Në Apoloni, atje ku u ngjiz romani i famshëm…
Aristotel Mici
(Vijon nga numri i kaluar)
Të nesërmen në mëngjes u nisëm për ne Pojan. Rruga më e shkurtër binte përmes kënetës së tharë, pikërisht në atë hapësirë që quhet “Vija e Ngjalës”. Ecnim për gjatë një trage, që gjarpëronte midis bimëve të egra barishtore të kënetës. Pas pak minutash, në mbarim te Vijës së Ngjalës, udha na nxori te një vend me shumë çole dhe truskë. Dhe midis këtyre bimëve barishtore u dukën tri gropa të thella dhe të gjëra, të cilat nuk ishin tharë deri ne fund. Për rreth tyre kishte cifla te ndryshkura hekuri.
– Këto gropa,- i tregova Jakovit, – janë gjurmë të një bombardimi të kohës së luftës. Ishte pranvera e vitit 1944…
Pas pak minutash, me biçikletën për dore mbërritëm në Pojan. Duke iu ngjitur kodrës së Apolonisë, kthyem kokën pas dhe pamë si në pëllëmbë të dorës gjithë hapësirën, ku patëm shëtitur një ditë më parë.
Duke ecur iu afruam murit rrethues të qytetit antik, afër të cilit ndodhej oborri i xha Kolit, i cili, i lajmëruar nga i biri se do t’i vinim për vizitë, nuk pati dalë prej shtëpisë dhe po na priste. U takuam në oborr dhe pastaj ai na futi në shtëpi. Me t’u ulur në divan, me një herë xha Koli iu drejtua Jakovit: – Si e pëlqen duhanin, o mik? Me kuti, a po të hekurosur…..
– Të falemnderit, po unë nuk e tymos fare.
– Mirë ke bërë që e paske lënë, po ne këtej nga fshati e kemi këtë të flamosur duhan si shtytje për muhabetin.
Pastai ai u kthye nga unë dhe më zgjati kutinë me duhan të grirë, ku kishte edhe cigare të dredhura.
Në të vërtetë as unë nuk e pija duhanin, po nuk mund t’ia prishja xha Kolit, se jo vetëm po më bënte nder, po edhe po më “gradonte” midis të njerëzve të fisit. Për atë, tani e tutje, unë nuk isha më një çunak, po një djalë i rritur midis burrave. Dhe sakaq, ai vuri eshkën mbi gurin shkrepës, i ra me masat dhe xixat e gurit e ndezën atë, që do t’i jepte zjarr cigares. Era e eshkës dhe e duhanit të grirë krijonin vetiu një aromë të veçantë që po më dukej e këndshme, vetëm se duhani ishte i fortë dhe unë më tepër tymosja se sa e thithja.
Pasi ndezi cigaren, xha Koli u bëri zë vajzave që të nxirrnin kovën nga pusi, ku ishte vënë një pjepër qarrës për t’u freskuar . Pjepri sa kaq qe prerë nga vajzat dhe fetat e tij qenë vendosur nëpër pjata. Dhe ashtu biseda filloi duke ngrënë fetat e shijeshme të pjeprit. Në fillim xha Koli foli për dëbimin e fisit nga Griza dhe pastaj për largimin e tij dhe të të vëllait nga Shen-Pjetra, në Pojan.
– Kur e ndjeve veten më keq, kur ikët nga Griza, a po kur u larguat nga Shën-Pjetra- i itha atij Jakovi.
– Largimet dhe ndarjet janë gjithnjë të dhimbshme, – u dëgjua xha Koli, – sepse lë pas njerëzit, shtëpinë, truallin. Po dëbimi nga Griza na lodhi dhe telikosi shumë, se për ne në atë kohë ishte larg, tepër larg që të lëvizje si familje edhe si fis… Pastaj që andej nga Griza ne na dëboi i ligu.. Kurse ikjen nga Shën-Pjetra, për në Pojan, e patëm më të lehtë. E para se e zgjodhëm vetë vendin, dhe e kishim shumë afër, si fshat . Dhe lidhjet me vëllazërinë nuk i ndërpremë . U ndamë vërtetë, po ishim prapë zëre se një shtëpi.
