Gazeta “Dita” ka siguruar nga burime diplomatike raportin prej nëntë faqe ku paraqiten problematikat e përgatitjes së procesit zgjedhor të 23 qershorit. Çështja e ndarjes së ZAZ-ve, ndarja e mandateve si dhe listat e zgjedhësve kanë qenë pikat e nxehta të nënvizuara nga anëtarët e propozuar nga PS në KQZ
Përplasja e fortë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është pasqyruar edhe në takimin e fundit të anëtarëve të Komisionit me Misionin Vëzhgues të ODIHR. Në takimin që u zhvillua në zyrën e kryetares Lefterije Lleshi, ODIHR ka marrë dy raporte të punës katër mujore të KQZ-së. Raporti, i cili ka treguar gjërat që nuk kanë funksionuar në Komision është dorëzuar nga nënkryetari Denar Biba. Gazeta “Dita” ka siguruar raportin prej 9 faqe ku paraqiten problematikat e përgatitjes së procesit zgjedhor të 23 qershorit. Çështja e ndarjes së zonave të administrimit zgjedhor, ndarja e mandateve si dhe listat e zgjedhësve kanë qenë pikat e nxehta të nënvizuara nga anëtarët e propozuar nga PS në KQZ; për të cilat janë dhënë shpjegime të detajuara në raportin e dorëzuar misionit të ODIHR. Por pakica në KQZ ka lëshuar akuza të forta ndaj maxhorancës dhe administratës së këtij institucioni. “Procesi i vendimmarrjes në KQZ është paragjykuar dhe paravendosur. Konsensusi është arritur vetëm për vendime të një rëndësie të vogël dhe propozimet e pakicës në KQZ janë pranuar vetëm në një numër të vogël rastesh” shkruhet në dokumentin që i është dorëzuar ODIHR-it.
Konsensusi i munguar në KQZ
Në raportin e dorëzuar ODIHR-it shkruhet se gjatë punës së KQZ ka munguar konsensusi për disa nga çështjet më të rëndësishme. Vetëm për disa vendime të një rëndësie të vogël palët kanë gjetur dakordësinë, madje thuhet se propozimet e opozitës janë pranuar në pak raste nga anëtarët e mazhorancës. Në raport përmendet edhe kur dy anëtarë të Komisionit kanë kërkuar thirrje të mbledhjes gjë që është refuzuar nga kryetarja pa asnjë shpjegim. Sipas Kodit Elektoral thuhet se “Mbledhjet e KQZ-së thirren nga Kryetari ose të paktën nga dy anëtarë të KQZ-së. Në çdo rast, thirrja e mbledhjes nuk i nënshtrohet votimit…” Më tej, flitet për vështirësinë që anëtarët e opozitës kanë për të marrë informacione zyrtare nga administrata e KQZ-së, ndërsa theksohet mosdhënia e procesverbaleve në kohë.
Rishpërndarja e mandateve sipas modelit 2009, shkel barazinë e votës
Raporti vë theksin te ndarja e mandateve, që sipas anëtarëve të opozitës ka shkelur barazinë e votës. Aty thuhet se ndarja është bërë sipas variantit të vitit 2009, edhe pse popullsia ka ndryshuar nga katër vjet më parë. Shifrat e popullsisë janë nxjerrë nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile (NCSR) nën kontrollin e Ministrisë së Brendshme dhe më pas i janë dërguar KQZ-së, e cila vendos për shpërndarjen e mandateve. Vendimi i KQZ për ndarjen e mandateve kërkon 5 vota pro dhe më pas kalon në Kuvend për miratimin përfundimtar. Kur u diskutua ndarja e mandateve, nënkryetari i KQZ kërkoi nga Ministria e Brendshme informacion për ndryshimin e popullsisë në disa qarqe dhe më konkretisht në komunat e qarkut Kukës. “Anëtarët e opozitës patën dyshime të forta se lëvizja e popullsisë ishte bërë në mënyrë jo të logjikshme dhe për këtë nisën verifikimet. Ministria e Brendshme kërkesës iu përgjigj në mënyrë refuzuese me pretendimin se kishim të bënim me të dhëna personale të votuesve. Për këtë arsye, tre anëtarë të Komisionit nuk pranuan të votonin as pro as kundër në mbledhjen e radhës duke nisur një hetim të pavarur për të verifikuar rritjen e popullsisë në Kukës. Si përfundim, Sekretarja e Përgjithshme ia dërgoi ndarjen e mandateve Kuvendit duke i bashkangjitur edhe ndarjen e vitit 2009”, thuhet në raport.
