Zoti President, dekoratat u takojnë çlirimtarëve e jo kriminelëve që bashkëpunuan me pushtuesit
Ka kohë që Presidenti i Republikës Bujar Nishani, duke qenë në shërbim të forcave të ekstremit të djathtë, nuk ka lënë kriminelë nga ata që bashkëpunuan me pushtuesit nazi-fashistë pa i dekoruar e shpallur disa martirë e disa patriotë.
Këtë bëri ai edhe kohët e fundit kur shkoi në Malësinë e Madhe dhe akordoi “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, për autorët e ngjarjes së Postribës të 9 Shtatorit 1946, duke e cilësuar atë, në kundërshtim me të vërtetat historike, si kryengritje antikomuniste. Për të gjykuar sesa i gabuar, antihistorik e antikombëtar është veprimi dhe prononcimi i Presidentit, le t’u referohemi fakteve të vërteta historike.
Pas çlirimit të Shqipërisë si rezultat i asaj lufte legjendare të partizanëve së bashku me popullin shqiptar, ballistët, zogistët dhe krerët bajraktarë e reaksionarë të veriut, një pjesë u larguan jashtë shtetit së bashku me forcat gjermane, disa të tjerë u arratisën më pas, ndërsa një numër mbetën të fshehur maleve dhe kryenin krime e vrasje për të ngjallur panik e pasiguri. Dhe më në fund hartuan plane për të sulmuar Shkodrën e më pas Tiranën, për të rrëzuar me dhune pushtetin popullor.
Organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale në Postribë, ishin shërbëtorë të nazi-fashizmit, që gjatë LANÇ i kthyen armët popullit: Llesh Marashi, Preng Cali, Jup Kazazi, Hasan Isufi, etj.
Këta kriminelë, të cilët i kërkonte drejtësia për krimet e kryera, të inkurajuar dhe nga reaksioni i jashtëm, i cili në Konferencën e Paqes në Paris 1946 u përpoqën ta copëtonin Shqipërinë, hartuan plane, grumbulluan armë, vunë në shërbim të tyre dhe disa klerikë reaksionarë, mashtruan disa fshatarë hallexhinj se: “Kur të marrim Shkodrën do tu mbushim thasët me ushqime etj.”, ju futën aventurës duke sulmuar drejt Shkodrës, të cilët i udhëhiqte krimineli Jup Kazazi. Por populli i Shkodrës dhe forcat e tij të armatosura u dhanë përgjigjen e merituar.
Kjo është e vërteta zoti President dhe jo ajo që thatë ju dhe ata myteberë që drejtonin atë tubim. Shkoni e shfletoni arkivat dhe pyetni popullin e Shkodrës e të Postribës tu thonë të vërtetën, e jo Besim Ndregjonin, i cili s’ka asgjë të përbashkët me të përndjekurit politikë. Ai s’ka qënë në burg apo i përndjekur, veç babait të tij i dënuar për armë mbajtje pa leje. Po të kishte qënë i përndjekur Besim Ndregjoni nuk do të kishte patur detyrën e Kryetarit të Bashkimeve Profesionale në Hidrocentralin e Fierzës. Por, si pelivan që është, pas ndryshimit të sistemit, ai ndërroi dhe identitetin nga, Ibrahimaj në Ndregjonaj, e me falsifikime të ndryshme ka arritur që sot padrejtësisht të drejtojë shoqatën e të përndjekurve politikë.
Në këto rrethana të vërteta do të ishte në nderin tuaj zoti President, që këto dekorata të larta t’ua jepnit atyre që bënë historinë e këtij populli, atyre që u përballën me pushtuesit, atyre që çliruan dhe siguruan pavarësinë e Shqipërisë që gëzojmë ne sot.
Ne veteranët, invalidët dhe pjesëtarët e familjeve të dëshmorëve të LANÇ-it ju sigurojmë se me këto veprime antihistorike e antikombëtare që jeni duke kryer, i bëni një shërbim të keq institucionit të Presidentit. Prandaj ne ju bëjmë thirrje që Ju si përfaqësuesi i unitetit të kombit të çmoni e të vlerësoni vlerat dhe jo antivlerat kombëtare. Ndryshe do mbani përgjegjësi para historisë, para popullit dhe vendit tonë.
KRYESIA E KOMITETIT KOMBËTAR TË VETERANËVE TË LANÇ