– Po ajo kënga për vrasjen e Petos, që na e tregoi Nënë Lina, a të kujtohet? – e pyeti prap Jakovi.
– Si nuk më kujtohet, në ato kohëra e këndonim nëpër gostira, kishte raste që merrej dhe me valle, – i u përgjigj ai.- Po kjo kënga, që u ka treguar nëna Lina është ca e vonëshme, sepse tregon hasmërinë e dytë. Kurse kënga me e vjetër është ajo që rrëfen për hasmërinë e pare. .Që ta dini ju, nëna Linë ishte çupë fare e vogël atëherë, mbase nuk kish lindur akoma. Dhe, kështu, mbase nuk e ka ditur mirë hasmërine e vjetër.Që ta merrni vesh mirë , hasmëria e parë me beun filloi me gjyshin tim xha Trifonin dhe të vellanë e tij, xha Jançen. Beu nuk i donte dhe si shkak për t`i debuar, gjeti djegien e kashtes së kënetës së Grizës. Kashta pirrë dhe kashta fryjtje e Grizës ishte e mrekullueshme për mbulesë çatish, si për kasolle, si për shtëpi. Ishte koha kur nuk kishte qeramidhe, tjegulla, si i thonë tani. Dhe, prandaj kushtonte shumë kashta. Beu, që e dinte atëherë këtë gjë, me qëllim fitimi e pati marrë iktizam nga shteti, kështu që sipas rregullit të atëhershëm, kishte të drejtë të shiste kashtë sa të donte e me çmimin që i pëlqente. Mirëpo nje ditë te nxehtë gushti në kashtë ra zjarri. Askush nuk u gjent si fajtor. Bekçiu i kënetës, si punë roje të themi, si me porosi të beut shpifi, se gjoja Micallarët, i kishin vënë zjarrin kashtës. Çështja vajti dhe në gjyq, ku bekçiu doli jallan shahit , duke thënë se Jançe Mici dhe Trifon Mici kishin vënë fshehur nje eshkë të ndezur në një dëng me kashtë. Kështu gjyqin e fitoi beu,dhe gjyshi im me të vëllanë e tij u dënuan me burg dhe i shpunë në burgun e vilajetit, në Janinë. Bënë ca vjet burg ,dhe, pastaj, duke paguar ryshfet, më në fund dolën nga burgu. Kur ata u kthyen nga Janina, djemëria e fisit kishte nxjerë një këngë , që siç ma ka treguar Nëna e Madhe edhe e kënduan, asi kohe:
O Zengjel bekçiu, jallan shahit dole,
Jançen e Trifon, në burg të Janinës çove.
O Zengjel bekçiu, herët ose vonë,
Hakën do ta lajmë për Jançen e Trifon .
Kështu, si thotë dhe kënga, haka u mor, po hasmëria mbeti. Kënga që u ka treguar juve Nëna Lina, për vrasjen e Petos, në Mbyet, te Çesma e Shën-Kollit, tregon hasmerinë e dytë, flet për atëherë, për atë kohë, kur na dëbuan fare nga Griza.
Atë çast, si për t’u ndodhur në muhabet, unë ndërhyra dhe i thashë xha Kolit në se e dinte se pse profesor Jakovi e pyeste për shumë hollësira nga jeta e fisit.
– Si ore nuk e di,…. po më tregoi Vllasi, djali i madh mbrëmë. Ky ka ardhur me synimin që të na bëjë një libër për të kaluarën tonë dje. Mora vesh nga djali se miku është një profesor, që lë Institutin e Lartë dhe bulevadin e Tiranës dhe vjen këtu te ne, në Pojan dhe në Shën-Pjetër, midis pluhurit dhe baltës. Prandaj, more çun , për këtë gjë unë e nderoj këtë njeri në mënyrë të veçantë, i cili edhe pse është profesor dhe ka një barrë mend, di të ulet edhe në rrogoz, për të dëgjuar brengat e njerëzve të vuajtur.
