Z. Kryeministër, nëse vjen këtej…

redaktor

Nëse vjen në Pogradec, hidhi naftë makinës vetëm për ardhje, në kthim të jap unë me 400 lekë më pak për litër, me interes është apo jo? Ja që na takoi ne pogradecarëve ta kemi këtë privilegj si komshi me Maqedoninë, ku dhe mbushim serbatorë dhe bidona për vete dhe për shokë e miq, duke u marrë kështu dhe një çikë me tregti, si i thonë fjalës. Do të thuash se s’jam në atë derexhe “nga xhepi” . E di or, e di, po dhe qyli është i ëmbël. Edhe mbretit kur i ofruan një thes me kripë pa lekë e pranoi. “Futeni thesin në bodrum”, u tha oborrtarëve. Por nuk mjafton vetëm çmimi shumë i kripur i naftës, ka dhe disa gjëra të tjera “me arin e zi” që tregtohet tek ne. Kështu, duke pasur huq që e mbushim plot serbatorin, na doli një e vërtetë. Serbatori këtu tek ne merrte 60 litra, kurse në Maqedoni serbatori na zvogëlohej, “hynte në ujë”, merrte 55 litra. Për shumë vite kemi paguar për 60 litra dhe kemi marrë 55 litra.

Nejse, bosët e naftës janë për të qarë hallin. Në fund të fundit, kush na vodhi? Njeriu ynë. Është keq kur të vjedh i huaji, pra kur ja futim njëri-tjetrit s’ka hiç problem, pastaj ne kemi shprehjen tonë popullore: Kush t’i nxjerr sytë? Tëndi. Dhe si të mos dalë nga zemra pastaj “hit-i” shqiptar “Oh sa mirë me qenë shqiptar”… Se mos harrojmë, me naftën tonë makina hedh vickla, se i hedhin “një çikë ujë” se mos thotë ndonjëri 3 prej vije, 1 prej dhie. Kurse me naftën e Maqedonisë motori “këndon” aq ëmbël sa të vjen keq të ndezësh kasetofonin dhe të vësh atë këngën “Po ku ka si ti o Shqipëria ime”

 

Dërguar me Email

Në adresën e redaksisë

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *