Ka pak ditë që Shoqata Zagoria por dhe portale të tjera kanë vënë alarmin (me te drejte) për prerjen e pyjeve që po përgatitet të bëhet në Zagorie. Nuk diskutohet që duhet të jemi të ndjeshëm ndaj prerjes së pyjeve kudo qoftë, por për mua ca me keq që ndodh në Zagorie. Si zagorit thjesht jam më i ndjeshëm për gjërat që ndodhin aty pavarësisht se veprime të tilla e kanë emrin masakër kudo që të ndodhin. Prerjeve të tilla ju a ka pare hairin Pogoni me Lunxhërinë (Odrien) prandaj zotërinj të pushtetit lokal dhe qendror do të na falni por nuk duam të blejmë nga ai brumë. E kuptojmë që ju digjet zemra për ne, e kuptojmë që s’u zë gjumi natën për ne dhe të mirën tonë por… lëreni. Ujku dhinë e ha në mal, zarari bëhet në shtëpi. E pra sa herë janë marrë vendime dhe bërë akte për Zagorien në Gjirokastër, Tiranë, Stamboll, Libohovë e gjetkë dëmi është bërë në Zagorie (nuk po e përmend rastësisht Stambollin). Mos u mundoni të vendosni për Zagorien pa zagoritet.
Zj. Kryetare e Bashkisë Libohovë.
Pavarësisht largësisë dua t’ju siguroj se kam ndjekur çdo aktivitet tuajin që ka të bëjë me Zagorien. Kam parë plot video dhe fotografi tuajat ne aktivitete të ndryshme në krahinë. Kam parë plot të njohur (midis tyre dhe miq të mij) të shtyhen me njëri tjetrin për të bërë një fotografi pranë Kryetares. Vërtet, me dorë në zemër. Asnjëri nga ata që keni patur pranë nuk ju tha se Zagoria nuk ofrohet për lojëra të tilla biznesi?
Nuk e kuptoj pse na bëni të dyshojmë se investimet ne infrastrukture janë bërë jo me qëllimin e mirë për të ndihmuar Zagorien por me të vetmin qellim për të ndihmuar biznese që kanë si objektiv shkatërrimin e saj. Vërtet ku ju kanë kapur ju këta biznese? E them kështu se me sa di në profesion jeni mjeke pra me ndjeshmëri më të lartë se njerëzit e zakonshëm ndaj natyrës. E kuptoj qe ne konceptin elektoral Zagoria s’ka pike rëndësie per ju por kjo kurrsesi nuk ju jep te drejtën të silleni si të doni me të. Për më tepër nuk mund të bëni dot ç’të doni me të. Nuk e di nëse ju kane thënë se historikisht Zagoria pazarin e ka bërë në Këlcyrë, Përmet dhe Voshtinë. Besoj me kuptoni që këtu duhet kujdes se s’është koha për të tilla thirrje.
Do t’ju lutesha te rishikonit vendimet tuaja ne lidhje me Zagorien dhe jo vetëm kaq por te studionit mundësinë e hyrjes ne këtë zone vetëm me bilete. Ajo çka i mban zagoritët atje është pikërisht harmonia me natyrën dhe ju nuk mund te prishni këtë ekuilibër. Zoti ndriçoftë mendjet tuaja.
Nëse ju kane paraqitur si te domosdoshme prerjen e pemëve te degraduara kjo pune mund te behet thjesht duke plotësuar kërkesat e vendasve për dru zjarri.
Zoti le të vërë dorën sa pa vënë djalli të tharën e tij.
Besnik Suli, Zhej, Zagorie