I prekur nga fjalët e mira që degjoi, Jakovi e pa të udhës t’ i thoshte burrit të moshuar:
– Po edhe unë bir i kësaj balte jam , o xha Koli, në Fier jam rritur. Fieri nuk është as dhjetë kilometra që këtu nga Pojani,… si të mos kem dëshirën të dëgjoj e të shkruaj për ngjarje nga jeta juaj.
– Për këto që po thua t’u bëfshin gjithë fjalët e shkruara ar dhe argjend, – uroi xha Koli
– Çështja është se për librin që do të shkruaj Jakovit do t’i duhet të shkelë herë pas here këtu në Pojan edhe në Shën-Pjeter, – i thashë unë atij.
– Po le të vijë pa gajle fare, ja tek e ka dhomën; kur është miku yt, është edhe miku ynë, – u dëgjua me një herë xha Koli.
U falem nderit për mikpritjen dhe dëshirën që po tregoni për të më ndihmuar. Me fjalët tuaja marr zemër që të vij sa më shpejtë për t’ u takuar dhe për të biseduar.
-Të urdhëroni pa teklif. Një shkronjëtari si ju e ka për nder ta pres jo vetëm unë, po çdo pojanak .
U ndamë me xha Kolin, duke marrë me vete përzemërsinë e tij dhe u nisëm sipër për në qender të qytetit antik..
***
Dhe ja, kur kishim bërë vetëm disa çapa në të përpjetën për te manastiri, u pa duke zbritur ciceroni plak i Apolonisë, Pilo Samarxhiu.
– Paske ardhur me biçikletë, – i tha ai Jakovit, – kurse xha Naka, kur ishit të vegjël, u sillte me birotçe.
– Më vjen mirë që na mbajke mend, – ia ktheu Jakovi.
– E, po si djem qyteti, ju i bënit nder manastirit të Shën-Mrisë, kur vinit, atë ditë të shenjtë të 15 gushtit.
Atë çast Jakovi mori që ta njihte me mua, duke i thënë xha Pilos:
– Ky është studenti im .
Po ai ia preu fjalën:
– Edhe këtë e njoh, – u dëgjua xha Pilua,- Ky është i biri i Çaçit. Tok me të atin e këtij kam bërë kurbet në Massachusetts. Kemi punuar në American Optical Company për vite me radhë, në Southbridge, afër Bostonit.
Pastaj, xha Pilua u drejtua nga unë e më tha si më njanë: “Ti mos e ça koken se them kështu; se fundja në vamë në Amerikë, për punë vamë…- dhe , pasi më ra pak në sup, na tha të dyve:
– Mora vesh se po më kërkonit.
– Dhe ja, u gjetëm pa zor,- foli Jakovi.
– E po tani, kthehuni nga shtepia . Ja tek është shtëpia ime, ngjitur me oborrin e xha Kolit.
– Do të më pëlqente edhe mua, – shtoi Jakovi, – po do ta lëmë për një herë tjetër. Kësaj radhe,vetëm sa të takoja dhe të bisedonim sadopak për një fjalë që kam dëgjuar se do të fillojnë gërmimet arkeologjike në Apoloni.
– Që do të fillojë puna arkeologjike, do të fillojë, po se kur nuk dihet me siguri. Vetëm se do të jënë për kohë vere.
– Po mendoj se mos merrem vesh me arkeologët dhe të rregulloj një krevat sa për të fjetur.
– Po nuk të volet, – ia ktheu xha Pilua,- Ata do të qëndrojnë vetëm gjatë muajve të verëas.. Po për strehë mos e vra mendjen. Çdo derë në Pojan është e hapur për ty. Pastajza ,si do të rrish vetem ti në Manastir!
