Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë homazhe pranë shtatores së Zahir Pajazitit, ku u tha se vepra dhe sakrifica e dëshmorëve, u kujton që të vazhdojnë deri në përfundimin e aspiratave dhe vullnet të tyre.
Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se sa herë që kujtohen dëshmorët, kujtohen sakrifica që dhanë dëshmorët për të jetuar ne në Republikën e Kosovës.
“Vepra dhe sakrifica e dëshmorëve na kujton për detyrën tonë që të ecim rrugës që e kanë nisur ata dhe ta vazhdojmë e ta përfundojmë atë aspiratë dhe vullnet të tyre“, ka thënë ai.
Ai tha se kjo nuk është Kosovë që dhanë jetën shumë dëshmorë, pasi UÇK-ja ka pasur për qëllim ta çlirojë Kosovën dhe ta bashkojë kombin.
“UÇK-ja nuk ka luftuar për Zajednicën, nuk ka luftuar për ta kthyer Serbinë në Kosovë, nuk ka luftuar për korrupsion dhe uzurpim por ka luftuar që popullit t’i jap liri, barazi dhe mirëqenie”, tha ai.
Homazhe kanë bërë edhe veteranë dhe qytetarë të tjerë.