Kryeprokurorit të ri të vendit po i kërkohet të ketë në fokus 21 janarin. Adriatik Llalla duhet të rikthejë besimin e publikut të prokuroria. Për këtë ai duhet të thërrasë në cilësinë e dëshmitarit kryesor të krimit të vrasjeve para godinës së qeverisë, kryeministrin në detyrë Sali Berisha. Zhvillimet e atyre ditëve provuan qartë se Sali Berisha plotëson gjithë kriteret e të dyshuarit kryesor në këtë ngjarje për disa arsye.
Arsyeja e parë nga pikëpamja ligjore është se ai rrëzoi publikisht brenda 24 orëve alibinë e ngritur për mos pasjen gisht në vrasje. Në orën 19.30 të datës 21 janar ai deklaroi se demonstruesit janë vrarë nga Edi Rama dhe njerëz të tij të porositur me armë pistoletë- kalibër i lehtë. Këtë deklaratë e ka bërë kur akoma asnjë plumb nuk ishte hequr nga trupat e viktimave dhe kur të plagosurit po liheshin qëllimisht të vdisnin pa kujdes mjekësor në mjediset e spitalit. Një drejtues politik i spitalit ushtarak u përzje në krijimin e kësaj alibie, dhe kjo e bën më të besueshme ekzistencën e një alibie zyrtare të përgatitur për krimin.
Më pas prokuroria provoi se vrasjet ishin kryer nga gardistët dhe lëshoi urdhër arreste. Pas kësaj Sali Berisha ndryshoi qëndrim dhe filloi të justifikojë veprimet e Gardës. Vetërrëzimi i alibisë së ngritur në një krim, është provë se personi është i përfshirë në krim dhe përpiqet të fshihet.
Arsyeja e dytë përse Berisha duhet thirrur si i dyshuari kryesor për vrasjet e kryera, është skema dinamike e ngjarjes dhe mënyra se si u kryen vrasjet. Sali Berisha ka pranuar se ka qenë në zyrën e tij gjatë gjithë kohës. Kjo e detyron atë ligjërisht të jap shpjegime për çdo sekondë të kohës kur janë kryer vrasjet dhe të zbardhen gjithë telefonatat e tij. Lulëzim Basha gjithashtu është filmuar në dritaren e zyrës së tij së bashku me drejtorin e policisë. Vrasjet janë kryer të gjitha në një hark të shkurtër kohor. Dy prej tyre sipas kamerave janë kryer nga i njëjti vend, nga kryeministria, brenda 5 sekondave, pra dy gjuajte të njëpasnjëshme. Momenti kur janë kryer ka qenë fundi i protestës kur njerëzit thuajse ishin tërhequr dhe nuk ka pasë asnjë arsye teknike për të urdhëruar vrasjet. Vrasjet janë urdhëruar politikisht pasi vetëm Sali Berishës i interesonte një bilanc me viktima. Siç shihet pas vrasjeve, viktimat janë njerëz të varfër nga jugu në veri të Shqipërisë, pa asnjë lidhje me njëri- tjetrin përveç bindjeve opozitare dhe të paorganizuar në ndonjë skemë kriminale. Kjo detyron Sali Berishën të shpjegojë informacionet që ka pasur dhe arsyet pse ka urdhëruar vrasjet në fund të demonstratës.
Arsyeja e tretë përse Berisha duhet pyetur si i dyshuari kryesor është artikulimi prej tij i ekzistencës së një skenari nga treshja Rama- Ruçi- Gjinushi. Kryeministri duhet të dorëzojë gjithë informacionin për ekzistencën e këtij skenari në prokurori dhe t’i hapë rrugën hetimeve. Në rast të kundërt, kjo duhet konsideruar përpjekje për devijim të hetimeve për katër të vrarët dhe duhet të penalizohet.
Arsyeja e fundit përse Berisha duhet të thirret në prokurori është morale. Ai në gjithë jetën e vet nuk e ka përfillur kurrë drejtësinë dhe nuk ka pranuar të shkojë aty për të dëshmuar për asnjë ngjarje. Ai e ka injoruar atë institucion dhe për një vrasje politike në derën e zyrës së tij, vrasjen e Azem Hajdarit, ku ka disa pika të errëta të përfshirjes së tij në dinamikën e ngjarjes. Sali Berisha duhet të provojë të respektoj drejtësinë duke bashkëpunuar me të. Ndryshe ai do të krijojë një precedent historik të mungesës së respektit për drejtësinë, e cila do të ndikojë keq në kulturën politike shqiptare.
Nëse Sali Berisha nuk merret në pyetje si person kyç në zhvillimet tragjike të 21 janarit, atëherë drejtësia për katër të vrarët nuk do të vendoset kurrë dhe ky vend nuk do të gjejë qetësi nga vetëgjyqësia. Këtu, pjesë e krimit do të jetë dhe institucioni i prokurorisë.
Email nga adresa: [email protected]