Zana Toska, kjo grua nga Berati, kur ka marrë gjilpërën në dorë për herë të parë, nuk e kishte menduar asnjëherë që me kalimin e viteve, puna e saj do të kapërcente kufijtë dhe kontinentet.
Sot jemi takuar me këtë zonjë tek të 50-at, e cila bën punë dore. Në fakt, në Shqipëri, ka shumë gra dhe vajza të cilat bëjnë punime të tilla, madje shpesh marrin pjesë edhe nëpër panaire të ndryshme duke treguar kështu jo vetëm traditën e zonës nga vijnë, por edhe pasionin për këtë art të veçantë të trashëguar brez pas brezi.
Kështu ka ndodhur edhe me Zanën. Na tregon se ka qenë 15 vjeç kur nëna i dha për herë të parë, perin dhe gjilpërën, duke kërkuar nga ajo një punim të thjeshtë dore.
Më pas, adoleshentja e asaj kohe, e lindur në Skrapar, gjithçka e ka zhvilluar vetë, duke dashur të bukurën dhe duke ndërthurur në copa të ndryshme qindra fije me ngjyra. Na thotë se shumë shpesh e komentonin me fjalët: “ç’i sheh syri, ia bën dora”.

Pas përfundimit të shkollës së mesme, ajo u martua në qytetin e Beratit. Bashkëshorti i saj është kuzhinier. Të dy ata janë prindër të tre fëmijëve të rritur, tashmë, dy vajza dhe një djalë.
Si një grua e cila njihej për mjeshtërinë e saj, përpara viteve ’90, ajo na thotë se ka punuar për 13 vite në fabrikën e Trikotazheve në Berat.
Përvojë kjo që e ka ndihmuar shumë mësoi jo vetëm mbi teknikat e realizimit të trikove, por edhe të kuptonte më shumë, për mënyrën se si kombinoheshin ngjyrat dhe çfarë shkonte dhe nuk shkonte mes tyre.
Të jesh mjeshtre në punët artizanale e mbi të gjitha të kesh një sy të stërvitur për të kuptuar se cilat janë ngjyrat që mund të qëndrojnë afër njëra-tjetrës, është një hap i rëndësishëm, drejt një pune të suksesshme.
Puna e dorës
Pas viteve ’90, shumë gjera ndryshuan. Fabrika “Trikotazh” u mbyll dhe… Zanës nuk i mbeti gjë veçse të niste e të punonte privatisht.
Banorja e lagjes “Vakëf” në Berat, na tregon se hapi një kioskë të vogël, ku ekspozonte për turistët që vizitonin qytetin, punimet e dorës. Në fillim shitjet ishin mirë, por me kalimin e viteve kishte gjithmonë e më shumë rënie, pasi jo vetëm që u shtua konkurrenca, por edhe imitimet e ardhura nga vende të ndryshme të botës, zëvendësuan punë e mirëfilltë të dorës. Ajo që pati sukses në këtë periudhë sipas Zanës, ishin punimet që porositeshin nga jashtë.
“Kishte shumë shqiptarë që jetonin në emigracion dhe kërkoni që t’u bëja, çarçafë të qëndisur, apo mbulesa tavoline. Kërkonin çentro me prerje ose grirje. Donin shumë këllëfë për jastëk. E shumë punime të tjera dore, që unë i bëja me grirje në makinë, ose me qëndisma të ndryshme. Shpesh këto porosi ishin për dhurata që mund t’i bëheshin të huajve. Ata i pëlqenin shumë dhe kështu, merrja shumë porosi nga jashtë. Punimet e mia kanë shkuar gjithandej, jo vetëm në Itali e Amerikë, Angli dhe Australi” – thotë Zana për Dita-n.
Megjithatë, kjo valë nuk zgjati shumë, por Zana vazhdonte të punonte me të njëjtin pasion dhe përkushtim mbi çdo copë që i binte në dorë. Ajo na thotë se për të nuk ekziston koncepti ditë apo natë. Ajo punon në çdo orë. Madje ka raste kur e gdhin deri në orët e para të mëngjesit. Puna me objektet dhe aksesorët e imët e ka bërë që vitet e fundit, gjatë punës të përdorë edhe syze, gjë që është normale, sipas saj, pasi vitet me gjilpërë në dorë, nuk janë pak.
Rruga drejt… punimeve 3D
Një angazhim familjar e bëri që 50-vjeçarja në vitin 2009 të emigronte në Itali. Teksa ecte një ditë në rrugët e Bolonjës, qytet ku do të duhej të qëndronte për tre muaj, shikon në një vitrinë lajmërimin për një kurs që kishte të bënte me të mësuarit e punimeve të dorës, por ndryshe nga ç’kishte punuar më parë.
