Masakra në lokalin e natës “Ante Grand” erdhi pas një debati të çastit mes Kostandin Xhuvanit dhe dy viktimave Edison Jaho dhe Enea Xhaj dhe batutës “Çfarë problemi keni ju?!”. Prokuroria e Tiranës nuk ka përfshirë në dosjen e publikuar dje, që është dërguar edhe për gjykim, sherrin për lëndën narkotike kokainë. Vetë kryeprokurori Adriatik Llalla deklaroi dy javë më parë në “Opinion” se ngjarja e rëndë kishte ardhur pas një debati për një dozë drogë. Në dosje përfshihen dy grindje të njëpasnjëshme sipas dëshmitarëve, ku personazhi kryesor është pikërisht 25-vjeçari Xhuvani. Ndërsa është provuar përfundimisht nga ekspertiza balistike dhe me gjurmë se autori i vetëm i 4 vrasjeve është 25-vjeçari. Ndaj tij është ngritur akuza e “vrasjes me dashje në rrethana cilësuese të më shumë se një personi” dhe rrezikon jo më pak se 20 vite burgim, deri izolim të përjetshëm. Kurse avokati mbrojtës ka kërkuar ekspertim psikik për shkak të paqëndrueshmërisë së klientit të tij, që ka vuajtur edhe më parë. Në dosje me rëndësi janë disa dëshmi nga vendngjarja, si dhe mënyra se si është kryer ekzekutimi.
Dëshmitarët
Kostandin Xhuvani, Arbër Demiraj, Erald Side e Alban Ballcaj, kanë shkuar në lokal ku janë ulur në tavolinën e fundit, pranë një kolltuku në të cilin ishin ulur viktimat Edison Jaho dhe Enea Xhaj. Dëshmitari kryesor, A. B., ish-polic i Komisariatit nr. 1 Tiranë, njëkohësisht roje sigurie i “Ante Grand” në “Rrugën e Elbasanit”, ka treguar skenën e plotë të ngjarjes. Sipas tij, katër shokët kanë ardhur në orën 03:45 të mëngjesit të 4 nëntorit dhe porositën xhin dhe shveps. Prej tyre ka njohur vetëm njërin, që ishte klient i rregullt. Mes tyre ka qenë edhe personi me tuta gri, kostum sportiv, që u identifikua si Kostandin Xhuvani, por që nuk e kishte parë kurrë më parë. Më tej ishin edhe 2 personat e tjerë që i njihte si klient të rregullt, e që thirreshin me pseudonimet “kolonjari” (ish-komandoja Edison Jaho) dhe “Beratasi” (Enea Xhaj). Në fillim duket se Xhaj ka bërë debat me një të ri te banaku, klient, dhe e ka qëlluar me pëllëmbë. Personi i goditur u largua bashkë me 2 të tjerë. Në këtë çast është afruar Xhuvani dhe ka pyetur rojën A. B., nëse ka ndonjë problem. Roja i ka thënë se nuk kishte probleme dhe se “Beratasi” njihej me personin me të cilin u konfliktua dhe se më pas janë ulur bashkë. Kurse italiani Giaampaolo Azzola dhe miku i tij arkitekt A.Sh., ishin ulur pak më tej. Në orën 04:00 në tavolinën e “Beratasit” ka nisur një tjetër debat dhe roja i sigurisë ka shkuar për t’i qetësuar. “Në këtë moment ai ka parë se Xhuvani dhe Demiraj kishin armë me vete, pistoleta në duar, duke i identifikuar më pas si fytyra, pasi s’i njihte me emra”, thuhet në dosje. Pas ndërhyrjes së rojës debati është qetësuar dhe Kostandin Xhuvani e Arber Demiraj janë çuar nga tavolina për të dalë dhe pas tyre kanë shkuar Edison Jaho e Enea Xhaj. “Por në këtë moment janë futur përsëri në lokal Xhuvani e Demiraj me pistoleta në duar. Xhuvani u është drejtuar dy të tjerëve me frazën “Çfarë kishit ju të dy. A keni ndonjë problem?!”, dhe menjëhere ka qëlluar me armë në drejtim të tyre”, shkruhet në dosje. Roja ka dalë me vrap për t’i shpëtuar plumbave. Kurse Alban Bllacaj dëshmoi se në momentin e të shtënave ndodhej jashtë lokalit dhe më tej ka gjetur brenda Arbrin, djalin e tezes së tij në gjendje të rëndë, duke e ndihmuar për ta çuar në spital. Kurse Kostandini i kishte thënë Erald Sidës (ky ndodhej me një vajzë në një ambient tjetër) se: “Më duket se kam vrarë edhe Arbërin!”. Demiraj u gjet në mjetin e tij “Benz” me targa TR0250N, i pajetë. Dëshmitarë janë marrë edhe një klient dhe një kalimtar, si dhe 2 efektivët e Autopatrullës që arrestuan të dyshuarit. Sipas policëve L. A., dhe K. Sh., Xhuvani kishte vrapuar dhe një prej tyre qëlloi në ajër, ndërsa ai hodhi pistoletën dhe iu lut që ta linin të lirë pasi më herët i kërcënoi, por arma ishte bosh.
- Qoraj