– E di si është puna: – vaszhdoi Jakovi, – Kur shkruaj, mua më duhet edhe vetëmia.
– Po pse, o i uruar, kërkon të ikësh si era. E shikoj që ke një hall. Rri të llafosemi shtruar dhe të largohesh me mendje të mbledhur.
– Nxitoj, xha Pilo, se dua t`i dorëzoj biçikletën të zotit, dhe pastaj kam punët e gazetës. Herën tjetër do të vij të rri një kohë vërtetë të gjatë.
***
Po me gjithë ngutjen që kishte Jakovi për t’u kthyer në Tiranë atë ditë, vizitën lartë në kodër nuk e lamë pa bërë. Mbështetëm biçikletën te lisi i manastirit dhe morëm të përpjetën nga hyrja e akropolit. Pamë godinën e sajuar si shtëpi të arkeologut frëng, Leon Reit, gurët e stermëdhenj ciklopik, tek hyrja e Akropolit, murin rrethues të qytetit dhe ndaluam te portiku, që kishte shërbyer si një lloj shetitoreje, që nga shfaqej një pamje romantike e hapësirës së Myzeqesë..Që atje, nga lartësia e kodrës, dukej si në pëllëmbë të dorës, pylli i Shën-Pjetrit, Lumi i Vdekur me kurorat dhe bërylakët e tij, që shtrihej deri te kisha e Shëne- Premtes, Gjoli i Kërrnicës dhe pas tyre dukej deti Adriatik si një pasqyrë e kaltër. Kurse nga jug-perëndimi binin në sy dy kurrizet e murmë të ishullit të Sazanit, që ngjanin sikur po notonin në kaltërsinë e detit, sikur të ishin dy delfinë gjigantë, që po largoheshin nga cepi i hundës së zgjatur të Karaburunit.
Duke ecur ngadalë midis rrënojave të Apolonisë, m’u kujtuan ditët e fëmijërisë, kur vija e luaja me fëmijë të tjerë nëpër skutat e kodrës, ku shtriheshin gurë të vjetër, të rrëzuar. Në ditë pranvere, mësuesi ynë i shkollës fillore, Llaq Prençi, që kishte miqësi dhe njohje me mësuesit e Pojanit, Liu Lenën dhe Koço Xheron, na merrte tufë dhe na ngjiste për shetitje te kodra e Apolonise, ku na prisnin nxënësit e Pojanit. Dhe, ndersa mësuesit rrinin, duke biseduar, në hijen e lisit të moçëm, ne të vegjëlit, gjenim rastin e gëzuar të endeshim, duke luajtur gjith hare “milingoçi- troçi,- “hapa-dollapa”, “Symbyllaz”, a po lojën me “tura”.
Po kënaqësia jonë e madhe ishte kur shkonim tek një relike e kohës së luftës. Si në ëndërrim më kujtohet, një objekt i rëndë metalik, i lyer me bojë të gjelber, i ngulur në tokë me beton, që rrotullohej përqark një boshti të madh. Ky objekt ishte shtrati mitralozit kundër-ajror. Kishin kaluar disa muaj që ushtarët gjermanë qenë larguar, mitralozin e kishin marrë me vete, po shtratin rrotullues, të montuar në tokë e kishin lënë. Atëherë, kur shkonim atje për shetitje, ajo relike lufte bëhej për ne të vegjëlit një tjetër lojë zbavitëse. Dhe kur e rrotulloja me duart e mia tok me kushërinjtë dhe shokët atë objekt lufte, më vinte në mendje, ajo ditë e të Premtes së Zezë të vitit të kaluar, kur unë mblidhja lule Shën-Gjergji te Pylli i Madh, dhe, kur më erdhën mbi kokë tre aeroplanë të aleatëve, të cilët ai mitraloz kundër-ajror i qëllonte nga poshtë. Atë çast sikur ngazëllehesha dhe doja ta rrotulloja, rreth boshtit, sa më shumë atë send të rëndë prej hekuri, që të harroja atë ditë të frikshme.