Zonat e Administrimit Zgjedhor, KQZ miraton variantin e PD-së
Zonat e Administrimit Zgjedhor janë njësi administrative të drejtuara nga Komisioni i Administrimit Zgjedhor nën nivelin e KQZ-së. Kjo vlen për të gjitha llojet e zgjedhjeve. Më 5 dhjetor 2012 administrata e KQZ-së propozoi një draft me 76 ZAZ, pas konsultimit me njësitë përkatëse të qeverisjes vendore në mënyrë që të verifikojë ndarjen territoriale. Të gjithë anëtarët e KQZ-së dhe partive politike ranë dakord në parim me projekt-vendimin, duke përfshirë numrin e ZAZ-ve të përgatitur nga administrata e KQZ-së. Më 7 dhjetor 2012 ishte afati i fundit datë ligjore për ngritjen e ZAZ-ve nga KQZ-ja. Në seancën e fundit përfaqësuesit e PD-së në KQZ kërkuan kohë për të kryer konsultime me PS-në në mënyrë që të vijë me propozim të përbashkët konsensual, për shkak të rëndësisë së një vendimi të tillë për aktorët politikë dhe nevoja për konsensus. KQZ-ja ra dakord për t’i dhënë kohë për konsultime. Dy javë kaluan pa diskutim mbi këtë çështje, derisa një seancë urgjente rifilloi në KQZ në 21 dhjetor 2012. Në vend të draftit fillestar të propozuar me 76 ZAZ, (në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor), një tjetër propozim është përcjellë në KQZ nga administrata, i cili parashikonte 89 ZAZ në total. Pra, administrata ndryshoi në takimin e tretë, projektin, i cili ishte në diskutim në KQZ. Në raport theksohet se KQZ propozoi atë variant që kishte propozuar edhe PD në negociata me opozitën.
Rregullorja e pa miratuar e KQZ-së
Në raport flitet edhe për rregulloren e re të KQZ-së, që në fakt është diskutuar edhe në mbledhjen e djeshme. Kodi i ri kërkon që të miratohet dhe një rregullore e funksionimit të KQZ-së. Afati i fundit për miratimin e rregullores ka kaluar që nga 26 dhjetori i vitit të kaluar. Një draft në formën e amendamenteve të rregullores, u propozua për shqyrtim në datën 23 dhjetor të vitit 2012 në KQZ, por që materiali nuk ishte i plotë, në përputhje me dispozitat e ligjit, ai u shty për diskutim në një periudhë të mëvonshme. Deri tani, KQZ-ja nuk e ka miratuar ende një rregullore.
Procesi i hartimit dhe afishimit të listave
Afishimi dhe saktësia e listave të zgjedhësve në qendrat e votimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për integritetin e procesit të votimit. Duke pasur parasysh faktin se lista e votuesve është një ekstrakt i regjistrit të qytetarëve integriteti i saj varet nga integriteti i Regjistrit Kombëtar të Qytetarëve (NCR) e cila mbahet nga Ministria e Brendshme. Reforma zgjedhore e përfunduar në vitin e kaluar futi mekanizma të reja për të pasur sa më shumë transparencë në procesin e hartimit të listës së votuesve. Ndër përmirësime të tjera, ajo ofron një botim periodik mujor të listës nga periudha e dekretit të Presidentit të datës së zgjedhjeve deri në 40 ditë para zgjedhjeve, gjithashtu ajo ofron mundësinë për auditim KQZ-së në listat e votuesve. Secili prej tyre ka të drejtë të paraqesë një raport mujor që përfshin shkeljet dhe rekomandimet. KQZ-ja është e detyruar me ligj për të kërkuar informacion nga Ministria e Brendshme, bazuar në kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së. Por në shumë njësi vendore kemi shkelje të afateve, thuhet në raport.
Dublimet në lista
Raporti ndër të tjera thekson se ekziston mundësia që rreth 65 mijë emra në lista të jenë të dubluar, çka përbën një shqetësim për besueshmërinë e procesit. Janë bërë disa verifikime dhe kanë rezultuar se në 5783 emra kanë dalë 90 dublime. Në raport thuhet “Ne mendojmë se gjetjet e lartpërmendura janë serioze dhe kërkojnë vëmendje të plotë dhe veprime të shpejta nga Ministria e Brendshme. KQZ-ja duhet të dërgojë në përputhje me afatet e përcaktuara në Kod, problemet e gjetura në lista dhe kërkesën për shpjegim. Kjo nuk ka ndodhur me raportin e fundit të një prej auditorëve (propozuar nga Zëvendëskryetari i KQZ-së), ku statistikat dhe listat e përpunuara nga ai, u dërguan në MPB, me dhjetë ditë vonesë”, thuhet në raport.