Policia e Vlorës zbuloi autorësinë e vrasjes së ndodhur në fshatin Shkallë të Sarandës në datën 13 shkurt 2016 dhe arrestoi Ajet Rexhepin, 48 vjeç, banues në fshatin Shkallë, Sarandë, si të dyshuar për krimin.
Policia pohon se Pajtim Shehu, 44 vjeç është vrarë nga fqinji i tij, i cili tashmë ndodhet i arrestuar.
Specialistët e Krimeve të Rënda në Vlorë dhe Sarandë, pas një pune hetimore intensive zbuluan mekananizmin e ngjarjes dhe sipas të gjitha dyshimeve, rezulton e provuar se vrasja ka ndodhur me armë zjarri nga pakujdesia.
Ngjarja
Në datë 13.02.2016, rreth orës 00:20 minuta, një person i paidentifikuar ka hyrë në lokalin e shtetasit A. P. në dalje të fshatit Shkallë, ka vjedhur një sasi në vlerë monetare prej 5.000 lekësh dhe u largua pa lënë gjurmë.
Bashkëshortja e pronarit të lokalit (që jetojnë ngjitur me biznesin) dëgjoi zhurmën gjatë largimit të autorit të vjedhjes.
Në këto kushte shtetasi A. P. njoftoi disa bashkëfshatarë dhe kërkoi ndihmë për të kapur autorin e vjedhjes. Thirrjes i janë përgjigjur disa nga fqinjët. Rreth orës 01:05 u dëgjua një e shtënë me armë zjarri, pra rreth 35 minuta pas momentit të largimit të autorit të vjedhjes nga lokali.