Aty mësohej si të realizoje punime tri dimensionale. Te të cilat gjithashtu përdorej gjilpëra, por këtë herë hynte në loja një fije më e trashë dhe më ndryshe se sa mulineja, këtu duhet të punoje me copa, për të realizuar forma dhe lule të ndryshme.
Zana na tregon se në fillim hasi rezistencën e personit që jepte kurse duke dyshuar në aftësitë e zonjës shqiptare dhe duke e pranuar me dyshim në këtë kurs. Por teksa kishin kaluar pak ditë, Zana kishte befasuar me avancimin që kishte bërë në të mësuar dhe me punët e para që kishte dorëzuar. Brenda tre muajsh ajo arriti të përvetësojë një stil pune ndryshe nga ç’kishte praktikuar për 30 vite me radhë.
Ky udhëtim i rastësishëm e bëri Zanën që të kthehej në Shqipëri, me një certifikatë të vyer në xhep. Punët e para tri dimensionale habitën jo vetëm turistët, por edhe stilistët më me emër në vend.
U desh që të organizohej një panair me punime artizanale në Tiranë, që Zana të njihej edhe në rrethin e specialisteve të modës në kryeqytet. Menjëherë asaj nuk u munguan ofertat e punës. Na tregon se ka bashkëpunuar për dy vite me Tatjana Isajin. Pas largimit të kësaj të fundit nga Shqipëria, një tjetër stiliste me emër kërkoi të merrte në ateljenë e saj Zana Toskën. Ajo është Enada At’Nikolla. Tashmë, prej një viti, Zana punon për të. Stilistja ndërthur stilin e saj me mjeshtërinë e zonjës në realizimet e luleve apo edhe të formave të tjera tri dimensionale. Një ndërhyrje e saj në fustan, i jep atij një stil krejt tjetër. Për momentin, ajo është e vetmja në Shqipëri që realizon këto punime.
Puna pranë At’Nikollës e ka bërë që të zhvendoset për të jetuar në Tiranë së bashku me djalin e cili është student. Ndërsa pjesa tjetër e familjes jeton në Berat, pasi atje kanë punët dhe angazhimet profesionale. Kjo ia vështirëson disi qëndrimin, por sipas saj, sakrificat për herë të punës, duhen bërë.
Punët e Zanës nuk fokusohen vetëm te veshja, por edhe te punë të tjera të cilat përfshijnë mbulesat e tavolinës, jastëkët, kornizat e ndryshme, çarçafët, çentrot zbukuruese.
Zana konstaton me keqardhje që janë të paktë të rinjtë që merren dhe realizojnë punime dore. Sipas saj, nuk kanë durim dhe i duan gjërat shpejt, por nga ana tjetër, puna e dorës, për të është një kënaqësi e madhe. “Nuk mund ta imagjinosh, se çfarë ndjen teksa nis një punë dhe kur e sheh të përfunduar, as vetes nuk i beson, e ke bërë ti, apo jo. Mua më ndodh shpesh që mos t’u besoj syve për punën që kam bërë. Kur e përfundoj, më duket e parealizueshme dhe habitem me vetën. A ka kënaqësi më të madhe…?!”. Por 50-vjeçarja thotë se asgjë nuk përfundon kur mëson diçka, gjithmonë duket të shfletosh dhe të njohësh tendencat e reja. “Nëse nuk je në kohë, koha të la pas, ndaj duhet të qëndrosh e vëmendshme me zhvillimet e fundit”.
Ka shumë vajza që për arsye nga më të ndryshme nuk arrijnë dot të përfundojnë studimet e larta. Apo edhe për ato që kanë përfunduar një shkollë edhe nuk punojnë në profesion. Puna e dorës mund të ishte një zgjidhje shumë e mirë.
“Provojeni veten. Ju mund të keni aftësi që nuk i dini. Niseni me diçka të vogël e më pas puna të hynë në qejf vetë. Mund të bëheni shumë të zonjat në këtë fushë, e cila, në mos nuk të bën të pasur, të mban me bukë, e mbi të gjitha të zhvillon fantazinë e të mban në kontakt me njerëzit. Sikur ato tri- katër orë në ditë që harxhojnë në rrjetet sociale të bëjnë një punime dore, do të ishte shumë bukur dhe do ia ndjejnë vlerën” – këshillon Zana Toska, kjo grua që… “ç’i sheh syri, ia bën dora”.













