Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev është shprehur se do të japë dorëheqjen në rast se referendumi për emrin nuk do të rezultojë i pranuar në përqindje të lartë nga njerëzit.
“Po, do të largohem nga pozita e kryeministrit nëse nuk ka sukses referendumi. Por jam i sigurt se do të ketë sukses”, deklaroi ai.
Zaev thotë më tej se pret përqindje serioze të qytetarëve që bien dakord me referendumin, duke shtuar se ata duhet vetëm ta konfirmojnë nëse duan që Maqedonia të jetë e anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe NATO.
“Pres përqindje serioze 75-85%, në pajtueshmëri me atë se sa janë deklaruar qytetarët për anëtarësim në BE dhe NATO. Qytetarët nuk kanë çfarë të zgjedhin, nuk kanë alternativë tjetër”, tha kryeministri i Maqedonisë.
Reagimi i Zaevit ka ardhur fill pas njoftimit të presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i cili deklaroi se nuk do ta nënshkruante ratifikimin e ligjit të marrëveshjes së emrit me Greqinë pasi e shikon si antikushtetuese.
s.a/dita