* * *
Dhe ashtu, pas kësaj shetitjeje të shpejtë midis rrënojave të Apolonisë, Jakovi u nda me ciceronin plak të qytetit antik, duke i dhënë fjalën atij se do të vinte përsëri..
Ecëm nga dal të dy deri atje, ku rruga bigëzohet. Unë do të kthehesha në Shën Pjetër dhe ai do të nisej për në Fier me biçikletë.
Po para se të ndaheshim, Jakovi nxori bllokun e shenimeve dhe në një fletë të bardhë hoqi dy vija paralele. Midis tyre shkroi fjalët “Lumi i Vdekur”, duke më thënë mua: “Në qoftë se ky është Lumi i Vdekur, këtu poshtë, i takom te jetë Shën-Pjetri, poshtë, në të majtë duhet të jetë vendi “Troka-s”, a po Trokthi; më sipër kisha e Shëne-Premtes, dhe këtej, ende më majtas, e veçuar në kodër, Apolonia .
Si të duket, i kam vendosur mirë”
– I ke fiksuar aq qartë, – ia ktheva,- sa në një hartë topografike.
Atëherë ai buzëqeshi dhe më foli me optimizmin e tij karakteristik:
– Kështu, në këtë fletë kam skicuar ekspozicionin e romanit të ardhshëm. Natyrisht, kjo skicë është vetëm fillimi. Në këtë kuadrat, që shtrihet në të dyja anët e Lumit, duhet të sistemoj gjithë materialin që kam mbledhur dhe do të vjelë tash e tutje. Do të kemi raste të takohemi dhe të flasim”. Më falnderoj për vemendjen dhe, tek u përqafuam, më la porosi, që kur të vija në Tiranë për provimet e janarit, të kthehesha edhe nga redaksia e gazetës për t’u takuar.
Më dha dorën duke më thënë:
– Po largohem duke marrë me vete kaq shumë kujtime, ngjarje dhe shenime.
Dhe vërtet qysh ditën e parë të këtij udhëtimi Jakovi njohu vende që do ta ndihmonin për toponomastikën e romanit të ardhshëm: Shtratin e Lumit të Vdekur, kishën e Shen-Pjetrit dhe Shëne-Premten, Vijën e Ngjalës dhe vende, të cilat do të përshkruheshin dhe ndërlidheshin në mënyrë mjeshtërore prej autorit në romanin me emrin e çuditshëm “Lumi i Vdekur”. Kështu që jo vetëm nga ana faktike, po edhe në kuptimin figurative, Lumi i Vdekur do të ishte si kolonë vertebrale e veprës me të njëjtin titull. Nuk e merrja me mend se isha bërë ashtu dëshmitar i zanafillës së një vepre tërheqëase, i një romani epope, me një nivel artistik, që romani shqiptar nuk e kish pasur deri atë kohë.
(Vijon)

Dalengadale koha e pastron vete llumin qe mbulloi guret e bardhe,te latuar me mjeshteri,te Letersise se Jakov Xoxes.
Ishte edhe nje njeri i madh..Miresiii..Ai falte miresiii.
Shenjtor e ka quajtur nje komentues me nofken apollon.
Ja si e zhduku rrebeshi i kohes letersine e zhagajdhureve.
Fari balliu,besnik mustafa,kopshti letrar i Lezhyes,,kulla letrare Tropojes,,jo qe nuk ka shqiptar ti lexoje me,,por sa shohin emrin e hedhin ne kazan,si granatat e 97,,sepse jane te rrezikshme.,.E ndotin Letersine.
Fari Balliu ndertoi magazet e Gerdecit,,,Eshte per te qare,,por ate dite jam dhjere duke qeshur,,
Po nuk ja shihnin ftyren?Cfare mund te ndertoje ajo ftyre? Ja plasi bomben atomike Malokut,,i shpetoi Zeni,por bazhanaku shkoi per lesh.