Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev deklaroi se konferenca për hapjen e negociatave me BE nuk do të mbahet për këtë vit.
Zaev, në konferencën e sotme për shtyp tha se një pengesë është përplasja me Bullgarinë.
“Po përpiqemi deri në momentin e fundit, do të japim gjithçka nga ana jonë, si energji, mençuri, por ta dini se ka çështje për të cilat askund në botë nuk negociohet. Këtë e kupton edhe pala bullgare, e kupton se identiteti dhe gjuha jonë, janë ndjenja dhe të drejta që na përkasin neve, shtete nuk negociojnë për këtë punë. Ne po provojmë të kërkojmë zgjidhje që është e pranueshme për të dy palët, por definitivisht qëndroj pas asaj që ka mundësi të mos mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në”, deklaroi Zaev.
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë përplasje ngaqë edhe Shkupi ka në qendër të identitetit të saj, heronj dhe data të rëndësishme historike, që janë edhe pjesë e identitetit të popullit bullgar.
o.j/dita
