshim se autori i masakrës me 4 të vrarë në lokalin e natës “Ante Grand”, mëngjesin e 4 nëntorit, është pikërisht 25-vjeçari. Burime nga organi i akuzës thanë se hetimet mund të mbyllen brenda dy javëve të ardhshme dhe dosja do të shkojë në Gjykatën e Tiranës për proces. Ndërsa këtë javë prokuroria pritet të marrë për herë të parë në pyetje Xhuvanin që pas ditës së krimit, pasi i riu ka qenë konfuz në dëshmitë e para dhe më tej nuk ka pasur avokat, ose ka refuzuar të flasë. Familja Xhuvani ka pajtuar menjëherë avokatin e mëparshëm të Kostandinit, Ardian Lekën, i cili gjatë masës së sigurisë tha se nuk ishte ai avokati i zgjedhur. Leka ka pranuar të mbrojë 25-vjeçarin, megjithëse akuza që ka ngritur prokuroria është shumë e rëndë dhe parashikon minimumi 20 vite burgim për vrasje në rrethana cilësuese, të më shumë se një personi.

 

Marrja në pyetje

Kostandin Xhuvani do të merret në pyetje nga prokurorët të premten, në burgun e Fushë-Krujës. Xhuvani është i akuzuari i vetëm për vrasjen e katër personave në lokalin “Ante Grande”, në “Rrugën e Elbasanit”, pas një sherri banal për një dozë kokainë. Sipas burimeve të prokurorisë, deklaratat e Xhuvanit do të jenë të parat pasi ai nuk ka folur ende mbi atë çfarë ka ndodhur.

Gjithashtu grupi hetimor do të marrë edhe versionin e Erald Sidës , i cili akuzohet për moskallëzim krimi dhe prostitucion. Sipas informacioneve, prokuroria thuajse e ka përfunduar hetimin dhe nuk ka dyshime për autorin e krimit. Por dosja e Sidës dhe Xhuvanit do të ndahet, sepse i akuzuari i vetëm për masakrën do të jetë 25-vjeçari. Sipas ekspertizës rezulton se arma pistoletë e Xhuvanit me numra të fshirë ka kryer 6 qitjet dhe 4 vrasjet.

 

Familja pajton Lekën

Familja Xhuvani pajton një avokat për ta mbrojtur nga akuzat djalin e tyre. Kur ka kaluar një javë nga vrasja e katërfishtë, nëna e të dyshuarit, ish-deputetja e Partisë Socialiste Luiza Xhuvani, ka kontaktuar me avokatin Ardian Leka, të cilit i ka kërkuar të bëj mbrojtjen e Kostandinit. Po këtë avokat ka kërkuar edhe vetë i dyshuari Konstandin Xhuvani gjatë seancës gjyqësore të caktimit të masës së sigurisë. Por Leka u shpreh se nuk e kishte kërkuar askush dhe nuk përfaqësonte Xhuvanin. Ndaj gjykata i caktoi avokat shteti. Mësohet se avokat Leka, i cili e ka përfaqësuar Konstandin Xhuvanin edhe në precedentët e tjerë penalë, ka kërkuar nga prokuroria të njihet me aktet e hetimit paraprak. Me zgjedhjen e avokatit mbrojtës, prokurorët thanë se brenda javës do të zbarkojnë në qelin e burgut të Fush-Krujës, ku do të rimarrin në pyetje të akuzuarin për vrasjen e katërfishtë. Xhuvani është pyetur vetëm një herë pas krimit, ku ka refuzuar autorësinë, duke thënë fillimisht se gjendej te Brryli për të blerë cigare dhe më pas se nuk mbante mend asgjë.

 

Krimi me 4 të vrarë

Krimi i rëndë ndodhi rreth orës 04:20 të mëngjesit të 4 nëntorit, në ambientet e lokalit të natës me muzikë live, “Ante Grand”, përballë Fakultetit Ekonomik në Tiranë. Kostandin Xhuvani, Arbër Demiraj, Alban Bllacaj dhe Erald Sida, kanë qenë të ulur në një tavolinë dhe pranë tyre, në një tjetër tavolinë ndodheshin Edison Jaho dhe Enea Xhaj. Po ngjitur edhe investitori italian Giaampaolo Azzola me një mikun e tij shqiptar. Pasi kanë hyrë në muhabet dhe qerasur njëri-tjetrin, nën efektin e alkoolit dyshohet se Xhuvai ka kërkuar kokainë nga Jaho dhe ky ka refuzuar t’i jepte pa lekë. Këtu ka nisur sherri dhe përleshja fizike pas fyerjeve. Më tej situata nuk është qetësuar dhe Xhuvani ka dalë dhe është kthyer me pistoletë në dorë, duke e shkrepur 6 herë. Për pasojë vrau Edison jahon dhe Enea Xhajin, por gabimisht ka ekzekutuar shokun e tij Arbër Demiraj dhe italianin Azzola. Policia e kapi gjatë përpjekjes për t’u arratisur.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *