Duke nisur nga 1 janari i vitit 2021 zerohet tatimfitimi për bizneset e vogla me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë.
Po ashtu, përjashtohen nga TVSH-ja bizneset me xhiro deri në 8 milionë lekë. Ashtu siç ishte paralajmëruar më herët, Qeveria ka draftuar dhe ka kaluar për miratim në mbledhjen e së mërkurës ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”.
Aktualisht, bizneset e vogla, nga 0 deri në 5 milionë lekë, e kanë zero tatimfitimin, ndërsa nga 5 në 14 milionë lekë paguajnë tatimfitim prej 5%. Me ndryshimet e bëra, sipërmarrjet e vogla çlirohen nga kjo taksë. Nga ana tjetër, bizneset e mëdha, pra, me të ardhura mbi 14 milionë lekë, paguajnë tatimfitim prej 15%.
Jo më larg se dy vite më parë, kur qeveria lehtësoi peshën për bizneset e vogla, duke e bërë 5 për qind tatimin mbi fitimin për të ardhurat deri 14 milionë lekë, argumentonte që pragu 8 milionë i caktuar ishte burim për evazion fiskal. Kjo, sepse deri në 8 milionë bizneset asokohe paguanin 5 për qind tatimfitim dhe mbi 8 milionë paguanin 15 për qind.
“Bizneset e vogla ngurrojnë për të deklaruar xhiron reale, pasi nëse kjo xhiro është 7,9 milionë ky biznes paguan 5% tatim mbi fitimin neto të tij dhe nëse xhiroja e tij do të rritet në 8,1 milionë, ai paguan jo 5%, por tre herë më shumë, 15% tatim mbi fitimin. Pikërisht për të shmangur këtë problem, po prezantojmë rishikimin e pragut dhe të ngarkesës fiskale të tatimit mbi fitimin për biznesin e vogël, duke synuar që pragu 8 milionë lekë të rritet në një kufi të arsyeshëm 14 milionë lekë në vit”, thuhej në relacionin që shoqëronte ndryshimet ligjore.
Por sistemi i ri i taksimit duket që është një risk më vetë, të cilin qeveria e ka shpërfillur. Favorizimi i bizneseve të vogla mund të konsiderohet një ‘goditje’ për bizneset e mëdha dhe mund të bëhet shkak po ashtu për evazion fiskal, pasi nuk krijon një taksim progresiv, sikundër është propozuar edhe nga ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar. TVSH Me ndryshimet e miratuara dje, qeveria ka rritur pragun edhe për TVSH-në.
Kështu, bizneset me të ardhura deri në 8 milionë lekë, nuk do të paguajnë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Dy vite më parë, qeveria vendosi të ulë pragun, nga 5 milionë që ishte, në 2 milionë, një vendim ky që u kontestua jo pak nga shoqatat e bizneset, por që, sipas qeverisë, ishte për të disiplinuar bizneset e vogla.
“Përfshirja e subjekteve në regjimin normal të TVSH-së mundëson deklarimin e transaksioneve të shitjeve dhe blerjeve nga të gjitha palët e përfshira në transaksion, duke mundësuar gjithashtu kryqëzimin e këtij informacioni në funksion të miradministrimit të tatimit”.
Dy vite më pas është sërish kjo maxhorancë që rishkruan ligjin, duke e çuar pragun nga 2 milionë në 8 milionë lekë. Sipas të dhënave zyrtare, janë rreth 32.5 mijë subjekte të vogla që janë të përfshirë në skemën e TVSH-së, të cilët prej 1 janarit do të dalin nga skema. TVSH-ja është zëri kryesor që sjell të ardhura në buxhet. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në vitin 2019 u arkëtuan në total 132 miliardë lekë nga TVSH, ose 31% e totalit të të ardhurave tatimore.

j.l./ dita

Merrini këto letra e fshini menderen! Ju qr juve i vidhni me të 2-ja duart, e kujtoni se po na bëni nder duke na heq një TVSH, ndërkohë ke 100 lloj taksash të tjera, me hapsëra publike, jo sigurime, jo taksë arsimi, jo taksë leshi, pa përfshirë drita/ujë e qira.
Vasilika Vjero uli pragun kjo e ngriti sot me argumenta te kundert……o perendi si nuk kane turp